Fatos Lubonja ka bërë një shkrim tek Panorama, për një pallat që do të ndërtohet përballë Fakultetit Ekonomik.
Mes të tjerave, ai akuzon edhe mediat përse nuk e kanë publikuar këtë lajm. Lubonja përmend me emër Andi Bushatin dhe Veton Surroin, të cilët, sipas Lubonjës, bënë zhurmë të madhe për ndërtimin e Aleksandër Frangajt tek “Laguna Blu”.
Andi Bushati i është përgjigjur Lubonjës në një prononcim për TemA. Ai thotë se është kundër çdo ndërtimi. “Fatos Lubonja më përmendte sot në një shkrim të tij tek Panorama duke ngritur pyetjen: Pse nuk flet Bushati që foli për “Laguna Blu”, për një ndërtim që po ngrihet tek parku kombëtar, duke lënë shijen se jam selektiv në reagimet e mia ndaj mëkateve të pushtetit me biznesin. Dua ta them që në fillim, jam kundër, kundër, kundër atij ndërtimi, çdo ndërtimi në park, madje dhe çdo lejeje në zonën brenda Unazës së Madhe të kryeqytetit. Kam këmbëngulur dhe insistuar për këtë në fushatë sa herë jam përballur me Erion Veliajn, kam insistuar disa herë për t’i marrë atij premtimin, “se nuk do të keni asnjë firmën time për leje në këtë zonë” pa e ditur se këta në pushtet janë aq perversë sa nxjerrin Erionin në fushatë të bëjë premtime dhe më pas del në skenë maska i pangopur Edi Rama, që shpërndan pallate mbi 7 kate për pronarët e mediave. Por duke theksuar se jam kundër atij ndërtimi më shumë më shqetëson pyetja që më bën Lubonja (në fakt vetëm ai, se nga dikush tjetër nuk do ta çaja kokën), sepse ajo hedh një hije dyshimi mbi punën time si gazetar. Sepse ajo nënkuptonte hipotezën sipas së cilës Bushati për disa të këqia flet dhe për disa të tjera i mbyllin gojën. Këtë dua të sqaroj. Duke e ditur se në këtë vend të këqiat dhe krimet rriten me progression më të madh sesa mundësia jonë për t’u informuar, hulumtuar dhe reaguar për to, kam pasur një parim: ti ndaj kolegët në dy grupe në ata që ndjekin bindjen e tyre dhe në ata që shiten dhe blihen”.