Quantcast
Channel: Media – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670

Seksualiteti si rivalitet

$
0
0

Nga Dr. Mirela Oktrova

Mënyra se si trajtesa ime e fundit për nevojën e një diskutimi publik rreth perceptimit shoqëror dhe trajtimit ligjor të prostitucionit u kuptua dhe u bashkëlidh tematikisht, evidentoi sërish rëndësinë, që trajtimi i të ashtuquajturave tema tabu ka për një komunitet të keqarsimuar, të paemancipuar dhe të kompleksuar si ky i yni.

Keqkuptimi i shqetësimit qytetar, tjetërsimi i mesazhit përmes ndryshimit të titullit, keqpërdorja e produktit intelektual si “rrjetë” klikimesh, komentet dhe reagimet seksiste dhe jo së fundi konfondimi i dukurive dhe problematikave në trajtim, përbëjnë tregues të mjaftueshëm:

  • për mungesën e gatishmërisë mbarëshoqërore për të folur hapur për një dukuri- plagë, që komplekset e fryjnë dhe indiferenca e majis përditë e më shumë;
  • për irritimin e pakuptueshëm, që përkatësia gjinore e mendjes, që i qaset temës ngjall, nëse trajtesa s’ka të bëjë me stereotipet seksiste dhe diskriminuese standarde;
  • për miopinë psiko-sociale, historike dhe politike që barazon prostitucionin me lirinë apo të drejtën seksuale të gruas.

Dhe këtu besoj se ia vlen dhe duhet të qëndrojmë.

Konventa e OKB-së për të drejtat themelore të njeriut e konsideron seksualitetin “pjesë integruese të personalitetit të çdo qenieje njerëzore, aspekt themelor të të qenit njeri, pavarësisht vendimit për t’u riprodhuar”, për çka “individit i nevojitet një ambient i favorshëm, për të gëzuar të drejtat seksuale, ku përfshihet garantimi dhe mos-diskriminimi”. Prostitucioni – në anën tjetër – është shpërfillje e së drejtës themelore të gruas për seksualitet të barabartë, reciprok dhe të vetëvendosur. Jo rastësisht në disa vende perëndimore, si p.sh. në Francë, Suedi apo Amerikë, prostitucioni konsiderohet si “skllavëri e bardhë”. Pikërisht për këtë arsye këto shoqëri janë solidare me prostitutat, por kritikojnë logjikën e sistemit të prostitucionit, e cila – duke i shndërruar gratë në mall – trivializon dhe afirmon seksualitetin komercial dhe shënon hapa prapa në trendin e përgjithshëm të emancipimit të marrëdhënieve midis gjinive, përfshirë prirjen drejt seksualitetit komunikues, të barabartë ose reciprok midis tyre.

Megjithatë barazimi i lirisë seksuale me prostitucionin nuk është një dukuri as e re dhe as e rastësishme. Si reflektim flagrant i konfliktit dhe hierarkisë së interesave gjinore në këtë dukuri, ajo shkon paralelisht me prirjen për justifikimin e motiveve të shfrytëzuesve të prostitucionit nga njëra anë dhe injorimin e realitetit të grave në prostitucion, nga ana tjetër. Ky qëndrim e ka zanafillën diku nga fundi i viteve ‘70 të shekullit të shkuar, kur feministet më kurajoze dhe bijat më avangardiste të “revolucionit seksual”, të frymëzuara nga veprat e Kate Millett dhe Shulamith Firestone, në kuadrin e “çlirimit seksual” tërësor, zunë të argumentonin, se çlirimi i seksit nga çdo lloj tabuje, mund të përfshinte dhe ofrimin e tij si shërbim kundrejt pagesës. Protagonistet e para ishin feministet, që zunë të imitonin meshkujt në ndarjen tradicionale të ndjenjës nga seksi, kryesisht studente femra, që punonin si prostituta të rastit dhe s’ngurronin të rrëfenin publikisht, se sa interesante ishte të fitoje para me seks të shpejtë.

Por ky perceptim fillestar nuk zgjati shumë. Ndonëse vetëm pak zëra iu kundërvunë që në fillim përmasave perverse, që po merrte çlirimi seksual, gjinia historikisht dominante arriti të dëshmonte, se i kuptuar në këtë formë, “çlirimi seksual” ishte thjesht dhe vetëm shumëfishim dominance. Që në Patriarkat, seksualiteti për burrat funksiononte si një lloj “marke” apo pushtet mbi gratë, përmes të cilit ata (burrat) i kategorizonin gratë – gjë që vazhdojnë ta bëjnë edhe sot – sipas marrëdhënies së tyre të pronësisë me to, duke bërë dallim midis “të ndershmeve”, që i përkisnin vetëm një burri dhe “të pandershmeve”, që iu përkisnin të gjithëve. Parë nga ky këndvështrim, “revolucioni seksual” ishte vërtet “tronditje” e sistemit të mësipërm të markimit, por fituesit e vërtetë të tij nuk ishin gratë, po përsëri burrat: se pas tij edhe gratë, që deri atëherë i takonim vetëm një burri, do të duhej t’i përkisnim tani të gjithë burrave.

Po prostitucioni është megjithatë shumë më tepër se kaq. Prostitucioni është një marrëdhënie pushteti, e strukturuar në formë ekstreme në përputhje me specifikat dhe me hierarkinë gjinore. Ai ekziston pothuajse ekskluzivisht në formën e një oferte femërore ndaj një tregu mashkullor. Për një periudhë të kufizuar kohore dhe brenda kufijve të përcaktuar ligjërisht (në kushtet e legalizimit) ose arbitrarisht të papërcaktuar (në kushtet e ushtrimit ilegal), punonjësja e seksit heq dorë nga vetëvendosja seksuale kundrejt pagesës, ndërkohë që “klienti” merr autoritetin e përkohshëm mbi trupin e saj. Në kushte dhe mjedise të tjera sociale, kjo s’duhet të ndodhte…

Gjithkush, që mendon, se prostitucioni është identik me seksualitetin, duhet të pyesë vetë prostitutat dhe klientët e tyre për motivet dhe ndjenjat e tyre të vërteta. Gratë që prostituojnë nuk përmbushin nevojat e tyre seksuale, por nevojat ekonomike. Ato kanë thjesht nevojë për të holla dhe zakonisht nuk kanë alternativë tjetër. Klientët kanë gjithashtu nevojë të dominojnë, të ndiejnë dhe ushtrojnë pushtet: të mos kenë nevojë të diskutojnë apo të jenë të vëmendshëm, po thjesht të kërkojnë dhe marrin atë që duan, të jetojnë seksualitetin e tyre pa vrarë mendjen për atë që kanë përballë…, ose të harrojnë komplekset e tyre – paaftësinë për të krijuar marrëdhënie apo të mosqenit tërheqës për seksin tjetër – pa qenë në vëzhgimin dhe gjykimin e të tretëve.

Në asnjë veprimtari tjetër më shumë se sa në prostitucion gjinitë përballen me njëra-tjetrën me të gjithë forcën, ashpërsinë dhe shumanshmërinë e pabarazisë – se ndërsa njëra palë ka të drejtën dhe mundësinë të blejë gjithçka, palës tjetër s’i ka mbetur gjë më as të shesë – ajo është përtej nivelit klasik të varfërisë të përkufizuar te “plaçkat e trupit”, se asaj s’i ka mbetur as trupi… Paratë e fituara në këtë rrugë dhe me këtë mënyrë ndodh që mund të kurojnë imazhin, por kurrsesi humnerat e shpirtit, që ka prekur fundin dhe aq më pak seksualitetin e tyre të trazuar nga lëndime dhe psikoza të paimagjinueshme dhe të asgjësuar nga rutina dhe automatizmi.

Asnjë prej marrëdhënieve, që individi ndërton – si me vetveten ashtu edhe me komunitetin mikro dhe makro – nuk është aq e ekspozuar ndaj rivalitetit midis gjinive, se sa seksualiteti. Po për sa kohë seksualiteti jeton dhe ekuilibrohet nga dashuria, rivaliteti i gjinive në të mund të ketë dhe pamje sfide, po dhe pamje ndërveprimi – në të ka vend edhe për barazi, edhe për vetëvendosje edhe për emancipim. Në prostitucion, në të kundërtën – edhe nëse nuk ka dhunë – nuk ka zhvillim, nuk ka barazi, nuk ka vetëvendosje. Asnjë prej veprimtarive të tjera të përbashkëta midis gjinive, nuk ia ka dalë të ruajë të pandryshuar më gjatë epërsinë ekonomike dhe fizike të gjinisë mashkullore ndaj asaj femërore sa prostitucioni.

Të kërkosh të flitet për prostitucionin, s’do të thotë ta miratosh atë symbyllur dhe aq më pak të injorosh çarkun, që ai u ngre punonjëseve të seksit. Të kërkosh të flitet për të, do të thotë, të mos mbyllësh sytë para një dukurie kaq të komplikuar dhe rezistente sa vetë shoqëria, së cilës para syve tanë i rëndon dhe krimi i organizuar dhe simbioza e hatashme me trafiqe të tjera gjëmëndjellëse. Është thjesht vëmendje për ca fate grash, që u lindën në kohën, vendin dhe pranë njerëzve të gabuar.

Që – ndryshe nga ç’mendon bota për to – s’do ta jetojnë mbase kurrë seksualitetin e tyre!/Mapo.al/


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670