Pas lajmit të djeshëm, se Joleza Koka nuk do të rikandidojë për kreun e FRESSH, por do të qëndrojë në drejtim deri në zgjedhjen e kreut të ri të këtij forumi, kryeministri Rama ka sqaruar se “…nuk e ka larguar askush nga drejtimi i FRESSH-it dhe nëse do të kandidojë apo nuk do të kandidojë më, kur të vijë dita e zgjedhjeve të reja, është puna e saj dhe e askujt tjetër!”.
Rama me anë të një statusi në FB, kërkonte ndalimin e sulmeve për një fjalimin ndaj 25-vjeçares që edhe sipas tij, s’ishte i lavdërueshëm.
“Ndërkohë që s’ju bëjnë asnjë përshtypje fjalime të tëra parlamentare ose partiake, të cilat përbëjnë kërcënim real për rendin logjik dhe gjuhësor të shoqërisë sonë!” vijonte kryeministri.
Ai shkruante se “Joleza është një vajzë e shkëlqyer që ka bërë një punë aspak të lehtë dhe me jo pak rezultate pozitive në drejtimin e FRESSH-it”
Dje, deri në mbrëmje, mediat lajmëruan se ka qenë vetë Rama që ka udhëzuar moskandidimin e Jolezës në pranverë.
Kryeministri Edi Rama, ka kërkuar riorganizimin e këtij forumi, pasi ka shprehur pakënaqësi për rolin e deritanishëm.
Koka kandidoi për postin e kreut të FRESSH, në zgjedhjet e 2012-ës, por gara u fitua nga Elisa Spiropali dhe ajo u rendit e dyta.
Me zgjedhjen e Spiropalit në krye të doganave, pas ardhjes në pushtet të së majtës, Joleza Koka mori drejtimin e Forumit Rinor Socialist.
Ndërkohë kryetarët e FRPD-së, LRI-së dhe forumit rinor të AK-së u mblodhën në emisionin “Natë me Xhaxhiun”.
Në tavolinën e emisionit të tij në News24 u vu re mungesa e kryetares së FRESSH, Joleza Koka.
Sipas kolegëve të saj, drejtuesja e të rinjve socialistë u detyrua të anulojë në momentet e fundit.
Mungesën e Jolezës në panel, gazetari Flavio Qarri, kryetari i të rinjve të AK, e komentoi në Facebook.
“Nuk lamë shtëpi ministri pa e kërkuar”, shkruan ai.