Gazeta e Partisë Demokratike, Rilindja Demokratike, ka publikuar dje një dokument, që sipas saj është dëshmia e një vendimy të Gjykatës Administrative i datës 15 dhjetor 2014 dhe “është dëshmia më e mirë se si Rama paguan krerët e bandave në vend. Shullazi, i akuzuar më parë nga opozita si njeri i afërt i Ramës dhe Tahirit, tashmë provohet edhe me dokumente se si ai paguhet nga Rama për shërbimet e kryera. Ministria e Financave ka kaluar në favor të Shullazit një fond prej 4 milionë lekësh. Mënyra se si janë kaluar këto fonde hedh dritë në gjunjëzimin e plotë të kësaj qeverie në shërbim të krimit dhe tashmë është tregues se kemi të bëjmë me një Kryeministër të kapur”.
Sipas gazetës “Shullazi përmes në padie ka kërkuar nga Ministria e Financave dhe Thesari i Shtetit që t’i paguajnë atij detyrimin për burgim të padrejtë. Padia lidhet me arrestimin e Shullazit në nëntorin e vitit 2011 për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit dhe “Moskallëzim të krimit”. Pas një serie vendimesh, ka ardhur edhe padia e fundit e Shullazit ku kërkon dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg.
Analizimi i vendimeve të gjykatave nuk do të na shpinte askund, por ajo çfarë mund të konstatojmë është shkelja e ligjit nga Ministria e Financave në padinë ngritur nga Shullazi. Ministria e Financave do të duhej që të ankimonte menjëherë vendimin e Shkallës së Parë të Gjykatës Administrative. Ky është një detyrim ligjor që e ka pasur si Ministria e Financave po ashtu edhe Thesari i Shtetit. Është detyrim që ligji ia jep në transparencë dhe në respekt të taksapaguesve që do të duhet të kalojë të gjitha shkallat e apelimit përpara se të marrë formën e prerë, sepse kurrë nuk ka ndodhur që shteti të heqë dorë nga të drejtat e veta që pas gjykimit në shkallën më të ulët.
Ka ndodhur në dhjetorin e vitit 2014 me paditës Shullazin dhe të paditurin Ministrinë e Financave, pasi në këtë mes është Rama dhe Tahiri, të cilët i kanë kërkuar ministrit që të mos apelojë vendimin e gjykatës, por të zgjidhë qesen e parave të taksapaguesve dhe të paguajë, Shullazin”.
Vendimi që nuk u ankimua
- Pranimin e pjesshëm të padisë së paditësit Emiljano Shullazi.
- Detyrimin e palës së paditur Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë t’i paguajnë paditësit Emiljano Shullazi, kompensimin për burgim të padrejtë në vlerën 404.800 (katërqind e katër mijë e tetëqind) lekë për 184 ditë paraburgim në vlerën 2.200 lekë për një ditë.
- Rrëzimin e padisë për diferencën që i përket kompensimit në vlerën maksimale për periudhën e paraburgimit prej 184 ditësh, prej 800 lekë të tjera për një ditë.
- Ekzekutimi i këtij vendimi duhet të bëhet nga subjekti i paditur jo më vonë sesa një muaj nga marrja e vendimit formë të prerë dhe paraqitja e kërkesës për ekzekutim nga kreditori, në një këst të vetëm për pagimin e të gjithë shumës, ndërsa ekzekutimi i detyrueshëm do të bëhet nga përmbaruesi gjyqësor.
- Shpenzimet gjyqësore dhe ato në fazë e ekzekutimit të vendimit u ngarkohen palëve në raport me pjesën e pranuar të padisë.
- Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e shpalljes. Për personin e tretë në mungesë, ky afat fillon nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, sot më datë 15.12.2014
Sekretare
Geralda Bakiasi
Gjyqtare
Elda Vrioni