Quantcast
Channel: Media – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670

Muç Nano, ateisti që beson te bashkëjetesa fetare

$
0
0

muc nanoPublicisti Mustafa Nano, mes studimeve të feve dhe vlerave që solli harmonia dhe toleranca fetare. Qëndrimet e tij për ekstremizmin dhe mendimi se Europa sado që të tentojë të marrë “shembullin” e Shqipërisë, nuk mund ta përhapë tolerancën fetare. Këndvështrimi i Nanos si mund të ruhet tradita dhe çfarë konsideron si rrezik që mund të prishë harmoninë mes feve.  

Nga Sebi Alla

Nëse do ishte në një kohë tjetër, ateizmi i tij mund t’i kushtonte shumë. Liria e mendimi që shpreh do e “kryqëzonin” Mustafa Nanon si një njeri të dalë nga udha e Zotit, por sërish vijon të ndjekë besimin personal, atë që vlerat demokratike, të lirisë së të drejtave të njeriut dhe ndërgjegjja kombëtare, janë më të vyera se çdo doktrinë fetare. Jo pa arsye, Nano gjendet mes atyre personazheve që nuk mbetet besimtar i një feje, as shumë të tyre të mbledhura bashkë, por ithtar në vlerat që ka harmonia ndërfetare në Shqipëri. Sado kontradiktore të ngjajë, që një “ateist” studion aq thellë fenë e besimin, përsëri e ka një shpjegim. “Ne duhet të ruajmë fort traditën e bashkëjetesës fetare. Jemi një komb shumëbesimësh dhe shqiptarët janë mësuar ta pranojnë tjetrin si të ndryshëm në fenë e tij” -thotë Nano. Ky konstatim me baza të qëndrueshme, ka shkëndija të lëkundjes në ditët e sotme, kur ekstremizmat po tentojnë të gërvishtin sadopak atë mur të madh të harmonisë fetare të ngritur ndër shekuj. Shpesh në disa referate të mbajtura jashtë vendit, i është bërë pyetja nëse këtë model shqiptar të harmonisë e bashkëjetesës fetare mund ta marrë edhe Europa, Nano ka një përgjigje të prerë, kur shprehet se është gati e pamundur. “Modeli Shqiptar i bashkëjetesës fetare nuk mund të përthithet në vendet e tjera, qofshin edhe ato të zhvilluara. Një nga arsyet është se ne kemi traditë të hershme të bashkëjetesës fetare, që fillon shumë kohë më parë” -argumenton ai. Për të bashkëjetuar në harmoni fetare më shumë se divizë e nevojë momenti, kërkon përgatitje shpirtërore dhe një periudhë kohe të bashkëjetesës nën një “çati” kombëtare, e më pas edhe fetare. Duket që për momentin Europa nuk i ka, pasi aktualisht ekziston reagimi i qytetarëve Europianë, që myslimanët, shpesh edhe pa arsyetim të qëndrueshëm, i barazojnë me terroristë. Në këtë pikë, Nano këmbëngul se vetë myslimanët duhet të tregojnë se janë të gatshëm të dënojnë ekstremizmin. “Ndodhi sulmi terrorist në revistën satirike ‘Charlie Hebdo’ dhe prisja e do të doja shumë që të kishte një manifestim dinjitoz të besimtarëve myslimanë që do e dënonin aktin terrorist, por kjo nuk ngjau. Nuk nënkupton automatikisht se myslimanët kanë justifikuar sulmet, por gjithsesi duhet të reagonin” -shton ai. Duke u kthyer në përditshmërinë tonë, mes përçarjeve politike, çarjeve qytetare, varfërisë dhe mungesës së shpresës, përsëri kemi një civilizim përsa i përket tolerancës fetare. Mund të mos tolerojmë as “gjelin” e fqinjit që këndon krenueshëm apo prek bahçen tonë, por kur vjen puna në ndarjen për shkak të besimit të kundërt, kjo nuk ndodh. Nëse sot kemi me çfarë të vlerësohemi, përsa i përket tolerancës fetare, studiuesi Nano sheh si një shqetësim qoftë edhe të vogël afishimin e besimit nga një kategori qytetarësh. Është më shumë me idenë që besimi mbetet diçka e brendshme krejt shpirtërore dhe si e tillë të mbahet nga individi, por jo duke e shpërfaqur. Këtu i referohet edhe qëndrimit të tij që nuk është pro që femra të mbulohet me shami, apo burkë. “Nuk kam asgjë kundër tyre, por në këndvështrimin tim, më ngjan si një nënshtrim i gruas, kjo është ajo që nuk më pëlqen” -thotë ai. E sado debat të hapë kjo ide, këmbëngul se demonstrimi për të treguar besimin vetëm shëndet nuk ka, pasi nuk pranon edhe kundërpërgjigjet me kryqe të stërmëdha mbi maja malesh. Me censusin më të fundit llogaritet rreth 55 për qind e shqiptarëve të regjistruar që deklaruan se janë të besimit mysliman. “Mendoj se janë regjistruar thjesht nga tradita dhe jo për shkak të ndjeshmërisë” -pohon Nano, duke kthyer edhe sytë nga vetja, kur jep kuptimin edhe emrit Mustafa, tipik për fenë islame, por që gjithsesi vetë ai nuk e praktikon, sikurse nuk do të donte të ishte edhe në traditë i ndonjë besimi tjetër, pasi për të e rëndësishme mbetet ndjesia kombëtare. “Një nga arsyet që kemi bashkëjetesë fetare është se myslimanë e të krishterë kanë si bazë kryesore identitetin kombëtar, pasi nga pasionet e forta fetare ka vetëm dëme” -këmbëngul shpesh në komunikimin e tij me studentët e UET, Mustafa Nano.

Çështja tjetër është dhe dëshira fort e vjetër, gati çerek shekullore e jona për të qenë pjesë e Europës, por për të shkuar deri atje, duhet të trokasim me vlera qytetare e tolerance dhe jo me ndarje religjioze. Për Nanon, Europa është treguar e hapur kur ka pranuar në emër të lirisë dhe të drejtave të njeriut persona të besimit mysliman, që vijnë jo vetëm nga vende të luftës, por më parë kanë gjetur mundësitë të shkojnë në Europë edhe për shkak të disa vlerave humane që lidhen me liritë dhe të drejtat e njeriut, mendimin e lirë dhe benefite të tjera që i ofron vetëm një shtet me demokraci të zhvilluara. “Ata duhet t’u bashkohen disa rregullave të Europës pritëse dhe jo të imponojnë kulturën e tyre fetare”. Këtë e sheh si problem aktual dhe përderisa jetojmë në një botë globale, ku kufijtë e muret ndarëse të kulturës kanë rënë me kohën, jo pak çudi u bëjnë të huajve fakti që në Shqipëri ka kaq shumë besime fetare dhe në asnjë rast të njohur nuk ka pasur përplasje, përkundrazi, kemi një harmoni të admirueshme mes besimeve të ndryshme. Jo shumë larg në kohë, Nano ishte i ftuar në Frankfurt në një diskutim në lidhje me bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si një vlerë që na e kanë lënë paraardhësit në traditë, që i ngjan një peme të shëndetshme, që më shumë se ta ushqejmë, ta lëmë vetëm të rritet e qetë. Mban një qëndrim të tijin se Europa nuk mund të ketë kurrsesi një harmoni fetare ashtu si Shqipëria. Kjo edhe për shkak të mungesës së traditës në bashkëjetesën fetare. Nëse sot është kapërcyer disi përjashtimi racor, ai fetar, ndonëse herë i ndezur e herë me kamuflim modern, mund ta njohë tjetrin me fe të ndryshme, por e ka të vështirë të bashkëjetojë me të. Publicisti Nano lë të nënkuptuar se më mirë të quhet një i “pafe” sot, sesa një njeri i devotshëm nesër, që nën keqpërdorimin e besimit, mund të bëhemi përjashtues për tjetrin. Ai nuk “provokon” vetishëm nga ato që shkruan, por edhe për çka artikulon. “Do isha pro që strukturat shtetërore të krijonin disa favore për çiftet e reja që nuk janë të të njëjtit besim. E shoh si formë për të ruajtur traditën, ku mund të merrnin edhe bonuse në të mira materiale” -shton Nano. Pikërisht martesat të personave me besime të ndryshme ka bërë që të mos ndihet ndarja fetare, por më shumë t’i jepet rëndësi personit sesa përkatësisë në besim. “Harmonia midis feve është një pasuri e madhe kombëtare, është një motiv mburrjeje për shqiptarët. Nga ana tjetër, nuk jam dakord me ata që thonë që prania e shumë feve është pasuri. Pasuri nuk është prania e shumë feve, pasuri dhe thesar është harmonia mes tyre” -argumenton Nano. Por sikurse kemi më çfarë të vlerësohemi, mburrja e tepërt nuk duhet të na errësojë sytë përpara disa zhvillimeve, të cilat gjithsesi e kanë dhënë një shkëndijë. Pikërisht ekstremizmi në rritje, që nuk është fenomen shqiptar, por global, e gjithsesi ka bërë që një numër i vogël i qytetarëve tanë të jenë pjesë e organizatës terroriste ISIS. “Nuk mendoj se ka një rrezik real, është një numër i papërfillshëm dhe persona të tillë me prirje ekstremiste, nuk mund të gjejnë terren në vendin tonë, kjo edhe për shkak të harmonisë fetare”. Është kapërcyer ai prag i të parit tjetri ndryshe, sidomos në kohën kur bëhej fjalë për krijimin e shtetit, ku ideali kombëtar kaloi mbi atë fetar, kjo edhe me iniciativën e shumë klerikëve patriotë, që nxitën sensin e bashkëpunimit dhe jo të ndarjes. “Problemet mes feve, sado paradoksale mund të duket, lindën tok me idenë për një Shqipëri të pavarur. Deri në atë moment, gjithçka ishte në rregulla. Nuk kishin se për çfarë të haheshin brenda asaj që pak më sipër e quajta pax ottomana. Sherret do t’ua sillte identiteti befas i rikuperuar i shqiptarit. E prandaj, sa më shumë po ndiheshin apo u duhej të ndiheshin shqiptarë, aq më shumë provonin o për një nevojë afirmimi, o për vetëmbrojte, të motivoheshin në mënyrë fetare. Përveç kësaj, vetë Perandoria Osmane, sa kohë mbahej fort, nuk ish as e interesuar dhe as e prirur të nxiste sherre fetare. Ndërsa fuqitë e tjera të mëdha, për sa kohë që Porta e Lartë nuk tregonte shenja dobësie, nuk kishin as ngutin, as mundësinë që të trazonin ujërat. Dhe është pikërisht në momentin që perandoria po binte, që të gjithë, shqiptarët myslimanë e të krishterë, fuqitë e mëdha të Europës, otomanët, u vunë në lëvizje për të shpikur, promovuar apo mbrojtur interesa të tyre. Dhe qëllonte shpesh që interesi i tyre ishin sherret fetare mes shqiptarësh”. Kjo është një pjesë nga qëndrimi i Nanos në librin e tij fort të debatuar dhe mjaft interesant “Pax Albanica”. Kemi një shtyllë kurrizore dhe ajo më shumë i përket traditës, riteve tona, problematikës, ndarjes së gëzimeve e hidhërimeve, që në fund përmblidhen me një komunitet që ka ditur të vlerësojë tjetrin kur binte fjala për besimin. Kjo është “markë” kombëtare që në ditët e sotme ka marrë vlera të mëdha, sidomos kur bie fjala për ndarje të theksuar mes kulturave të besimit. Jo në konceptin teologjik por atë praktik, ku edhe në botën e qytetëruar të bëjnë dalje vetëm pse mund t’i përkasësh një besimi tjetër. “Ne duhet të bëjmë çmos që harmoninë mes feve ta shndërrojmë në një normë qytetare, jo vetëm në Tiranë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën shqiptare. Toleranca fetare duhet të jetë një normë qytetare, dhe secili prej nesh duhet ta ketë në qendër të vëmendjes. Ky komb është ngritur mbi një pakt të heshtur, qysh në kohërat e hershme, për të respektuar fetë e njëri-tjetrit” -thotë Nano. Çarje mes besimesh nuk ka ndodhur tek ne, dhe harmonia ndërfetare, më shumë se një “kod i shkruar”, mbetet sjellje individuale e më pas kolektive. Arsyet mund të jenë të shumta, por më tepër sesa të rrëmojmë në gjetjen e rrënjëve, sot është koha që të vijojmë atë çka na kanë lënë të parët. Për studiuesin Nano toleranca fetare dhe harmonia mes tyre nuk mund të shtrihet aty ku nuk ngjit, ndaj sot për sot mbetet një vlerë që ka ende rrënja të forta. Sfida më e madhe është ekstremizmi i gjithanshëm nga besime të ndryshme, pasi në kohën kur ato do injektohen edhe në shoqërinë tonë, gradualisht mund të humbasin atë thesar tolerancë fetare që e bartëm nga e shkuara jonë.

Ky shkrim botohet në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670