“Qeveria Ponta ra, se premtoi mirëqenie, ndershmëri dhe transparencë, por rregulloi vetëm jetën e politikanëve, jo të rumunëve.”
“Shqipëria dhe Bjellorusia, të vetmet vende pa gazetari investigative”
Flet për Rudina Xhungën, njëri prej gazetarëve investigativë, më të njohur në Rumani, Paul Radu.
Sonte ne Dritare me Rudinen, gazetari Paul Radu, do te shpjegoje protestat ne Rumani dhe cfare e solli ndryshimin ne vendin qe ngjashem me Shqiperine, nuk protestonte kater vjet me pare. Pas krijimit te Agjencise kunder Korrupsionit, qe solli arrestim te shume politikaneve, perfshi dhe ish kryeministrin, Nastase, rumunet nisen te besojne se mund t’i cojne ne burg, gjithe politikanet qe i vjedhin, ose te pakten t’i perzene nga qeveria, sic ndodhi kete muaj me kryeministrin e majte, Viktor Ponta, qe dha doreheqjen megjithe qeverine e tij, pas nje aksidenti me 32 te vdekur.
Rudina Xhunga: Shqipëria është një vend që nuk proteston, përveçse në protesta të organizuara nga partitë politike. Po Rumania?
Paul Radu: Të paktën deri para disa viteve, protestat ishin politike dhe organizoheshin nga partitë politike e sindikatat. Kjo situatë ndryshoi pas vitit 2011-2012. Tani protestat nuk organizohen më nga partitë politike, por nga populli.
Çfarë ndodhi në 30 tetor në Bukuresht, pas zjarrit që mori 32 jetë?
Ngjarja shpërtheu nga zjarri i ndezur në një klub nate në Bukuresht, por kjo ngjarje ishte vetëm shkëndija e diçkaje që pritej të ndodhte, sepse ka kaq shumë korrupsion në vend dhe më në fund njerëzit e kuptuan që korrupsioni vret. Korrupsioni nuk është një nocion abstrakt, por diçka e prekshme, e dhimbshme, prandaj njerëzit filluan të dalin nëpër rrugë, duke protestuar zëshëm.
Kush po proteston tani dhe kundër kujt?
Nëse del në rrugë tani sheh njerëz të ndryshëm që protestojnë. Shumica janë të rinj, por ka një miks të niveleve të ndryshme edukimi, me bindje të ndryshme politike. Shumica protestojnë kundër korrupsionit, për shkak se shohin lidhjet midis korrupsionit dhe faktit që ata të rinj u vranë në një klub popullor. Pra, korrupsioni të merr jetën. Përveç kësaj, ka grupe të tjera të vogla protestuesish, si për shembull klube futbolli, të cilët edhe ata protestojnë kundër korrupsionit. Por më pas, ashtu siç ndodh në rastet kur ka një protestë të madhe, gjen edhe njerëz të cilët nuk e dinë se çfarë duan, ose njerëz të cilët duan të nxisin nacionalizmin pra, është një turmë shumë eklektike.
Si erdhi dorëheqja e kryeministrit Ponta dhe gjithë qeverisë?
Ky Kryeministër duhej larguar prej kohësh, qyshkur u vërtetua që kishte falsifikuar doktoraturën e tij. Më pas ai bleu disa apartamente në mënyrë shumë të çuditshme dhe njerëzit afër tij, nisën të marrin kontrata të majme nga qeveria. Ngjarja tragjike në klubin e natës i bashkoi njerëzit, pasi ata ishin të tejngopur me atë që po ndodhte. Rumunët u bindën se premtimi i qeverisë për ndershmëri, transparencë, mirëqenie, ishin thjesht deklarata politike, sepse korrupsioni rridhte lumë. Qeveria që sapo u shkarkua, përbëhej nga social-demokratët, por nëse sheh përtej skenës politike, shikon që të gjithë janë me të gjithë. Pra, nuk ka rëndësi nëse je liberal, social-demokrat apo fraksion tjetër. Nëse analizon bizneset e tyre, shikon që kanë marrëdhënie përfitimi me njëri-tjetrin, ndajnë paratë bashkë dhe nuk duan t’ia dinë të qeverisin, por vetëm të bëjnë para. Qeveria rregulloi jetën e politikanëve, por jo të rumunëve. Prandaj Rumania është një nga vendet me rrugët më të këqija në Evropë. Sigurisht, tragjedia që ndodhi në këtë klub nate, bëri që njerëzit të shikojnë që zjarri në fakt ishte rezultat i ryshfeteve të paguara për të marrë leje, sepse shumica e bizneseve në Rumani nuk kalojnë në prodecurat e detyrueshme për të hapur një biznes në mënyrë të pastër, por paguajnë ryshfet. Kjo gjë ka vazhduar prej vitesh, por njerëzit po e kuptojnë tani që në fakt kjo gjë po i shkatërron. Rumania duhej të kishte një qendër në spitalin qendror që do të ishte në gjendje të trajtonte plagë të tilla si ato të zjarrit. Kjo qendër kushtoi miliona euro, por nuk funksionon, sepse kontrata iu dha një kompanie që është e lidhur me bashkiakun e Bukureshtit, i cili tani ndodhet në burg, për një tjetër çështje. Gjithashtu, doktorët kryesorë ishin të lidhur me këtë kompani. Pra, ishte një zinxhir korrupsioni që çoi në situata të tilla si zjarri në klubin e natës. Për shkak të gjithë këtyre pakënaqësive, njerëzit kanë dalë në protesta duke kërkuar që të dorëhiqen të gjithë, që të reformohet klasa politike ne vend.
Po protesta ndaj medies ku konsiston? Pse protestohet ndaj medies dhe politikës bashkë?
Sepse media është shumë e lidhur me politikën, prandaj edhe njerëzit protestojnë kundër medies. Shumica e televizioneve në Rumani janë të lidhura me politikën ose me njerëz të përfshirë në krimin e organizuar. Në fakt, në projektet tona të fundit për raportimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe projekti për zotëruesit e medieve, pamë se kush janë zotëruesit e medieve, jo vetëm në Rumani, por në të gjithë rajonin dhe gjetëm situata të ngjashme ku politikanët janë të përfshirë në kompani që zotërojnë medien, televizionet, medien e shkruar apo atë online. Pra, shikon që media zotërohet nga biznesmenë të cilët janë gjithashtu politikanë, ose që janë të afërt me qeverinë, që janë të afërt me cilëndo qeveri sepse për ta nuk ka rëndësi kush është në pushtet. Ishte kjo lidhje mes medies dhe politikës që i zhgënjeu njerëzit me medien sepse media nuk po përcillte informacione në interes të publikut, por për interesat dhe nevojat e pronarëve të medieve, të cilëve nuk u intereson shërbimi publik.
Rumania është një vend që çoi së fundmi 4 vjet në burg ish kryeministrin Nastase se kishte marrë 630 mijë euro materiale ndërtimi nga një sipërmarrëse ndërtimi, të cilën më pas e shpërbleu me post publik, kur ishte kryeministër, për të ndërtuar vilën e tij. A e dini sa qesharake duket kjo akuzë për shqiptarët?
Nuk ishte vetëm vila që e çoi Nastasen në burg, por edhe fakti se ai ka marrë para nën dorë. Ai pranoi para, në mënyrë të fshehtë, për fushatën e tij elektorale. Pra, ka shumë çështje në gjyq që përfshijnë ish Kryeministrin sepse ai i kishte zhytur duart në shumë pisllëqe dhe ishte politikani më i korruptuar që Rumania ka pasur ndonjëherë. Z. Ponta, i cili sapo humbi detyrën e tij si Kryeministër, u përfshi në çështjen e falsifikimit, ku kopjoi doktoraturën e tij dhe më pas u zbulua që kjo ishte teza e doktoraturës së Adrian Nastase, kryeministri që shkoi në burg.
Katër vite më parë do të thosha, kështu ndodh edhe në Rumani. Ishte qesharake të ankoheshe për gjëra të tilla, por ja që ndryshoi.
Ju drejtoni një rrjet investigativ gazetarësh? Çfarë mund të bëjnë gazetarët, ne gazetarët në Shqipëri? A e rrëzojmë, apo kontrollojmë dot ne sistemin e korruptuar?
Nuk bëhet fjalë për të kontrolluar apo ndryshuar gjërat, por për të kontribuar dhe gazetarët investigativë mund të kontribuojnë shumë për të ekspozuar korrupsionin dhe më pas është në dorën e njerëzve për të reaguar apo jo ndaj saj, dhe është në dorë të organeve publike për të filluar investigimet e tyre. Drejtoria Kombëtare e Antikorrupsionit, (DNA) në Rumani, është shumë aktive dhe ka futur shumë politikanë në burg këto vitet e fundit. Kjo është shumë ndryshe nga përpara dhe gazetarët kanë ndihmuar në këto çështje duke ekspozua njerëzit e politikës që ishin të korruptuar. Kjo është e rëndësishme, duhet të vazhdosh të bësh atë që di të bësh, të ekspozosh korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta lësh opinionin publik të gjykojë vetë.
Unë drejtoj një rrjet investigativ me projekte për korrupsionin dhe krimin e organizuar, e cila mbulon Evropën Lindore ashtu si edhe Evropën Qendrore. Ne po punojmë me gazetarë në Shqipëri, më parë kemi punuar për disa ngjarje, por është gjithmonë e vështirë të gjesh gazetarë investigativë në vendin tuaj dhe nuk e kuptoj pse ndodh kjo. Kam përshtypjen se ka të bëjë me personat që zotërojnë mediet. Në Ballkan dhe përtej Ballkanit, në vendet e ish Bashkimit Sovjetik, është më e lehtë të gjesh gazetarë investigativë, me përjashtim të Bjellorusisë, ku është shumë e vështirë.
Besoj që është shumë e rëndësishme që gazetarët shqiptarë të grupohen në grupe të pavarura, në qendra për raportim investigativ, OJQ që kanë mundësi të bëjnë punë investigative, për të punuar jashtë rrymës së medies, jashtë sistemit. Besoj që kjo është shumë e rëndësishme sepse është mënyra e vetme për të qenë i pavarur dhe për të mbuluar ngjarje që nuk mbulohen sot nga media bazë. Kjo është e para. E dyta, nëse vendos struktura të tilla, është mirë të bashkëpunosh përtej kufirit me gazetarë nga vende të tjera, me gazetarë fqinjë ose gazetarë të kontinenteve të tjera, sepse krimi i organizuar dhe korrupsioni është ndërkombëtar, politikanët shqiptarë nuk do t’i derdhin paratë e vjedhura në Shqipëri, por i fshehin në vende të tjera, prandaj është e nevojshme të bashkëpunosh përtej kufirit për të ekspozuar politikanët e korruptuar të vendit tënd.
Marrë nga “Dritare nga Rudina Xhunga”