Historia e një medieje që u bë ndikuese në opinionin publik shqiptar, sfidat e para, kalimi nga e përjavshme në një sipërmarrje të vërtetë mediatike , me një të përditshme, dy revista mujore e shtëpi botuese. Ishte kjo atmosfera e 10-vjetorit të MAPO-s, e cila mblodhi në një ceremoni kremtimi personalitete të fushave të ndryshme. Gjatë kësaj ceremonie MAPO shpalli ish-Presidentin Alfred Moisiu si Njeriu i Vitit, për kontributet që ka dhënë gjatë kohës së shërbimit si president i Republikës, por edhe për qëndrimet aktive pas përfundimit të mandatit
Nga një revistë e përjavshme, që edhe pse e nisur me entuziazmin e një grupi gazetarësh të pasionuar, çdo fund muaji përballej me frikën se nuk do të arrinte të nxirrte një tjetër numër në treg, në një ndërmarrje mediatike me një gazetë të përditshme dhe dy revista mujore të shtypura…Është kjo historia e MAPO-s, e cila ka kremtuar ditën e djeshme 10 –vjetorin e saj.
Në një atmosferë të ngrohtë nën tingujt e muzikës së harqeve ceremonia jubilare mblodhi bashkë në mjediset e Hotel Rogner, si brenda një shtëpie gazetarët e parë që ndërtuan fytyrën e MAPO-s dhe gazetarët e rinj që e çojnë përpara këtë trashëgimi, personalitete të tjerë nga bota e medias, artit, kulturës, politikës, përfaqësues të diplomacive të huaja e akademikë, ku spikatnin figura si Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Donald Lu, dy ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, përfaqësues të mazhorancës si nënkryetarja e Parlamentit, Valentina Leskaj, Kryetari i Komisionit të Medias Genc Pollo, deputeti i Partisë Demokratike Gert Bogdani, ai i Partisë Socialiste Eduard Shalsi, Gjergj Bojaxhiu etj.
Përshëndetjen e parë për të pranishmit e bëri mjeshtri i njohur i karikaturës, Bujar Kapexhiu, i cili prej vitesh është i pamungueshëm në faqen e parë të gazetës me karikaturat e tij që jo vetëm ironizojnë, por edhe analizojnë aktualitetin politik, ndërsa kryeredaktori i parë i MAPO-s, e cila mori jetë në vjeshtën e vitit 2006, Skënder Minxhozi kujtoi edhe njëherë ditët e parë të së përjavshmes me ngjyra që rrekej, ashtu siç edhe emri e diktonte, të ishte një magazinë që përfshinte gjithçka për lexuesin; nga politika, aktualiteti, reportazhet, dosjet, kulturën etj., dhe punën e mirë që gazetarët e parë bënë për ta bërë këtë media të shtypur një zë të rëndësishëm në opinionin publik, por edhe arenën politike.
“MAPO ishte një histori të bukur, e cila na bënte të shiheshim në sy çdo fund muaji e të pyesnim a do të dalë muajin tjetër”, u shpreh Minxhozi, duke thënë se ishte më pas vizioni i botuesit të ri, Henri Çili që do e merrte MAPO-n e përjavshme në një krizë financiare për ta shndërruar gradualisht në një të përditshme, së cilës më pas iu bashkëngjitën edhe dy logo të reja siç ishin Revista MAPO dhe revista Madame MAPO.
Kur Henri Çili, gjashtë vjet më parë mendoi për themelimin e një medieje, u gjen përballë mëdyshjes nëse do të krijonte një titull të ri apo të blinte një ekzistues.
“Në atë kohë unë mbroja pikëpamjen se titujt e shtypit nuk duhet të vdesin kurrë, ato duhet të evoluojnë, të transformohen, të shiten apo të blihen, por nuk duhej të zhdukeshin kurrë,” kujtoi Çili gjatë ceremonisë, duke kujtuar një fakt të trishtueshëm në mungesën e një trashëgimie të titujve të shtypit shqiptar, ku thuajse pak ose aspak nuk është ruajtur apo transformuar për duke mbajtur gjallë logon.
Në një kohë ku pozitat e medies së shkruar janë tronditur thellë, jo vetëm në atmosferën shqiptare por edhe në tablonë globale, me dominimin gati agresiv të medieve online, mbajtja në jetë e një të përditshmeje të shtypur, është një kontribut ndaj lirisë së shtypit.
“Të financosh shtypin e shkruar sot, në fakt, është një donacion. Është njësoj si të financosh një gjini të artit. Shkurt është një shërbim publik nga kushdo që kontribuon për zhvillimin e shtypit, e kulturës së shkruar, e cila mbetet një nga format më autentike të kulturës shqiptare. MAPO ka tashmë në dhjetë vite, një vazhdimësi dhe jam krenar që kam kontribuar në vazhdimësinë e kësaj logoje”, përfundoi Çili.
Prej marsit të vitit 2014 MAPO-ja nuk është biznes, porse pjesë e organizatave jofitimprurëse dhe së fundi është e riorganizuar në kuadër të Institutit Evropian “Pashko”.
Më shumë se një sipërmarrje intelektuale dhe ideologjike, një gazetë është një sistem vlerash. I këtij mendimi është drejtori i Medias Mapo, Alfred Lela.
Ndërsa foli për vështirësitë e gazetave në termat e shitjeve – ku shumë syresh janë futur në një proces shndërrimi në formate online, Mapo-ja e ruajti natyrën e saj në qëndrime, paparashikueshmëri, por duke ruajtur masën etike, një dallim qysh prej fillimeve të saj.
“Por MAPO-ja është më shumë se një gazetë, duke u bërë tashmë një logo dhe një markë. Nën strehën e saj banojnë disa ente të komunikimit, imazhit dhe kulturës, më e fundit prej të cilave MAPO Image, një agjenci e fotografisë”, u shpreh Alfred Lela, duke mos lënë pa përmendur gjithashtu edhe botimet “MAPO Editions” kushtuar ekskluzivisht letërsisë.
“Një marke të komunikimit publik mund t’i kërkohet shumë më shumë se kaq; madje të gjitha gjërat. Një botë që s’ua premtojmë, megjithatë, as mund t’ua japim. Sa i takon MAPO, ka qenë gjatë këtyre viteve, ndër të tjera, tri gjëra, sa të mira aq edhe thelbësore: etike, estetike dhe emancipuese”, përfundoi Lela.
Kryeredaktori i së përditshmes, Arion Sulo, i cili e nisi udhëtimin në këtë media qysh në ditët e para kur MAPO u shndërrua nga e përjavshme në një të përditshme u ndal të vështirësitë që ka sot media, e veçanërisht ajo e shkruar. Një krizë e cila thellohet çdo ditë, prej të paktën 10 vitesh.
“Në këtë kontekst shumë të vështirë, ku basti për vdekjen e gazetave duket një biznes i mirë, nga njëra anë këmbëngulja për të nxjerrë gazetën është si të garosh sipër “Rosinantit”, kur konkurrentët transmetojnë në kohë reale. Por nga ana tjetër në epokën e virtualitetit, ndërsa shoqëria dhe mediat alternative janë gjithmonë e më shumë të spektaklit, “letra” të jep avantazhin e mendimit dhe të kuptuarit të realitetit në një horizont tjetër. Në këtë sens ka shkuar së fundi përpjekja jonë për t’u përshtatur. E thënë ndryshe kemi zgjedhur të mbajmë qëndrime”, u shpreh Sulo, duke shtuar se në një kohë kur mbijetesa ekonomike nuk është e sigurt për asnjë gazetë në botë, MAPO-ja ka arritur të sigurojë mbijetesën e jehonës dhe ndikimit të saj në opinionin publik, me përcjelljen e mendimit, ideve dhe debatit.
“Ndoshta duke i hyrë në hak gazetarisë së faktit dhe pa pretenduar se qëndrimet e forta editoriale kanë qenë të drejtat apo të vërtetat e fundme, ky kalim apo përshtatje, mendoj se na ka bërë të mos kalojmë në heshtje dhe pa debat. Gjë që nuk është pak në këto kohë të vështira për gazetat”, përfundoi kryeredaktori Sulo.
Në këtë përvjetor të dhjetë Media Mapo ka shpallur gjatë ceremonisë së djeshme Njeriun e Vitit, nderim që ka shkuar për ish-Presidentin Alfred Moisiu, me motivacionin për kontributin e tij gjatë kohës kur shërbeu si president i Republikës, por edhe për qëndrimet e tij aktive edhe pas përfundimit të mandatit si i pari i shtetit shqiptar.
Duke sjellë ndërmend proverbin japonez mbi fuqinë e pikës së ujit që bie mbi gurin, ish-presidenti Moisiu e krahasoi ndikimin e gazetës MAPO në opinionin publik me atë të pikës së ujit. Duke falënderuar për këtë titull të akorduar, Moisiu i uroi jetëgjatësi Medias MAPO në misionin e saj.
Pas dhjetë vitesh, duke ditur të përshtatet dhe të parashohë ndryshimet, MAPO i mbijetoi jo vetëm vështirësive financiare – të atij projekti të parë që shpesh gazetarët e parë të saj e kujtuan si buzë greminës –por edhe vështirësive globale të shtypit.
Donald Lu: Me Mapo-n jam i habitur nga ndershmëria
Prej më shumë se tri vitesh jam një lexues i përkushtuar i MAPO-së. Së pari, e vura re për shkak të karikaturave politike të shkëlqyera të Bujar Kapexhiut. Ai është një gjeni në pikasjen e një çështjeje të ndërlikuar politike dhe në kapjen e së vërtetës së saj thelbësore (dhe shpesh të sikletshme). Fëmijët e mi gjithnjë qeshin kur më shohin mua, herë pas here, të paraqitur te Ngërçi. Si student i gjuhës shqipe, në fillim u tërhoqa nga karikaturat, por vazhdova ta lexoj MAPO-n për shkak të raportimit të shkëlqyer dhe editorialeve të paparashikueshme. Me shumicën e gazetave të tjera, mund ta parashikosh me saktësi se çfarë do të thonë për secilën çështje. Në rastin e MAPO jam gjithnjë i habitur nga ndershmëria dhe logjika (common sense). Tani si Ambasador, unë kam kohë të lexoj disa gazeta çdo mëngjes. MAPO-n e lexoj me kënaqësi çdo ditë. Gëzuar përvjetorin! Edhe njëqind!
Aleksandër Arvizu: Zhvillimet në Shqipëri i ndjek përmes Mapo online
Të dashur miq, urimet më të përzemërta për Gazetën MAPO në këtë përvjetor! Kur jetoja në Tiranë, MAPO ishte një ‘duhet lexuar’ për mua çdo ditë dhe, që nga kthimi në Washington kam vijuar t’i ndjek zhvillimet në Shqipëri përmes Mapo online. Çdo gazetë, qoftë në Shqipëri apo Amerikë, ka stilin e vet të të raportuarit dhe orientimin editorial, dhe MAPO, natyrisht, nuk bën përjashtim. Por, një gjë që ia kam vlerësuar MAPO-s përgjatë viteve është busulla e saj e qartë dhe të kuptuarit se një e ardhme pozitive, zhvilluese për popullin shqiptar, do të vijë vetëm nëpërmjet integrimit më të thellë me pjesën tjetër të Europës dhe me Perëndimin më gjerësisht. Posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urimet më të mira për sukseset në vazhdim!
*Përshëndetjet e ambasadorëve të SHBA-së , Donald Lu dhe Aleksandër Arvizu me rastin e 10-vjetorit të MAPO-s
Henri Çili
Të financosh shtypin e shkruar sot, në fakt, është një donacion. Është njësoj si të financosh një gjini të artit. Shkurt është një shërbim publik nga kushdo që kontribuon për zhvillimin e shtypit, e kulturës së shkruar, e cila mbetet një nga format më autentike të kulturës shqiptare. MAPO ka tashmë në dhjetë vite, një vazhdimësi dhe jam krenar që kam kontribuar në vazhdimësinë e kësaj logoje
Alfred Lela
Një marke të komunikimit publik mund t’i kërkohet shumë më shumë se kaq; madje të gjitha gjërat. Një botë që s’ua premtojmë, megjithatë, as mund t’ua japim. Sa i takon MAPO, ka qenë gjatë këtyre viteve, ndër të tjera, tri gjëra, sa të mira aq edhe thelbësore: etike, estetike dhe emancipuese
Arion Sulo
Në këtë kontekst shumë të vështirë, ku basti për vdekjen e gazetave duket një biznes i mirë, nga njëra anë këmbëngulja për të nxjerrë gazetën është si të garosh sipër “Rosinantit”, kur konkurrentët transmetojnë në kohë reale. Por nga ana tjetër në epokën e virtualitetit, ndërsa shoqëria dhe mediat alternative janë gjithmonë e më shumë të spektaklit, “letra” të jep avantazhin e mendimit dhe të kuptuarit të realitetit në një horizont tjetër. Në këtë sens ka shkuar së fundi përpjekja jonë për t’u përshtatur.