Anëtarët e Komisionit të Jashtëm dhe përfaqësuesit e mediave, gazetarët dhe kameramanët janë përballur dje me një surprizë të pakëndshme nga ana e kryetares socialiste të komisionit, Arta Dade.
Asaj nuk i kanë rënë nervat e debatit të dy javëve më parë me një prej operatorëve të televizioneve dhe ashtu si një pjesë e vendeve të Europës që po përballen me valën e emigracionit, ka ngritur jo një murr, por një gardh.
Dhe kjo vetëm e vetëm për të ndaluar gazetarët dhe kameramanët që të kryejnë detyrën e tyre të ndjekjes së mbledhjeve të komisionit dhe pasqyrimit të tyre për publikun.
Dade nuk e ka kaluar kohën kot gjatë këtyre dy javëve, por është kujdesur që punonjësit e Kuvendit të ngrenë gardhin që do ta mbrojë atë nga mediat, përreth njërës anë të tryezës ku dhe mbahen mbledhjet.
Por nuk mjafton kjo, pasi mbledhjet e Komisionit të Jashtëm zhvillohen gjithashtu me një prani të shtuar të përfaqësuesve të Gardës së Republikës, të cilët asistojnë çdo mbledhje të këtij komisioni për të ruajtur “privatësinë” e deputetes Arta Dade.
Nuk dihet nëse këto masa që ka marrë Dade kanë qenë të konsultuara me drejtuesit e Kuvendit dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë veprimtarinë e Kuvendit dhe kujdesen kryesisht për transparencën, siç është edhe rasti i OSBE-së, por është fakt që një gardh i tillë është ngritur vetëm në këtë komision.
Ndaj këtij veprimi të Dades ka reaguar edhe opozita, e cila e cilësoi atë si një shaka plot kripë e “duçeve” të kohëve tona.
“Gardhi që iu vendos gazetarëve në Komisionin e Jashtëm, në fakt ka kohë që është ngritur ndaj medias dhe fjalës së lirë. Censura kryeministrore e tashmë ajo parlamentare kanë futur në ngërç televizione e gazeta. Dhënia e direktivave për emisione, editoriale e shkrime pangjirike për “suksese” imagjinare për vete, ose baltosëse për kundërshtarin, janë bërë pjesë e menysë së ditës që porositin Rama e Meta. Gardhi i sotëm duket si një shaka plot kripë, nga ato që “duçet” e kohëve tona i prodhojnë pa hesap”, – tha Bumçi.