Pas incidentit me gazetarin Eni Shehu, i cili pretendon se është goditur nga drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, edhe pse nuk jep shkak, shoqatat e gazetarëve kanë reaguar me një deklaratë. Deklarata është firmosur edhe nga shoqata që drejtohet nga Aleksandër Çipa dhe ajo e Ylli Rakipit.
Ato kërkojnë shkarkimin e Hervin Çulit.
“Lidhja e Gazetareve të Shqipërisë Unioni i Gazetarëve Shoqata e Mediave Elektronike Shoqata e Gazetarëve Profesionistë Katër organizatat më të mëdha të gazetarëve në vend protestojmë sot ndaj qëndrimit të ministrisë së Kulturës ndaj skandalit të datës 15 janar 2016, ku drejtori i Teatrit Kombëtar ofendoi dhe dhunoi fizikisht, gazetarin Eni Shehu.
Ndonëse kanë kaluar tre ditë, ministria e Kulturës nuk ka bërë asnjë përpjekje për të analizuar këtë ngjarje të rëndë, madje në një sfidë të hapur me lirinë e medias, deklaroi se mbështet qëndrimin e Teatrit Kombëtar. I kujtojmë ministres Kumbaro, se qëndrimi i Teatrit është ai i Hervin Çulit, që bën njëkohësisht edhe drejtorin edhe regjisorin, duke ndikuar kështu tek deklaratat e punonjësve që kanë kontrata të lidhura me të. Ne e konsiderojmë të patolerueshme dhunën ndaj gazetarëve, aq më tepër kur ajo ushtrohet nga individë me funksione publike dhe që paguhen nga taksat e qytetarëve.
Për këtë arsye i kërkojmë ministres së Kulturës shkarkimin e menjëhershëm të drejtorit të Teatrit Kombëtar, si shenjë reflektimi ndaj një akti ta papranueshëm për një shoqëri të civilizuar. Nëse ministria nuk do të reagojë përsëri dhe do të përpiqet të justifikojë aktin e shëmtuar, ne paralajmërojmë përshkallëzim të protestës tonë, duke u kërkuar mediave të refuzojnë pasqyrimin e çdo aktiviteti të ministrisë së Kulturës. Deklarojmë me përgjegjësi se në këtë hap të ardhshëm kemi mbështetjen e pjesës dërrmuese të mediave dhe kolegëve gazetarë si dhe të organizatave homologe ndërkombëtare që kanë marrë dijeni dhe kanë reaguar për këtë rast.
Ylli Rakipi
Aleksandër Çipa
Aleksandër Frangaj
Armand Shkullaku” , thuhet në deklaratën e tyre.