Analisti Andi Bushati, në një editorial të botuar sot në portalin e tij, ka mbajtur një qëndrim në favor të deputetit socialist Ben Blushi, i cili lëshoi akuza të forta sot nga selia e PS-së, lidhur me faktin se në këtë parti nuk bëhen zgjedhjet për kryetar që prej 2009-s.
Më vonë, Taulant Balla, reagoi dhe bëri të ditur se data kur do të mblidhet kongresi socialist do të jetë 19 marsi.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi Bushatin që të argumentojëe përse, sipas tij, Blushi ka të drejtë.
Ja çfarë shkruan Bushati:
“Pa dyshim brenda këmbënguljes së Blushit ka ambicie personale. Pa dyshim që ka një mllef për mënyrën se si Rama po qeveris vendin me njerëz të paaftë dhe të korruptuar. Pa tjetër ka qefmbetje për humbjen e vlerave të meritokracisë brenda një familjeje politike të përbashkët.
Nga ana tjetër dhe ata që thonë se zgjedhjet janë një formalitet, ndonëse nuk kanë respekt për demokracinë, e dinë se në realitet askush nuk mund ta rrëzonte Edi Ramën sot brenda PS-së. Për sa kohë ai hudhëheq qeverinë, për sa kohë ka centralizuar vendimmarrjen, ka rekrutuar të gjitha pikat kyçe dhe e ka vënë veten në rolin e shpërndërësit të bamirësive të pushtetit, ai është i pa mundshëm në çdo forum socialst.
Po atëhere pse Blushi ka sërisht të drejtë?
Ka në fakt më shumë se një arsye për këtë…
Blushi ka të drejtë sepse kërkesa e tij është legjitime dhe qoftë edhe për formalitet, askush në një parti demokratike nuk ka tagrin të anullojë garën. Vetëm nga meraku se kundërshtari i tij do dali njësoj në media, se ai do të artikulojë kritika nga tribuna me stemën e PS-së, se ai do të këtë mundësinë të afishojë të gjithë zërat kundër kryetarit aktual, se ai do të shkaktojë zallamahi mediatike, Edi Rama nuk mund të ndalojë konkurimin.
Blushi ka gjithashtu të drejtë, sepse pavarësisht nga interesat të cilat e shtyjnë, ai po e ngre zërin në emër të thirrjes së fundit për një PS demokratike. Të gjithë e dinë se pas largimit të Fatos Nanos, Rama u zgjodh herën e parë në mënyrë të çalë (Në 2005 kur i ra platforma por fitoi karrigen) dhe herën e dytë në mënyrë hipokrite dhe qesharake (Pasi humbi zgjedhjet e 2009, nuk pranoi të jepte dorëheqjen siç qe shkruar në statut dhe zgjodhi një kandidat fallco që ti bëntë konkurencë, të cilin e merrte ne makinë më vete për të bërë garë). Pra një përçudnim i tretë do të qe fundi i një partie socialiste të hapur.
Blushi ka të drejtë edhe sepse një farë mënyre ai mund ti shpëtojë faqen PS. Nëse këmbëngul tek gara dhe nëse provon të konkurojë vetë, ai jep mesazhin se jo të gjithë socialistët duhen identifikuar me Ramën dhe me qeverisjen e tij të dështuar dhe kleptokrate.
Një skenar i tillë do të qe vazhdim i trashigimisë më të mirë të Nanos, i cili pas largimit të vet nuk e la PS tokë të djegur ashtu siç ka vepruar Berisha me PD-në”.