Përplasjet në Sharlotvil, SHBA mes ekstremistëve të djathtë dhe protestuesve anti-fashistë kanë shkaktuar shumë debat në media.
Një 32-vjeçare humbi jetën, pasi një person i ekstremit të djathtë u fut me makinë mes turmës ku po mbahej anti-tubimi kundër supremacistëve të bardhë.
Presidenti Donald Trump reagoi duke ia vënë fajin të dyja palëve, çka e shtoi ndjeshëm zemërimin.
Por në mesin e këtij debati ja ku vjen sërish ish-presidenti amerikan, Barack Obama.
Një mesazh i tij në Twitter ka thyer rekord.
“Askush nuk ka lindur duke urryer dikë tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës, ose prejardhjes, ose besimit fetar,” shkroi Obama.
Ky mesazh mori më shumë se tre milionë pëlqime dhe u shpërnda më shumë se 1.2 milionë herë.
Mesazhi është deri më tani më i pëlqyeri në historinë e rrjetit social.