Në vendimet e ndryshme të Këshillit të Ministrave, të marra sot, ndër të tjera, qeveria vendosi:
- Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Albafilm, sh.a.-ja te Ministria e Kulturës, të objektit “Ish-laboratori i filmit”, në zonën kadastrale 8130, me sipërfaqe të përgjithshme 4 918 (katër mijë e nëntëqind e tetëmbëdhjetë) m2, nga të cilat 1 420 (një mijë e katërqind e njëzet) m2 sipërfaqe objekti dhe 3 498 (tre mijë e katërqind e nëntëdhjetë e tetë) m2 sipërfaqe funksionale, sipas genplanit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për t’u përdorur për nevoja të Ministrisë së Kulturës.
- Vendimi nr.1445, datë 29.10.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënien me qira, pa konkurrim, “Top Channel”, sh.a.-së, të objektit “Ish-laboratori i filmit”, në pronësi të Albafilm, sh.a.-së, Tiranë”, revokohet.
- Ministrisë së Zhvilllimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, i shtohet fondi prej 38 725 768 (tridhjetë e tetë milionë e shtatëqind e njëzet e pesë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekësh, për rregullimin e pasojave nga zgjidhja e kontratës së qirasë me subjektin “Top Channel”, sh.a.
Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
- Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.