Me Benin kemi nisur studimet në të njëjtën kohë, por na ka bashkuar gazeta “Studenti”.
Cikli i parë me poezitë e tij ishte mahnitës. Lirika, ku rima labe ndërthurej me kulturën e një njeriu të plotësuar, të fusnin dridhmat. E takova për ta uruar dhe që atëherë nuk u ndamë kurrë. Pastaj botoi disa tregime po aq poetike. Një prej tyre edhe te “Zëri i Rinisë”, ku Remzi Lani ma kujton ende titullin e tij. Me të më lidhi më shumë një histori problematike për një shkrim të tij.
Në fund të vitit 1987, Ramiz Alia kishte dhënë sinjale në një mbledhje të Sekretariatit, që studentët duhet të flisnin më lirshëm dhe në shtypin e tyre të jepnin mendime të hapura.
Neve na e përcollën hallkat e partisë në redaksinë e gazetës si orientim. Ia thashë këtë Benit.
Më pa me shumë mosbesim.
-E çfarë lejojnë të shkruash, tha, ka ndonjë kufi?
Nuk dija çfarë t’i thosha, por i dhashë zemër me papërgjegjësinë që më kap në këto raste.
Dhe ai solli një shkrim të gjatë rreth 8 faqe. Titulli ishte “A zhvillohet si duhet Marksizmi në Universitet”? Pak a shumë kritikonte stilin e pedagogëve të Filozofisë në Universitet, merrte dhe shembuj konkretë, pedagogë mediokër, dhe pastaj hidhte idenë e nevojës së ballafaqimit të marksizmit me linja të tjera të filozofisë. Ishte dhjetori i vitit 1987. Redaksia e gazetës “Studenti” po ndryshonte. Sokol Terihati kishte ikur në radio “Tirana”. I riu nuk kishte ardhur. Unë isha si “punëtor krahu” që më kishte ngelur në dorë gazeta dhe merresha me të edhe në shtypshkronjën te “Poligrafiku”. Shkrimi i Benit ishte cinik, i pamëshirshëm dhe mbi të gjitha politikisht jokorrekt. Kosta, që e kishte mbikëqyrur nga Komiteti i Rinisë, kishte hequr disa kryqe në krye të faqeve. Unë e mora gjymtyrëshqyer dhe e futa në sirtar. Në javën e parë të janarit 1988 në redaksi nuk kishte më këmbë njeriu. Të vjetrit kishin ikur, të rinjtë nuk po vinin më dhe unë mora shkrimin e Benit, e redaktova dhe vetë disi më shumë se Kosta dhe vendosa që ta botoj.
Kisha një shpresë të vakët se studentët nuk ishin kthyer dhe nuk do të lexohej aq shumë sa të bënte zhurmë. Por gjëma thuajse u bë. Të nesërmen Benin e sollën me rroba ushtarake nga Mamurrasi ku ishte në zbor. Ai do përballej me analizën e Komitetit të Partisë në katin e tretë te godina qendrore e Universitetit. Analiza zgjati nja dy orë. Bilës njëri zbuloi që Beni kishte ngrënë edhe pa radhë ne mensën e “Qytetit Studenti” duke thënë se jam gazetar i “Studentit”.
Pastaj vazhdoi mbledhja me ata të rektoratit derisa në orën 2 kur ishim pa ngrënë, duruam edhe Bashkimet Profesionale të prof. Dobrushës, te palestra e Universitetit. Këtij të fundit nuk i ikte e keqja nga titulli. Po bëhej serioze. Arbenin e paralajmëruan se mund të ikte edhe nga shkolla, ndërsa shefi i katedrës së filozofisë bëri një artikull te “Zëri i Popullit” në faqen 3 kundër këtij shkrimi. Por ndonjëherë e keqja vjen për mirë. Kjo që në fakt dukej fundi, ishte shpëtimi. Guro Zeneli, i cili për koincidencë iku nga jeta brenda 24 orëve me Benin, më takoi te Klubi i Lidhjes së Gazetarëve, poshtë gazetës “Bashkimi” dhe kërkoi të dinte çfarë kishte ndodhur. Bëra pak rolin e viktimës dhe i thashë se na kërkuan shkrime kritike në emër të direktivave të partisë dhe tani po masakrojnë një student.
-Djali i Ulos është ai, më tha?
-Po, i thashë, e njeh?
-Është mësuesi legjendar i Kurveleshit. Mos kij merak pasi do të merrem unë.
Dhe gjërat të nesërmen u mbyllën si me magji. Disa nga ata që ishin agresivë, filluan të flasin mirë. Një shfaqje tipike e kohës. Por Beni e përjetoi keq dhe për një kohë të gjatë nuk merrte më guximin të shkruante.
***
Dy vjet më parë kur Arbeni më tha se ishte diagnostikuar me tumor në mushkëri, për disa ditë nuk isha në gjendje të merrja një vendim se çfarë duhej bërë me të. Pas një vizite të dështuar në Turqi, onkologu i njohur Shahin Kadare na rekomandoi Institutin Kombëtar të Tumorit në Aviano. Do të udhëtonim të dy vetëm, ndërsa në mbrëmje Arbeni kishte dhe ditëlindjen. Ishte një ferr i vërtetë ajo se çfarë mund të flisnim. Që nga aeroporti e deri në hotel, thuajse nuk folëm, përveçse u grindëm se kush duhet të mbante çantat. Pastaj u sorollatëm nëpër qytezën e vogël të shikonim se si mund ta gjenim spitalin më lehtë nesër dhe përfunduam për darkë në një shtëpi birre. Aty mendoj se e kalova ngërçin.
-Duhet të flasim për vdekjen, i thashë. Por duhet të qeshim. Gara ishte kush të tregonte më shumë barsoleta për vdekjen. Dhe kështu bëmë. Garën e fitova, falë faktit që kam dëgjuar dhjetëra të tilla nga Filip Çakuli, dhe deri në mesnatë kemi qeshur pa fund. Improvizova një barsoletë sikur mjekja do na thoshte të nesërmen: Ju jeni me tumor dhe nuk kini shumë kohë. Zgjidhni çfarë duhet të bëni!
-A kam kohë të shkoj deri në Karaibe, do t’i thuash ti?
-Jo, do thotë ajo.
-Po deri në Spanjë?
-Jo.
-Po deri në Itali?
-Më vjen keq, do thotë ajo, unë di që ky shoku ka shtëpi në Golem, e ke dhe afër.
Qeshëm me lot.
Të nesërmen kishim vizitën. Doktoresha që na priste ishte po ashtu një leksion i ri për përballjen me vdekjen. Ajo e detyroi Arbenin t’ia përshkruante vetë sëmundjen e tij me qetësi. Ishte si t’ia nxirrje të keqen nga brenda me zor. Dhe ai i tregoi çfarë kishte dhe çfarë mendonte për të.
Mjekja dukej në pamje e ftohtë, e sigurt në ato që thoshte, por jo e pashpresë.
Pasi mbaroi gjithë ekzaminimet, ia tha qartë: Do të përdorësh një medikament të ri që është “nanoteknologji”, i cili eliminon qelizat kanceroze.
-Italia nuk e ka në protokoll shëndetësor, tha, duke vazhduar: Mund ta blini në Zvicër, ose mund ta porosisni nga ndonjë farmaci brenda Vatikanit. Çmimi ishte shokues dhe i papërballueshëm për çdo shqiptar. Por ne vazhduam të bëjmë humor dhe me çmimin. Unë e porosisja vazhdimisht të mos niste të lexonte romane të gjata, se mund të mos i mbaronte dhe të mos shikonte filma me seri, se do t’i ngelej merak po të mos e merrte vesh se si mbaronin. Ai bënte humor me mua që bëja si milioner, që kisha lekë për ilaçe. Falë Gentës që punonte në Ambasadën tonë në Romë, i porositëm ilaçet nga Vatikani dhe erdhën brenda javës. Pas një muaji rezultati ishte fantastik. Ai mund të lëvizte sërish, të shkonte në punë dhe të sillej si njeri normal. Kështu e shtyu për dy vjet, falë dhe një mrekullie që ndonjëherë ndodh edhe brenda sistemeve tona të shkatërruara të shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë arriti ta fusë këtë barnë në listën e importeve dhe atij nuk i mungoi asnjë ditë. Në verë situata iu komplikua dhe për disa muaj e shtyu duke marrë oksigjen ndërsa rrinte shtrirë. Në përpjekje për ta qetësuar se do të shërohej i shpika një fabul tjetër. I thashë “do rindërtojmë shtëpinë tënde në Nivicë dhe do të shkosh aty në pranverë. Aty mushkëritë bëhen nga e para prej ajrit të pastër”. I tregova dhe një legjendë që e kisha dëgjuar për dikë që ishte shëruar nga tumori, se kishte ndenjur tre muaj në Lufë, një stan malor mbi 2000 m. Dhe kështu bëra. I dërgoja çdo javë foto nga shtëpia që më në fund pati një çati të re.
Pllaka përkujtimore në murin e shtëpisë ishte një rast që të bëja sërish humor të zi me të.
-Shtëpia u bë, i thashë, dhe pllakën ta ruajta. Tani disa breza më vonë, njerëzit do kujtojnë se meqë quhet shtëpia e doktor Benit, do të marrin për mjek partizan.
Por një ditë më shkruajti: “Lajmet nga shtëpia kanë qenë të vetmet lajme të mira që më kanë mbajtur pak lart moralin këto kohë…”. Mendova se po ia dilja. Por pak më vonë pasoi një mesazh tjetër. “Unë nuk besoj se do të shkoj dot aty. E kemi lënë të mos bëjmë gjëra që zgjasin shumë”. Sot në mëngjes nuk u zgjua dot më. Vëllai i tij më tha se “nuk pranoi ta çonim në spital”.