Media “Mapo” festoi sot 10-vjetorin ku në një atmosferë të ngrohtë nën tingujt e muzikës së harqeve ceremonia jubilare mblodhi bashkë në mjediset e “Hotel Rogner”, si brenda një shtëpie gazetarët e parë që ndërtuan fytyrën e MAPO-s dhe gazetarët e rinj që e çojnë përpara këtë trashëgimi, personalitete të tjerë nga bota e medias, artit, kulturës, politikës, përfaqësues të diplomacive të huaja e akademikë, ku spikatnin figura, si Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Donald Lu, dy ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, përfaqësues të maxhorancës si nënkryetarja e Parlamentit, Valentina Leskaj, Kryetari i Komisionit të Medias Genc Pollo, deputeti i Partisë Demokratike Gert Bogdani, ai i Partisë Socialiste Eduard Shalsi, Gjergj Bojaxhiu, etj.
Përshëndetjen e parë për të pranishmit e bëri mjeshtri i njohur i karikaturës, Bujar Kapexhiu, i cili prej vitesh është i pamungueshëm në faqen e parë të gazetës me karikaturat e tij që jo vetëm ironizojnë, por edhe analizojnë aktualitetin politik, ndërsa kryeredaktori i parë i MAPO-s, e cila mori jetë në vjeshtën e vitit 2006.
Skënder Minxhozi kujtoi edhe njëherë ditët e parë të së përjavshmes me ngjyra që rrekej, ashtu siç edhe emri e diktonte, të ishte një magazinë që përfshinte gjithçka për lexuesin; nga politika, aktualiteti, reportazhet, dosjet, kulturën etj., dhe punën e mirë që gazetarët e parë bënë për ta bërë këtë media të shtypur një zë të rëndësishëm në opinionin publik, por edhe arenën politike.
Kur Henri Çili, gjashtë vjet më parë mendoi për themelimin e një medieje, u gjet përballë mëdyshjes nëse do të krijonte një titull të ri apo të blinte një ekzistues.
“Në atë kohë unë mbroja pikëpamjen se titujt e shtypit nuk duhet të vdesin kurrë, ato duhet të evoluojnë, të transformohen, të shiten apo të blihen, por nuk duhej të zhdukeshin kurrë”,- kujtoi Çili gjatë ceremonisë, duke kujtuar një fakt të trishtueshëm në mungesën e një trashëgimie të titujve të shtypit shqiptar, ku thuajse pak ose aspak nuk është ruajtur apo transformuar për duke mbajtur gjallë logon.
Më shumë se një një sipërmarrje intelektuale dhe ideologjike, një gazetë është një sistem vlerash. I këtij mendimi është drejtori i Medias “Mapo”, Alfred Lela.
“Një marke të komunikimit publik mund t’i kërkohet shumë më shumë se kaq; madje të gjitha gjërat. Një botë që s’ua premtojmë, megjithatë, as mund t’ua japim. Sa i takon MAPO, ka qenë gjatë këtyre viteve, ndër të tjera, tri gjëra, sa të mira aq edhe thelbësore: etike, estetike dhe emancipuese”,- përfundoi Lela.
Kryeredaktori i së përditshmes, Arion Sulo, i cili e nisi udhëtimin në këtë media qysh në ditët e para kur “MAPO” u shndërrua nga e përjavshme në një të përditshme, u ndal të vështirësitë që ka sot media, e veçanërisht ajo e shkruar. Një krizë e cila thellohet çdo ditë, prej të paktën 10 vitesh.
Në këtë përvjetor të dhjetë Media Mapo ka shpallur gjatë ceremonisë së djeshme Njeriun e Vitit, nderim që ka shkuar për ish-Presidentin Alfred Moisiu.
Duke sjellë ndërmend proverbin japonez mbi fuqinë e pikës së ujit që bie mbi gurin, ish-presidenti Moisiu e krahasoi ndikimin e gazetës “MAPO” në opinionin publik me atë të pikës së ujit. Duke falënderuar për këtë titull të akorduar, Moisiu i uroi jetëgjatësi Medias “MAPO” në misionin e saj.