Gazetari investigativ, Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Opinion” të Bledi Fevziut, për të folur mbi pajisjen e përgjimeve që ka hapur një debat të madh publik ditëve të fundit në vend, ka dhënë një lajm të ri.
Hoxha duke sqaruar për këtë pajisjes përgjuese se kur ka filluar të përdoret në vendin tonë dhe kur është futur, ai tha se, në Shqipëri janë futur dhe dy pajisje te tjera përgjuese dhe akoma më të sofistikuar nga kjo që po posedon autoriteti ynë.
Gazetari Artan Hoxha, ka dhënë një informacion më të detajuar se çfarë është kjo aparaturë që ka futur në sherr politikën dhe pse po përdoret.
“Kjo pajisje në dijeninë time, është bërë e mundur referuar marrëveshjeve qe kemi pasur me policinë italiane, që janë marrëveshje teknike për policinë.
Një pajisje e tillë është sjellë në Shqipëri sa herë policia jonë e ka pasur të domosdoshme për të luftuar grupe kriminale shumë të sofistifikuara.
Është përdorur edhe ndaj një punonjësi të policisë sonë në Romë, më 25 gusht të 2008, i cili është kapur falë kësaj pajisje me një kile drogë.
Unë e di që pajisja kalon në doganë dhe procedura është e kontrolluar dhe kjo pajisje regjistrohet edhe kur del nga Shqipëria. Kjo pajisje shërben për të ndihmuae policinë kur ajo e ka të vështirë të identifikojë grupet kriminale.
Interforca i ka hequr modulin për përgjim audio dhe dekriptim të bisedave. Aparatura gjen numrin e celularit, gjen IMEIN dhe numrin e serisë së kartës.
Para një muaji një person është marrë peng dhe u lirua falë kësaj pajisje. Kjo nuk është pronë e shtetit shqiptar”,- ka thënë Hoxha.
Artan Hoxha, duke folur për pajisjet e përgjimit, për të cilat po bëhet një zhurmë e madhe prej ditësh zbuloi se pajisja është shumë e manovrueshme dhe identifikon numrat e paregjistruar.
Ai ka shtuar se pajisja është instaluar në kryeqytet dhe përgjimet përdoren për shantazh politik. “Pajisja është shumë e manovrueshme. Pajisja identifikon numrat e paregjistruar. Ajo nuk transkripton mesazhe dhe nuk përgjon biseda audio.
Duhet të bëhet transparencë si ka hyrë pajisja në vendin tonë. Përgjimet janë ilegale dhe përbëjnë një shqetësim të madh. Pajisja nuk përgjon biseda audio dhe sms, por bën identifikime të numrave dhe aparateve. Në Shqipëri vërtet ka një pajisje të paligjshme, e cila është e instaluar në kryeqytet.
Është një pajisje e blerë në Izrael mbi 20 mijë euro dhe përgjon mbi 20 numra. Është blerë dhe instaluar privatisht. Përdoret për përgjime shantazhesh politike. Pajisja nuk është instaluar nga persona të opozitës”,- ka thënë Hoxha, për “News 24”.