Nga Mero Baze
Bashkimi Europian duket se po hedh një hap përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për miratimin e reformës në drejtësi, duke bërë thirrje që ajo të miratohet me dy të tretat e votave, duke shmangur fjalën konsesus dhe duke ju drejtuar përgjegjësive personale të deputetëve të opozitës.
Deklarata e Përfaqësueses së Lartë/zëvendës-presidentes Federica Mogherini, drejtuar deputetëve shqiptarë, bënte të qartë se “Propozimi ligjor që ndodhet tashmë para Kuvendit pasqyron rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe përputhet plotësisht me standartet evropiane. Është thelbësore që ky propozim të miratohet një shumicë prej 2/3 që kërkohet.
Bëhet fjalë për një votë për të cilën çdo deputet i Kuvendit, i cilitdo grupimi politik, mban përgjegjësi të veçantë…”.
Ky qëndrim në të vërtetë është një diferencë e ndjeshme, mes qëndrimit amerikan dhe atij europian për reformën. I pari kërkon konsesus me çdo kusht dhe tashmë është bërë traditë që dhe përfaqësues të lartë të qeverisë amerikane të telefonojnë “Babë” e “Bir” për t’u mbushur mendjen të votojnë reformën.
Bashkimi Europian duket se ka një trajektore, së paku javët e fundit. Komisioneri për zgjerim Hahn, po ashtu përmendi vetëm termin ligjor “dy të tretat” në thirrjen drejtuar parlamentit shqiptar, ndërsa Mogherini po shkon dhe më tutje duke ju adresuar përgjegjësive personale të deputetëve të secilës parti.
Ky është një sinjal për një votbesim, pro, ose kundër Bashkimit Europian në parlament, jo vetëm si forca politike, por dhe si deputetë. Skanimi që perëndimi po i bën vullnetit të çdo deputeti, në këtë rast është një test i rëndësishëm për integritetin e tyre dhe të ardhmen në politikën shqiptare.
Por, nga ana tjetër kjo thirrje është dhe një lehtësim ndaj atyre deputetëve që mund të dalin nga rreshti dhe do të votojnë reformën.
Qëndrimi i Bashkimit Europian i konsideron ata në një farë mënyre si “heronj” të perëndimit brenda partive refuzuese për reformën.
Nëse shumica në pushtet është e sinqertë në qëndrimin ndaj reformës, ajo së bashku me disa parti që ka aleancë në zgjedhjet vendore, shkon rreth 89 deputetë dhe duhen së paku 5 deputetë nga opozita të votojnë reformën.
Qëndrimi i ri i Bashkimit Europian inkurajon çdo deputet të marrë këtë vendim, duke u dhënë atyre një lloj imuniteti perëndimor për gjestin e tyre. Ky do të jetë me këtë rast dhe një test për frymën reale perëndimrore që ekziston në opozitë, në raport me besnikërinë ndaj Berishës. Është në nëj farë mënyrëe, një betejë e Brukselit me Berishën, dhe një test për të provuar kë do të zgjedhin deputetët mes Berishës dhe Perëndimit.
Fakti që Berisha po vendos veton, është shumë i sigurtë se deputetët e tij, mes tij dhe Bashkimit Europian, do të zgjedhin Berishën. Ai ka përgatitur një fushatë baltosje për këdo që do të dalë nga rreshti, duke i quajtur të shitur.
Fakti që Bashkimi Europian po bën thirrje për një votim me dy të tretat dhe kërkon përgjegjësi nga çdo deputet, është një mënyrë e hyrjes në betejë kundër presionit të Berishës, për të mos dalë nga rreshti dhe për të formuar një shumicë perëndimore në parlament për reformën në drejtësi.
Kjo është beteja e parë e Perëndimit zyrtar kundër klasës politike shqiptare, për ta detyruar të rreshtohen pro, ose kundër tij. Këtë radhë ka përballë si kundërshtar sërish Sali Berishën, si në vitin 1997. Në atë kohë arriti t’i shkëpusë së paku 12 deputetë dhe shumë zyrtarë të lartë. Tani bëhet fjalë për më pak, por shumë më tepër vlera simbolike, për të fituar betejën e Perëndimit në parlamentin e Shqipërisë.