Televizioni Publik Shqiptar përplaset me televizionet private. Tre shoqata gazetarësh, kanë protestuar sot ndaj ndërprerjes së sinjalit të transmetimit të ceremonisë së lumturimit të martirëve, nga TVSH, duke mos lejuar asnjë nga mediat e tjera të shfaqë këtë ngjarje të rëndësishme dhe me interes të gjerë.
Shoqatat e gazetarëve, kanë protestuar kundër këtij vendimi, duke kërkuar “të merren masa ndaj drejtuesve injorantë që urdhëruan aktin arrogant e të paprecedent të ndërprerjes për të gjithë televizionet e tjera të sinjalit të këtij evenimenti të rëndësishëm kombëtar”. Deklarata e tyre firmoset nga Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku dhe Ylli Rakipi.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi është shprehur ekskluzivisht për dritare.net:
“Ne i kemi lejuar të gjithë televizionet private që ta merrnin sinjalin nga RTSH me logon tonë. Në të kundërt, nëse duan sinjal pa logo, duhet të lidhin paraprakisht, kontratë me RTSH dhe të paguajnë kostot teknike. RTSH nuk do të jetë më infrastrukturë dhe mall pa zot, që privatët ta përdorin si të duan për të bërë para, duke shfrytëzuar një pronë publike. Ne jemi të vendosur të respektojmë rregullat dhe nuk do të lejojmë të vidhet produkti i krijuar me paratë e publikut.
Puna e RTSH, arkivi i saj, produkti i krijuar nga djersa dhe mundi i krijuesve të RTSH, të financuara nga paratë publike nuk do të lejohet që të keqpërdoren, as të shiten nga televizionet komerciale, pa respektuar rregullat dhe pa kontrata ligjore. Kjo është përgjigja e RTSH për protestën e tre shoqatave.” -thotë për dritare.net, drejtori Gëllçi./dritare.net