Edhe këtë të premte, publicisti Fatos Lubonja botoi një opinion tek gazeta Panorama.
Sërish Lubonja shprehet se nuk ka besim se reforma në drejtësi do të sjellë drejtësi.
Por këtë herë ai thotë se reforma duhet miratuar, teksa thekson se shpreson se do dalë një tjetër klasë drejtuese më e mirë për vendin tonë.
“Unë mendoj se reforma duhet të ndodhë. Duhet t’i shohim mëlçitë tonë në qafa pushtetarësh arrogantë dhe brutalë, edhe më të çapëluara se ç’i kemi parë deri më sot, që të mësojmë të mos ua varim ato ujqve në qafë”.
“Vetëm pas kësaj vetëdijeje, ka shpresa se do të dalë më në fund një klasë drejtuese e vendit që do ta ndërtojë autoritetin nëpërmjet bërjes drejt e me ndershmëri të shërbimeve ndaj shqiptarëve dhe jo nëpërmjet imponimit me dhunë, hile e padrejtësi”.
Sërish Panorama vendos të theksojë në fund të shkrimit që nuk lejohet publikimi i shkrimit nga mediat e tjera.
Kjo ka qenë arsyeja që e ka shtyrë Panoramën të padisë portalin Lapsi.al, pasi aty publikohen të plota shkrimet e Lubonjës.
Beteja e Panoramës ndaj Lapsit në fakt është një betejë për të rregulluar disi kaosin në tregun e mediave online, ku çdo gjë rrëmbehet dhe publikohet, nuk ka rëndësi ku është botuar më parë.
E drejta e autorit mbetet gjëja më e dhunuar në kaosin e portaleve.