Pas kafshimeve të herëpasherëshme që i janë bërë Parkut të Liqenit Artificial, vjen edhe ndërhyrja e fundit në zemër të tij. Ish hapësira e pyllëzuar që ishte mushkëria e Tiranës ku qytetarët e saj mund të praktikonin një lloj safari, është bërë pre e abuzimeve në periudhën postdiktaturë. Gjithë administratat që kanë ardhur pasi Komiteti Egzekutiv u quajt bashki, kanë pjesën e tyre të fajit. Asnjëra nuk ka zhvilluar hapësirat e gjelbëra, përkundrazi i ka zvogëluar ato. Nuk bën përjashtim as administrata e Erjon Veliajt, e cila po ndërhyn në trekëndëshin e fundit të mbetur të paprekur.
Me heqjen e moratoriumit për ndërtimet, është frika e një ekspansioni tjetër të ndërtuesve shqiptarë ndaj hapësirave jetike për qytetin. Premtimet se do të kemi një park të ri në Vaqar, apo se sipërfaqa e gjelbëruar në bulevardin e ri do të jetë gjashtë herë më e madh se kjo që ka Tirana egzistuese, është një lloj anesteziku ndërkohë që me projektin e “integrimit të hyrjes së parkut të liqenit”, frikësojnë se ditët e gjelbërta për Tiranën kanë marrë fund.
Gjithashtu, mungesa e miratimit të njollave të cilat mund të përdoren nga privatët për ndërtimin e shtëpive jashtë qytetit tashmë të aksfiksuar nga ndërtimet, mungesa e legjislacionit se ku dhe si mund të ndërtohet nga qytetarët privatë, është tregues i situatës monopol të krijuar nga karteli i ndërtuesve me politikën, i cili detyron të gjithë paranë e njerëzve të thjeshtë ose të strehoen në qendrën e qytetit ose në fshatrat të ndërtuara nga ndërtuesit e lidhur me qeverinë në periferi të Tiranës. Jo rastësisht ata që kanë ndërtuar vendbanimet me vila rreth Tiranës, janë edhe njerëzit më të afërt të gjithë qeverive./dritare.net