Rikthimi i saj në ekran pas një mungese të gjatë u fol gjatë në median e shkruar. Pasi njoftoi vetë publikun për projektin e ri televiziv “Për Ju”, aventura e re e Aida Shtinos do të zgjaste shumë pak, vetëm një puntatë.
Puntata e parë e formatit të ri “Për Ju”, i ideuar nga vetë Shtino, u transmetua në ekranin e “Ora News” në datën 11 dhjetor, në prime time.
I ftuar i emisionit të parë ishte balerini shqiptar që jeton në Amerikë, Tony Dovolani, që do të ishte edhe i ftuari i parë dhe i fundit i emisionit të Aida Shtinos në programin e saj të ri.
Ditën kur do të transmetohej puntata e dytë, vetë Aida Shtino ka njoftuar publikun e saj se emisioni nuk do të transmetohej, për arsye të panjohura.
“Publiku im i nderuar, ju kërkoj ndjesë. Për arsye të pashpjegueshme, emisioni ‘Për Ju’ nuk do të transmetohet sonte. Do t’ju njoftojmë se kur do të rifillojë transmetimi. Ju falënderoj për mirëkuptimin!”,- është shprehur moderatorja.
Me po të njëjtën habi, Aida është përgjigjur edhe për “Bluetooth”. “Të them të drejtën, nuk e di përse nuk u dha puntata e dytë; edhe mua vetë më njoftuan vetëm 10 minuta përpara se të niste emisioni. ‘Për Ju’ nuk është mbyllur; së shpejti do të nisë transmetimin në një tjetër televizion”, – ka shpjeguar moderatorja./GSh/