10 presidentë amerikanë në lenten e fotografit George Tames dhe 10 presidentë amerikanë në karikaturën e ashpër të Hostenit. Dy krahët e Luftës së Ftohtë vijnë në një ekspozitë, e cila synon të hapë një dialog mes brezave dhe të shkuarës…
Stefani Tames ishte në moshë madhore dhe shkrimtare karriere kur vendosi të kërkojë rrënjët.
Nga i ati kish dëgjuar se familja e tyre kishte prejardhje shqiptare.
Por si origjina ashtu dhe historia e këtij vendi, amerikanes i dukej e largët po aq sa edhe distanca në mes atij vendi të mikroskopik në hartë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përpjekjet për të mbledhur të dhëna që do e shteronin apo kënaqnin disi kureshtjen e saj të ligjshme ishin të dështuara.
Deri në verën e vitit të shkuar…
Në ekspozitën fotografike të 10 portreteve ikonike të Presidentëve Amerikanë, përjetësuar nga fokusi i fotografit të famshëm George Tames, ajo takoi profesoren Lori Amy – pedagoge e Georgia Southern’s College, e cila asokohe sapo qe kthyer prej Shqipërisë e së cilës i rrëfeu se i ati, autori i atyre portreteve të presidentëve, dikur në fëmijëri i kish thënë vagullt se ishte shqiptar.
Produkti i bisedës ishte një ekspozitë, me po ato portrete por në një tjetër destinacion; në Muzeun Historik të Shqipërisë.
Kjo e bëri Stefani Tames-in të vizitonte për herë të parë vendin e paraardhësve dhe të dëshironte të binte më shumë në gjurmë të tyre.
“Unë e dija se Xhorxhi ishte një fotoreporter i shquar, i cili kishte hyrë në marrëdhënie të ngushtë me shumë prej presidentëve që kishte fotografuar, por, në dymbëdhjetë vitet e njohjes sime me Stefaninë, ajo kurrë nuk kishte folur për prejardhjen shqiptare të të atit të saj. Ç’është e vërteta, ajo dinte fare pak në lidhje me historinë e babait të saj. Gjyshërit e saj emigruan për në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria, por ata nuk mësuan kurrë të flisnin anglisht, dhe ajo, nga ana e saj, nuk mësoi kurrë asgjë në lidhje me jetët e tyre” –kujton Lori Amy, e cila nën logon OTTOnomy organizoi ekspozitën “Presidentë amerikanë dhe marrëdhëniet shqiptare:
Një retrospektivë nëpërmjet lentes së Xhorxh Tames, fotoreporterit shqiptaro-amerikan të The New York Times”.
Ajo çka Stefania do të shihte në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar ishin portretet aq të famshme të të atit, George Tames, rrethuar nga materiale të shtypit shqiptar të periudhës së Luftës së Ftohtë.
Ata presidentë të cilët i ati i kishte fotografuar me një ndjesi intimiteti por edhe dashamirësie, për të cilët u kish folur me admirim, sa herë ajo dhe i vëllai i kërkonin t’u rrëfente rreth udhëtimeve në krah të tyre dhe afërsinë që kish me ta (por pa zbuluar kurrë më të preferuarin e tij ) i shihte të denoncuar, të kritikuar thellë, përgjegjës për shumë faje…Ishte hera e parë që ajo binte në kontakt me median e asaj kohe të një vendi që i kish përkitur Bllokut tjetër të Luftës së Ftohtë.
Për realizimin e kësaj ekspozite, Lori Amy rrëfen se së bashku me Elvis Kazazin punuan një vit e gjysmë.
Me krijimin e qendrës për Art Kulturë dhe Edukim dhjetëra të rinj u angazhuan në
kërkimin e qindra e qindra gazetave shqiptare për të përzgjedhur tekste dhe fotografi për t’u përdorur në ekspozitë. U ndeshëm kështu me botën ku kanë jetuar prindërit dhe gjyshërit e tyre – një botë që, në një vend që ende nuk ka parë në sy të kaluarën e tij komuniste, është e huaj për ta.
“Është e çuditshme sesi ata të rinj nuk dinin rreth së kaluarës së tyre. E para çka duam të arrijmë me këtë ekspozitë është të hapim një dialog mes brezash, pastaj mes dy kohësh dhe shtetesh” – shprehet Amy, ndërsa përpjekja e atyre praktikantëve të rinj për të rrokur të shkuarën mes copash gazetash e revistash i ngjasonte me atë të mikeshës së saj, Stefani Tames, e cila dëshironte të njihte veten dhe historinë e familjes.
“Gjysma e vendit është nën moshën tridhjetë vjeç dhe, për shumë persona prej gjeneratës së re, jetët e prindërve dhe gjyshërve të tyre janë të mistershme, plot me sekrete të errëta dhe pyetje që kanë mbetur pa përgjigje” –vijon Amy.
Përmes këtij udhëtimi përmes shtypit periodik vihej re se si identitetet morën formë nën regjimin komunist, sesi shiheshin vendet e NATO-s dhe Amerika.
Pas mijëra materialesh të mbledhura u vu re se ishte revista Hosteni ajo që kishte kontribuuar më shumë me denoncimin përmes satirës dhe karikaturës.
Ata që nuk guxonin të karikaturonin një zyrtar (larg qoftë të lartë), por as të një rëndësie mesatare në vend, shfaqeshin gjithë zell kur portretizonin presidentë amerikanë si Carter, Nixon, Kennedy a Reagen si djaj të imperializmit, por edhe qesharakë.
Kështu u vendos që karikaturat e Hosten-it do të meritonin një ekspozitë më vete titulluar “Arti, Satira dhe Presidentët Amerikanë në revistën Hosteni”, e cila u çel më 16 nëntor në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.
Kështu u krijua një ide e plotë – për të mos thënë e vërteta me dy monedhat e një lufte të ftohtë – rreth asaj çka kishte shkruar shtypi komunist asokohe dhe sesi në të vërtetë e shihet një tjetër shqiptar, që kish mundur prej dy prindërve emigrantë që nuk mësuan dot kurrë anglisht të bëhej një fotoreporter me famë botërore dhe gjithnjë në krah të presidentëve të ShBA.
“Nën komunizëm ka pasur shumë e shumë familje që kanë jetuar me gjëra që ata nuk i kanë shprehur me zë të lartë, mendime private që ata i kanë mbajtur të fshehta për të mbrojtur fëmijët e tyre, apo përvoja që ata kishin frikë t’i ndanin me njerëz jashtë rrethit familjar” -mendon Lori Amy, duke shtuar: “Pothuajse çdo person me të cilin kam folur dhe i cili në moshë madhore ka hyrë në kohën e regjimit, flet për frikën e vazhdueshme dhe kronike se ata mund të denoncoheshin si armiq të popullit dhe të shtetit dhe se mund të ndëshkoheshin për faktin se kishin folur kundër regjimit. Një pjesë e madhe e miqve të mi në Shqipëri e përshkruajnë autocensurën, që buron nga frika se fjalët tona mund të përdoren kundër nesh, si një ndërgjegje të dyfishtë, si një çarje ndërmjet asaj që një person vërtet mendon dhe ndjen, nga njëra anë, dhe asaj që një ai mund t’u thotë të tjerëve, nga ana tjetër” –vijon Amy, ndërsa për Stefani Tames është habi mënyra sesi e shihnin SHBA–në shqiptarët asokohe. “
Megjithatë mua më pëlqen karikatura politike. Është e fuqishme. Kjo ekspozitë është vërtet interesante”-shprehet Tames.
Hosteni i cili pushoi së botuari fill pas viteve ’90, ka ende shumë për të thënë rreth kohës së dy brezave.
“Si vallë i kuptojnë të rinjtë në Shqipëri botët ku kanë rrojtur prindërit dhe gjyshërit e tyre në një kohë që, në vetë familjet e tyre, ka një çarje radikale ndërmjet të shkuarës dhe të tashmes? Mua më është dhënë mundësia që, në shumë raste, të qëndroj me grupe shqiptarësh të brezit të moshës së mesme apo më të vjetër të cilët thonë se fëmijët e tyre nuk dëshirojnë të dinë asgjë në lidhje me të kaluarën. Po aq shpesh, unë kaloj kohë me grupe të rinjsh të cilët thonë se prindërit dhe gjyshërit e tyre nuk pranojnë të bashkëbisedojnë me ata. Ose, paradoksalisht, në familjet që janë persekutuar nga regjimi, historitë e persekutimit mund të tregohen përsëritur në mënyra që e përçojnë dhimbjen dhe vuajtjen te fëmijët që nuk i kanë jetuar këto përvoja” –thotë Amy.
Në ditët që ka kaluar në Shqipëri Stefani thotë se mes shqiptarëve i ka gjetur disa tipare të të atit.
“Mirësinë dhe krenarinë” – thotë ajo dhe kjo e fundit e bënte tipikisht shqiptar.
Pjesëmarrës në ekspozitën e çelur në Universitetin Europian të Tiranës, mjeshtri i karikaturës, Bujar Kapexhiu kujtoi kohën kur karikaturonte kundër imperializmit perëndimor.
“Humoristët dhe karikaturistët ishin opozita e parë. Sot jemi të lirë dhe mund të kritikojmë edhe presidentë amerikanë dhe të të gjithë botës, sigurisht pa denigruar dhe fyer. Gjithçka që bëhej në atë kohë ushqehej dhe mbështetej nga ideologjia” –tha Kapexhiu.
Në disa familje ka një hapësirë të zbrazët ku duhet të ishte historia, në të tjera ka rrëfime të ngjarjeve që përsërisin vuajtjet e së shkuarës.
Në shoqëri, ka nga ata që dëshirojnë të harrojnë të kaluarën dhe e hedhin vështrimin vetëm drejt të ardhmes, ka nga ata që e hedhin vështrimin drejt të kaluarës me nostalgji, dhe ka edhe të tjerë që dëshirojnë të mësojnë të vërtetën e dhunës komuniste në mënyrë që të gjejnë drejtësi për viktimat e saj.
Si i bëjmë ne bashkë të gjitha këto pozicione të ndryshme në një histori të vetme koherente të “Shqipërisë”? Si e gjejmë ne hapësirën e përbashkët që na lidh përtej këtyre mospajtimeve?
Dialogu që kjo ekspozitë çel është veçanërisht i rëndësishëm për nisjen e një dialogu që mund të shkrijë të shkuarën me të tashmen, e që, kësodore të mund të skicohet një shtrat i qartë për të ardhmen.
Stefani Tames largohet nga Shqipëria me rrënjë të reja, një tjetër anë të historisë, me dëshirën për t’u rikthyer ndoshta me të tjera fotografi të fondit të pasur të të atit, i cili ka fiksuar në film çdo element të jetës dhe me idenë për të shkruar ku i dihet një libër rreth punës së të atit, që jo vetëm kthehet në vendin e tij por edhe rihap një dialog të madh me të shkuarën dhe anën tjetër të llogores së Luftës së Ftohtë.