Prej shtatë muajsh në tregun mediatik online, themeluesja e Tiranapost.al rrëfen se kjo medie e re e ka mbajtur premtimin me të cilin u nis. Asnjë lajm i kopjuar pa skrupuj dhe asnjë lajm i vjedhur. Sepse për Mirën është më shumë se një zotim që i ka bërë lexuesve apo stafit të saj: është mënyra sesi duhet të funksionojë një media, pavarësisht nëse është e shtypur, televizive apo virtuale…E quan veten armike të lajmeve copy&paste dhe lufton çdo ditë në faqen e saj për të vendosur një standard të ri gazetarie…
Madame Mapo
Shtatë muaj më parë, kur mori jetë një tjetër website informativ me një logo ku shfaqej simboli i kryeqytetit -Kulla e Sahatit -pagëzuar si “Tiranapost.al”, themeluesja e saj, edhe pse vetëm pak ditë pas krijimit, ngulmonte se i saji nuk do të qe vetëm një portal më shumë, në morinë marramendëse të atyre që janë çelur si kioska që shesin lajme aspak origjinale, të kopjuara apo të vjedhura nga kushedi ç’portale të tjera, por si një far, që u bën dritë atyre gazetarëve me përvojë që angazhohen të bëjnë ende gazetarinë e vërtetë dhe angazhuese, por edhe lexuesve që shpesh lodhen dhe mundohen të gjejnë një artikull për të qenë mes atyre lajmeve erotike a gjysmëpornografike.
Sot, pas shtatë muajsh, në redaksinë e Tiranapost.al në mjediset e “Ring Center”, Mira Kazhani që më shumë se themeluese apo në krye të stafit me gazetarë të zgjedhur që kontribuojnë në këtë redaksi, e quan veten më shumë gazetare. Nuk rri dot pa shkruar! -të thotë, dhe mjaft të lundrosh pak në faqen e tiranapost.al për t’u bindur se nuk është një frazë e thënë klishe. Kanë kaluar vetëm pak ditë nga muaji i fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme në vend, ku Mira u angazhua si njëherë e një kohë kur bënte gazetaren e terrenit, me bllok e laps me vete, një kameraman dhe në timonin e Fiat 500 të saj, të këndshme, stil retro i viteve ‘50. “E kam ngarë vetë dhe kam lëvizur nëpër të gjithë Shqipërinë me makinën time, nga Tropoja në Gjirokastër. Vija në mbrëmje e rraskapitur, e më pas më duhej të mblidhja forcat e të shkruaja.”-tregon ajo, por edhe pse situata pas zgjedhjeve në Tiranë ngjan më e qetë, për gazetarinë nuk ka kurrë pushime. Kur e pyet nëse të qenit themeluese e një medieje është kulminacioni i karrierës së saj, ajo të përgjigjet se është me këmbët në tokë e nuk ndihet e lidhur me fjalët karrierë apo arritje majash. Thjesht thotë se Tiranapost.al është krejt tipi i saj. E deri tani për atë dritë online që e kish fjalën 7 muaj më parë , thotë se nuk është shuar kurrë. Ama lajme me burime, jo thashetheme nëpër tavolina me gjysma të vërteta apo aspak të tilla. Kur e pyet nëse puna e saj me Tiranapost.al i ngjan një pionieri që përpiqet të hapë një rrugë të re me një gazetari të vërtetë, tregohet modeste, aq sa thotë se nuk i takon asaj ta gjykojë por lexuesit që klikon mbi artikujt që postohen në të. Shton madje se askush nuk duhet ta shesë për novacion apo sakrificë profesionin. Ngulmon se ajo dhe stafi bëjnë punën që duhet të bëjë kushdo i përfshirë në këtë fushë. Sa për të ardhmen e Tiranapost.al, preferon ta përmbledhë vizionin e saj -me siguri të detajuar imtë e me jetëgjatësi -me një fjalë: human. Megjithëse jemi në epokën e teknologjisë, androidëve, jetës virtuale, Tiranapost.al nuk e di pse të sjellë ndërmend atë pushtet që kishte posta njëherë e një kohë në shpërndarjen e informacionit. Dhe informacioni është pushtet. Këtë përpiqen të bëjnë çdo ditë gazetarët në redaksinë online të Tiranapost.al; ta kalojnë pushtetin në duart e qytetarëve, për të mos mbizotëruar injoranca, porse cilësia e lajmeve dhe e gazetarisë…
Ke provuar thuajse të gjitha shkallët e gazetarisë; nga gazetare, te bashkëpunëtorja e lirë, pastaj televizionin dhe tani median online. Do doja të më rrëfeje pak për secilën përvojë! Si ka qenë për ty të rriteshe si gazetare në çdo hap?
Në të gjitha rastet kam dashur të rritem. Të bëhem një gazetare më e mirë. Talenti të ndihmon deri në një pikë. Fati gjithashtu ka rolin e tij të madh, dihet. Nuk dua të ndalem nëpër përvoja sepse nuk jam e vetmja gazetare që ka mbetur mbi dhè dhe bota ka nevojë për rrëfimin tim.
Kam vuajtur sigurisht, jam lodhur, jam rrëzuar, jam zhgënjyer, jam rritur mes një bote të madhe hipokrite e hipokritësh. Po këto nuk i duhen kurrkujt në botë, veç një llogarie me shpirtin tim, ndonjëherë jo pa çmim. Gazetaria ka ndryshuar me erën online dhe nuk paraqet dot prova se kush ke qenë ti. Duhet të jesh. Të jesh tani.
Je rritur? Si ndihesh kur rritesh?
Asnjëherë siç e pret në ato fillime. Asgjë nuk vjen në mënyrën si e pret në jetë. Jam ende 20 vjeç në ndjenjën me jetën. Nuk kam xhelozira dhe nuk futem në spirale mllefesh që janë shumë të zakonshme dhe gati një ligj mbijetese në botën e medias. Ndoshta është gjë e mirë, por unë do doja të kisha pak shpirt hakmarrës. Tani kjo ose tregon që jam rritur më shumë sesa duhet ose nuk jam rritur hiç! I fola me përzemërsi një ditë dikujt në rrugë teksa kryqëzoheshim. Motra ime më tha: “Pse i fole? Të ka sharë…”. Unë as e mbaja mend. Tani do përpiqem që po e pashë prapë të mos i flas (ha ha ha ha).
Tiranapost është kulminacioni i karrierës së deritanishme, besoj. Si është të kalosh nga një e punësuar në themeluesen e një sipërmarrjeje tënden? A është pak si një fëmijë që rritet?
Unë nuk kam lidhje me nocionet Karrierë, kulminacion etj., si këto. Tiranapost.al është tipi im komplet. Ndihem e lirë tani dhe kjo më ka bërë më pak të lirë. Duket lojë fjalësh, por nuk di ta shpreh më mirë sesa kaq!
Meqë ra fjala, sa kohë u bë Tiranapost.al?
Po futemi në muajin e shtatë.
E nise jo si një portal më shumë, por siç e kujtoj nga intervista jonë e mëparshme si një dritë online. Si ka qenë kjo rrugë deri tani?
Si mendon?! Na kanë ikur dritat ndonjë ditë?! Në ndonjë shkrim a ndonjë titull?! …
Rruga nuk është autostradë, por janë disa lloj vështirësish që në të nesërmen gjithmonë të kompensojnë mundin dhe durimin.
Premtimi për të mos kopjuar lajme, për të shkruar me autorësi në fund të artikullit, duket i vështirë për t’u mbajtur? Deri tani ia keni dalë, apo jo? A ka pasur vështirësi apo tundim për të bërë si të tjerët, mbase për më shumë klikime?
Nuk është fjalë e dhënë. Është më shumë sesa kaq, ose duhet të jetë. E tillë duhet të jetë kudo. Të shkruash vetë lajmet; unë e them shpesh: është qesharake ta shesësh si meritë apo sakrificë për profesionin.
Nuk e di askush sa klikohesh. Një ditë në mos që sot na gjykojnë për atë që postojmë online. Lexuesi nuk është budalla dhe jam kategorikisht kundër atyre që thonë se “pisllëqet” lexohen. Në tiranapost.al nuk më rezulton aspak e vërtetë. Secili e di vetë në darkë kur e ka bërë mirë punën, kur i ka rënë dikujt në qafë me të padrejtë. Dua shumë që kolegët profesionistë të mos intimidohen nga pëlqimet apo klikimet që merr vulgariteti. Nuk do zgjasë përgjithmonë ky kaos dhe kushdo i bëri ballë do ketë për çfarë të jetë krenarë në këtë punë. Unë them me humor, por është e vërtetë; sa më shumë llum rreth e qark aq më fort na ndrin puna. Imagjino pas 20 vitesh të të pyesin si e nise? Dhe të thuash ngrita një perandori me barsoleta rruge. Unë dua që TIP të jetë Human. Një rezistencë që ngjan me thirrjen e Umberto Eco-s. E ndërmend shpesh citatin e tij të famshëm për rrjetet sociale që i dhanë shansin çdo idioti të shprehë mendimin e vet. “Më përpara ata i thoshin po pasi kishin pirë dhe nuk e dëmtonin një shoqëri të tërë se ç’kishin për të thënë e thoshin te bari i lagjes. Tani flet e shkruan njësoj si injoranti dhe fituesi i çmimit Nobel”, – pak a shumë nëse e rendita si ai. Dua që tiranapost të postojë mendim, opinion, ngjarje, lajme që mund ta ndihmojnë shoqërinë dhe jo ta errësojnë atë. Politika klikohet shumë pak.
Vërtet? Çfarë klikojnë më shumë dhe çfarë duhet të bëjë një politikan që të ketë vëmendjen e lexuesit?
Politikanët duhet ta dinë që njerëzit i kanë braktisur modelet e vjetra. Më dinaku më duket Edi Rama që ka gjetur mënyra për të mbajtur gjallë interesin. Politikanët dhe figurat publike në përgjithësi janë në grykë të topit kur vjen puna tek lajmet. Po ta vrasësh gishtin e vogël të dorës të bëjnë gati fjalimin e vdekjes.
Në fushën tonë paragjykimet janë të forta sidomos kur bëhet fjalë për gazetaret vajza apo gra. E ke vuajtur në fillim? E mendonin se do ishte një portal online me lajme rozë?
Në fakt portalet më shumë rozë janë me burra në drejtim. Roza është më e bukur se ajo që shitet sot për rozë por në do të dish :- as që më bëhet vonë për paragjykimet e kësaj natyre dhe nuk jam dot patetike të pres ngushëllime për to. Andi Bushati i lapsi.al p.sh. më ka uruar i pari nga kolegët për portalin. Nuk shoh ndonjë paragjykim të madh lart e poshtë. Plus, nuk ka ndonjë garë të madhe profesionalisht. Këtu hallin e kanë; ke bërë lek apo jo? Pse e glorifikojnë kaq shumë varfërinë një zot e di. A thua se të jesh i varfër të bën njeri të pastër e të drejtë domosdoshmërisht! Dua të shoh sa më pak varfëri dhe mos t’ua shesim njerëzve si vlerë. Unë për vete e urrej dhe kam punuar që 20 vjeç. Të pasur nuk bëhemi dot se nuk e kuptoj si një gazetare e re mund të bëhet e pasur? Pasuria është parajsë e largët, ndoshta e pamundur! Për mua flas…
Tiranapost ka të gjithë sektorët e çdo medieje, edhe atyre tradicionalë. Si e menaxhoni apo ndani punën mes jush nga politika e deri te lajmet e showbiz apo lifestyle? E ke quajtur në fillim stafin apo redaksinë një familje. Vazhdoni të funksiononi kështu?
Nuk është e lehtë të krijosh staf. Unë e sigurt që nuk do bëhem kurrë shefe. Funksionoj vetëm si gazetare. Dua të shpëtojmë nga mallkimi i lajmeve skematike. Sot në parlament…fluksi i madh i pushuesve…referuar autoriteteve përkatëse…arrestohet shtetasi…etj., janë tekste që i gjen edhe në tiranapost.al se ende nuk ia kemi dalë, por janë të mërzitshme.
Si e sheh garën mes medieve online për lajmin më të klikuar apo lajmin e parë? Cili është fokusi kryesor, lajmi i parë apo një këndvështrim ndryshe i ngjarjeve të ditës?
Nuk janë përjashtues. Duhen të dyja. Lajmi i fundit të rrit besueshmërinë. Lajmi i shtjelluar të rrit respektin për faqen. Më kujtohet kur të gjitha portalet po tirrnin mundësinë e dorëheqjes së Saimir Tahirit. Nuk po e shkruanim, hezitoja. Këto janë momente që vendosin çfarë je ti në këtë punë.
i telefonova Tahirit, i cili nuk e di sesi në atë rrëmujë (krejt normale edhe të mos përgjigjej) u përgjigj. Nuk ishte as pohim e as mohim dhe aty kam përdorur pak instinktin. Po e kishim të parët lajmin dhe jo me llafe tavolinash, por me burim.
Le të flasim pak për Ditarin i fushatës. Ndërmarrje angazhuese duhet të them, por gjithashtu theve edhe stereotipin e gazetarisë rozë. A mund të na rrëfesh këtë përvojë, prapaskenat, takimet me personazhet politikë, sa personazhe arrite të intervistoje, cili ishte misioni i intervistave të tua dhe sa e kujdesshme duhet të ishe që në kohë fushate të mos lije personazhet të bëjnë fushatë për veten, por t’u përgjigjeshin pyetjeve striktmërisht? Ndonjë projekt i ngjashëm, më jetëgjatë në të ardhmen? Flas një cikël intervistash …
Ditari do duhej të ishte me shumë personazhe. Fillimisht kisha menduar të bëja vetëm Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. i kam kontaktuar disa herë stafet e tyre dhe mesa duket m’u përgjigj vetëm ai “që kishte më shumë kohë”, Edi Rama. Nga stafi i Bashës mesa duket nuk u gjet koha.
Me kryeministrin ditarin e kam bërë si në fije të perit sepse duhet të hipja në makinën e tij. Garda nuk e lejonte. Ai ishte nga një miting në tjetrin. Dhe ky problemi që garda nuk do na lejonte të hipnim në makinë me të… Në një moment i thashë kameramanit se kishte një shpresë për ne: “Po të gjeja rastin dhe t’i thosha nga afër se bukur del në makinë, d.m.th. fjala ‘bukur’ do e kapërcente edhe gardën. Kështu ndodhi! Më vonë mendova pse jo edhe disa të tjerë. Të jem e sinqertë nga lista e PD nuk më kuriozonte askush sepse as nuk i njihja, ata sikur dolën nga hiçi.. Ditarin nuk e bën dot me anonimë. Zgjodha njerëz që ju kisha ndjekur fushatën dhe më kishin bërë përshtypje për mirë. Fakti që u shtynë zgjedhjet dhe data u vendos vrap e vrap nuk më dha mundësi të ndërtoja një axhendë apo një ditar për ditarin. Kam në plan që ta vazhdoj.
Krenare për deri ku ka arritur Tiranapost dhe të krijuarit një standard të ri për mediet online?
Ajo nuk më takon mua ta them!
Në afatgjatë mendon se do arrish të ndryshosh dhe mentalitetin se portalet publikojnë vetëm lajme për klikime dhe argëtim? Mendon ende se e ardhmja e gazetarisë është jo më shfletimi në letër, por lundrimi online? A munden lexuesit online të fitojnë durim edhe për artikuj të gjatë e angazhues?
Sa më pëlqen letra nuk ke idenë! Dua të mos vdesë letra, por duket e pashmangshme sot. Mentalitetin e portaleve e atij llumit që fola më lart nuk e ndryshoj unë. Më shtroni në spital nëse flas me kaq vetëbesim dhe në dëlir. As për të ardhmen e gazetarisë nuk flas dot unë. Po as ata që japin leksione ekranesh dhe portalesh nuk më duken të kenë aftësi të plota. Sharësit jo e jo. Madje këta janë bërë demode dhe kanë shkallmuar aq shumë të vërtetën sa edhe kur ta thonë të shkretët nuk do i besojë njeri. Për momentin mund të të them që publiku është aq në rregull, aq i mençur, sa ai me gishtin e tij do e vendosë të ardhmen. Sigurisht gazetarët profesionistë kanë rolin e tyre të madh. Duhet të kthehemi nga përmbajtja. Pardje përktheva një intervistë të një sociologu të jashtëzakonshëm Zygmunt Bauman dhe u shit si buka e ngrohtë. E lexuan sikur Elvanën ose Majlinda Bregun kur poston foto me dy kuptime ose në plazh.
Si në çdo sipërmarrje ka zëra që flasin keq, zëra kritikë. Ti si i merr dhe çfarë ke për t’u thënë?
Kritikët më mërzisin fillimisht, por kur vjen ajo darka që të thashë më lart i marr në sy dhe reflektoj. Ata që flasin keq? Booh tani që po e mendoj sikur nuk më vijnë kështu lajmesh. Më gjete të pa përgatitur.
E ke ndjerë maskilizmin apo xhelozinë e kolegëve që një grua e re në moshë, arrin të themelojë një media, por dhe të vendosë me ngulm të bëjë diçka ndryshe prej portaleve të tjerë?
Nuk kam asnjë rast ku të marr shembull apo të ankohem. Më vret zoti ta bëj. Duhet te dish se kur je grua e re dhe pa komplekse trupi, bukurie, inteligjence meshkujt sillen gjithmonë mirë. Ata e kanë atë shqisën për të kuptuar kur je e pasigurt. Kur të shohin rehat me veten janë njerëz simpatikë.
Avangarda me teknologjinë, por edhe një lloj shijeje tradicionale kur përmendet post që të ndërmend postën. Mendon se i ke bashkuar grupmosha të ndryshme nën të njëjtin vend?
Nuk ka asnjë rastësi në çdo hap që kam hedhur me postën e Tiranës (qesh)
Bashkëpunëtorët e jashtëm, emrat e njohur janë shtuar?
I kam ftuar të gjithë vetë. Jam gati t’u ulem në gjunjë njerëzve me mend të këtij qyteti/vendi. Dua të bind dhe shumë të tjerë. Më beso ju lutem si fëmijë të bëjnë blogje, të shkruajnë. Ndryshe si do ia dal?!
Në vizionin tënd si e sheh të ardhmen e Tiranapost?
Human.