Ylli Ndroqi: As nuk e kisha menduar kurrë që do t’u shërbeja një ditë bashkëqytetarëve të vendit tim, por ja që ia dola që për një dekadë, të japim informacionin e duhur në kohën e duhur.
Radio Televizioni Ora News ka festuar dje 10-vjetorin e fillimit të transmetimeve, me një ceremoni që ishte e konceptuar si nisja e një rrugëtimi të ri në të ardhmen. Në festën ku kanë marrë pjesë të gjithë drejtuesit e lartë të shtetit e të politikës në vend, si dhe qindra të ftuar të tjerë nga të gjitha fushat e jetës, është prezantuar edhe logoja e re e këtij televizioni, që është ndër kryesorët në vend. Festën e rastit e ka hapur Drejtorja e Informacionit në Ora News, Ilva Tare, që bëri edhe një premtim për shikuesit. “Misioni në këtë dekadë të re do të jetë i njëjti, të vërtetën tuaj, ashtu siç është, por do ta bëjmë këtë me një pamje krejtësisht të re, të revolucionarizuar”, ka deklaruar Tare.
Festa me të ftuar VIP
Të pranishëm në mbrëmjen gala kanë qenë një sërë personalitetesh të njohura. Festës i është bashkuar Presidenti Ilir Meta, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, bashkë me zëvendëskryeministrin kosovar Behgjet Pacolli. Të pranishëm janë edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe një sërë figurash të tjera publike. I pranishëm është edhe ambasadori serb, ambasadorja kineze. Pjesë e festës kanë qenë edhe shumë të ftuar të tjerë nga bota e medias, kulturës, biznesit etj.
Ndroqi: Nisim epokë të re
Në fjalën përpara të ftuarve, Presidenti Ylli Ndroqi falënderoi të gjithë ata që besuan në ëndrrën e tij. “As nuk e kisha menduar kurrë që do t’u shërbeja një ditë bashkëqytetarëve të vendit tim, por ja që ia dola për jo pak, por për një dekadë, t’i shërbej, t’i jap informacionin e duhur në kohën e duhur dhe sot festojmë një 10-vjetor të lumtur. Nga ky moment dhe në vazhdim, Radio Televizioni Ora News do të hyjë në një epokë të re. Përpara se të lançoj logon e re, do të doja të falënderoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen, në Shqipëri apo në Amerikë, në Australi apo Dubai, që më kanë motivuar që unë të investoj fuqishëm në këtë media, duke ditur që ky investim strategjik t’i shërbejë vetëm publikut shqiptar. Një falënderim të veçantë kam për të gjitha kompanitë që kanë sponsorizuar produktet e tyre në Radio Televizionin Ora News, që besuan në projektin tim”, -tha Ndroqi.
Logo e re
Një logo e re por me një filozofi edhe më bashkëkohore, një vizion i shoqëruar me investime kolosale. Kështu e ka prezantuar logon e re që tashmë Ora do të ketë, presidenti Ndroqi. “Ora. Çfarë është Ora? Një instrument që tregon, mban dhe koordinon kohën. Koha. Çfarë është Koha? Koha është Vazhdimësia e Ekzistencës dhe Ngjarjeve që ndodhin në mënyrë të vazhdueshme, nga e kaluara në të tashmen dhe në vazhdim tek e ardhmja. Perceptimi. Koha nga ne njerëzit perceptohet në formën më të thjeshtë; nga ekzistenca e Ditës dhe e Natës, Stinëve dhe Viteve. Ne jemi përpjekur dhe do vazhdojmë gjithmonë të sjellim te ju çdo ngjarje me profesionalizëm e me përgjegjësi. Ne jemi ORA, me logon e re”, thuhej në prezantimin e konceptimit të faqes së re të këtij televizioni.