Quantcast
Channel: Media – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670

“Bëj median tënde” – Mediat alternative përkundër skajimit mediatik të komunitetit rom

$
0
0

RomaBlerjana Bino, pedagoge e Universitetit Europian të Tiranës, është duke kryer një studim mbi skajimin mediatik në komunitetin rom, në kuadër të projektit që drejtohet nga prof. Ferit Duka. Ky projekt studimor adreson një nga sfidat kryesore të gjithëpërfshirjes shoqërore të grupeve të skajuara.

Nga Blerjana Bino*

Studimet tregojnë se mënyra sesi portretizohen grupet e skajuara në median masive (televizioni, gazetat kryesore) riprodhojnë dhe ripërforcojnë skajimin dhe deprivimin e tyre. Projekti në fjalë është i motivuar nga rezultatet e kërkimeve të mëparshme të miat, në kuadër të punës në Qendrën UET, si edhe studimet e doktoraturës lidhur me rolin e mediave alternative dhe gjithëpërfshirjen shoqërore të grupeve të skajuara. Këto kërkime sugjerojnë se grupet e skajuara duhet të ndërtojnë mediumet e tyre të komunikimit për të shprehur zërin, perspektivat dhe interpretimin e tyre për botën si dhe për t’u bërë kështu pjesëmarrëse në proceset e politikëbërjes përmes një mediumi alternativ dhe jo atyre dominuese në sistemin mediatik aktual.

Mediat alternative si instrument për t’iu kundërvënë skajimit

Skajimi i grupeve të caktuara përqaset më tepër dhe kryesisht në terma të dimensionit social, ekonomik dhe ligjor të fenomenit, të lidhura këto ngushtë me të drejtat e njeriut dhe gjithëpërfshirjen shoqërore. Ky dokument përqendrohet në mënyrë të veçantë te krijimi i hapësirave komunikuese pjesëmarrëse alternative për grupet e skajuara. Këto hapësira komunikuese e pjesëmarrëse të mundësuara nga mediat alternative dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit ofrojnë mundësi për grupet e skajuara që të kenë akses bazuar në termat e tyre specifik të përcaktuar prej tyre dhe jo sipas ‘rregullave të lojës’ së shoqërisë dominuese. Media alternative është një term që përshkruan të gjitha formatet e mediave, të cilat nuk janë tradicionale, konvencionale apo të rrymës kryesore në sistemin mediatik. Në këtë kuptim, me media alternative mund të kuptojmë gjithçka që nuk gjejmë te ‘gazetashitësi’ apo ‘programi i radios dhe televizionit’. Ndërsa mediat e reja lidhen ngushtë me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, mediat alternative janë më gjerë sesa aq dhe mund të përfshijnë edhe radio, edhe gazeta, edhe TV, përsa kohë që në përmbajtje, organizim dhe shpërhapje nuk janë njësoj si mediat konvencionale.

Hapësira komunikuese alternative dhe pjesëmarrëse për komunitetin rom 

Në kuadër të projektit u realizuan dy fokus grupe me pjesëtarë të komunitetit rom. Takimi me pjesëtarët e komunitetit, nëpërmjet fokus grupeve ishte parashikuar si pjesë e fazës së parë të projektit, me qëllim mbledhjen e perspektivave të komunitetit dhe sidomos të rinjve lidhur me nevojat e tyre mediatike. Gjithashtu, përmes fokus grupeve u mblodhën mendime rreth mënyrës së përfaqësimit të komunitetit në median masive konvencionale dhe sesi mediat alternative e teknologjia e informacionit dhe komunikimit po ndikon në krijimin e hapësirave të reja të komunikimit për të rinjtë rom. Çështjet kryesore që u ngritën për diskutim, me të dy fokus grupet, lidheshin kryesisht me problematikën e medias masive në lidhje me komunitetin rom, përdorimin e mediave të reja apo alternative nga ky komunitet, si dhe mbi gjetjen e mënyrave më efikase, të cilat mund të ofrojnë zgjidhje për çështjet problematike të këtij komuniteti. Pas analizimit të të dhënave që na ofruan të dy fokus grupet dhe intervistat e thelluara u evidentua se komuniteti rom ka hasur disa problematika në lidhje me median masive në Shqipëri. Sipas tyre, këto problematika konsistojnë në: hapësirën e vogël dhe mospërfaqësimin e tij në media, mospasqyrimin e vlerave, kulturës dhe gjuhës, pasqyrimin e lajmeve kryesisht negative, mosparaqitjen e romëve si pjesë integrale të shoqërisë, paragjykimin e tyre etj. Gjatë diskutimit, një hapësirë tjetër zuri dhe evidentimi i formave të reja të komunikimit që ofrohen sot, siç janë mediat alternative sipas përkufizimit në seksionin e dytë të këtij dokumenti. Këto media përdoren gjerësisht dhe nga komuniteti rom, si një mundësi e mirë për të lidhur ura komunikimi dhe për të realizuar disa nga objektivat e tyre. Nisur nga këto të dhëna dhe nga analiza e tyre, krijimi i hapësirave komunikuese alternative për këtë komunitet kërkon përfshirjen në kurrikula akademike në institucionet e Arsimit të Lartë e lëndëve që do të mundësojnë që profesionistët e rinj, si p.sh. gazetarët apo punonjësit e ardhshëm socialë, të njihen me rëndësinë dhe mënyrat sesi media mund të zhvillohet kah qëllimeve të ndryshimeve shoqërore. Gjithashtu është e nevojshme përfshirja në kurrikula në arsimin e mesëm dhe të lartë e rasteve studimore dhe nxënies përmes projekteve të përqendruara te media për ndryshim shoqëror, mediat e reja dhe ato alternative. Një tjetër element i nevojshëm është përdorimi i mediave të reja, alternative, sociale nga komuniteti dhe aktivistë të tjerë për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, politikëbërësve dhe aktorëve të tjerë rreth kauzave të gjithëpërfshirjes dhe luftës ndaj diskriminimit përmes ndërtimit të komuniteteve online; fushatave online dhe offline, si edhe llojit të përmbajtjes. Trajnimi në përdorimin e mediave alternative, ndërtimi i kapaciteteve brenda komunitetit dhe zgjerimi jashtë Tiranës i këtyre angazhimeve është nevojë jetike për rritjen e komunikimit. Është e nevojshme gjithashtu edhe inkurajimi i mediave ekzistuese, rishikimi i kodit të etikës së gazetarit, në mënyrë që grupet e skajuara të nisin të jenë më të përfshira etj.

*pedagoge UET, Drejtor, Zyra për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneritetet – Qendra UET As. Lektore, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Edukimit, Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënie Publike. MSc në Politika dhe Komunikim, London School of Economics and Political Science, Mbretëria e Bashkuar. Kandidat për Doktor i Shkencave në Komunikim, Universiteti i Europian i Tiranës.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1670

Trending Articles