Quantcast
Channel: Media – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670

Konferenca e medias, si portretizohen fqinjët në Ballkan

$
0
0

zyloInstituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me ambasadën e Zvicrës në Shqipëri, organizoi në Tiranë Konferencën Rajonale “Raportimi i fqinjëve në Median ballkanike”.

Në konferencë morën pjesë studiues, gazetarë, ekspertë të medias, përfaqësues të organizatave të mediave nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

Në konferencë u paraqitën për herë të parë të dhëna interesante se si portretizohen fqinjët në vendet e Ballkanit. Rezultatet e studimeve u paraqitën pas një pune disamujore kërkimore të ekspertëve nga vendet e mësipërme. Konkluzionet e tyre nënvizojnë se, ndërsa zhvillime të reja po ndodhin në fushën e bashkëpunimit rajonal, stereotipet e vjetra dhe gjuha e urrejtjes janë të pranishme kur është fjala për vendet dhe kombet e tjera.

Ekspertët që punuan në këtë projekt u fokusuan në mediat elektronike, shtypin e shkruar dhe mediat online. Të përmbledhura në një botim të posaçëm, studimet e realizuara japin një pasqyrë komplekse të rolit që luan media në marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve. Pavarësisht ndryshimeve të pamohueshme të dekadës së fundit, ende nuk mund të thuhet se stereotipet negative dhe paragjykimet historike i përkasin së kaluarës.

Si i pasqyrojmë fqinjët në media kur konfliktet e Ballkanit janë diçka e kaluar dhe vendet e tjera të rajonit gjenden në procesin e integrimit euro-atlantik? Cili është imazhi i Tjetrit në median e rajonit? Cili është impakti i procesit të integrimit europian në mënyrën sesi vendet e Ballkanit Perëndimor shohin njëri-tjetrin? Cili është roli i medias së re dhe medias sociale në krijimin e perceptimit për njëri-tjetrin?

Disa ngjarje të rëndësishme, si ndeshja e futbollit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, vizita e kryeministrit Rama në Beograd, apo incidentet e fundit në Kumanovë, kanë qenë në qendër të analizës dhe diskutimit mes ekspertëve.

Sikurse shkruan në parathënien e botimit ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf, ky botim hap një rrugë për dialog dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin mes aktorëve të medias në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Gjatë dy ditëve të Konferencës pjesëmarrësit diskutuan për rrugët dhe mjetet për ta çuar përpara këtë dialog.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670