Pas një dasme madhështore në të gjitha kuptimet, për nusen e re të familjes Ndroqi (atë të djalit të madh të Ylli Ndroqit, Redon) vjen një surprizë e bukur e bërë nga vjehrri i saj… Presidenti i “Ora News” Ylli Ndroqi, ka caktuar nusen e djalit të tij të madh , Mariam, në postin e Drejtoreshes së Përgjithshme të Televizionit.
Ai ka prezantuar sot drejtuesen e re të grupit mediatik “Yldon Media Group” Mariam Ndroqi. Në 10 vite ekzistencë të “Ora News”, ky televizion është kthyer në ekranin e shqiptarëve për lajmin më të fundit, të shpejtë dhe me standarde profesionale.
Pas një dekade të suksesshme televizioni informativ “Ora News” fillon një epokë të re investimesh në teknologji dhe burime njerëzore, që do të shënojë një evolucion për tregun mediatik në Shqipëri.
Mariam Ndroqi, merr drejtimin e “Ora News” pas një eksperience të gjatë në një grup mediatik në Moskë, Rusi dhe studimeve të larta për media dhe marketing.
Me ambicjen dhe energjinë për një rritje cilësore znj. Ndroqi, do të kryesojë ndryshimin e madh për ekranin e shqiptarëve me lajmin e fundit, analizën e thelluar, programet investigative, politike, ekonomike, kulturore dhe sportive. Akrepat e “Ora News” tanimë janë nisur drejt një gare për të konkurruar edhe më bindshëm tregun mediatik në Shqipëri.