Karikatura e Bujar Kapexhiut që paraqet Marko Boçarin dhe Teodor Kolokotronin, teksa bëjnë së bashku simbolin e shqiponjës sjell reagim të mediave greke, duke e konsideruar provokim të rëndë. Flet Kapexhiu për idenë e karikaturës dhe problemin e madh të shkeljes së të drejtave të autorit.
Është art, ironi, sarkazëm, pak humor, por për nacionalistët grekë, pas karikaturës së Bujar Kapexhiut qëndron një provokim i “madh”, që meriton vëmendje të veçantë, e pse jo të bëjë Ministrinë e Jashtme greke të reagojë me ndonjë notë proteste.
Bëhet fjalë për një karikaturë mjaft të gjetur që Kapexhiu botoi pak kohë më parë në gazetën MAPO, ku paraqiten Marko Boçari dhe Teodor Kolokotroni, teksa bëjnë së bashku simbolin e shqiponjës. Për fqinjët tanë, këta dy figura lidhen ngushtësisht me revolucionin grek, por gazeta Newsbomb.gr dhe media të tjera, shkruajnë se ky është një provokim vulgar i shqiptarëve, që i kanë kaluar kufijtë.
Portali thekson se karikatura është shpërndarë nga ‘Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar’ në Facebook. Ata e quajnë këtë një organizatë neonaziste, që promovon antihelenizmin dhe bën thirrje për armatosje të organizatës.
Media greke thotë se pret reagimin e Ministrisë së Jashtme helene në lidhje me këtë ngjarje. Por më shumë se një provokim, për autorin kjo çështje të çon në një lloj sëmundjeje të palës greke, e cila reagon keq ndaj shfaqjes së simboleve kombëtare shqiptare.
“Unë sapo dëgjova lajmin që bëri bujë më parë të ushtarëve shqiptarë të cilët bënë shenjën e shqiponjës dhe i dënuan, m’u duk një absurditet e provokim i tyre dhe për mua i papranueshëm. Më lindi ideja që ne shqiptarët kemi këtë simbol dhe kjo tregon edhe diçka tjetër, që shqiptarët nuk e harrojnë Shqipërinë edhe pse ndodhen jashtë vendit”, -thotë Kapexhiu.
Kjo qe shtysa për të krijuar fillimisht në mendje një karikaturë dhe më pas për ta paraqitur edhe nga ana vizive. Në të vërtetë gjetja ishte e denjë, aq sa përtej artit e humorit, nxiti “shqisat” e portaleve greke, për të parë diçka më shumë dhe konsideruar prej tyre një provokim që kapërcen kufijtë…
“Duke pasur në mendje dënimin e disa ushtarëve të rinj shqiptarë që kryejnë shërbim në Greqi, atëherë mendova se edhe Boçari dhe Kolokotroni kanë qenë Arvanitas, pra Shqiptarë dhe kjo konfirmohet edhe nga ana historike. Arti e lejon ka artificet e veta, fantazinë etj., ndaj unë e solla historinë në kohën tonë. Jam i sigurt që nëse ata do të ishin sot, do të bënin shenjën e shqiponjës”, -thotë Kapexhiu, teksa shton se nuk ka asgjë provokative, është artistike dhe duhet t’u japë një buzëqeshje, një kënaqësi dhe nuk kishin pse të reagonin në këtë mënyrë.
Paçka se Kapexhiu këtë karikaturë e botoi në gazetën MAPO, portalet e shpërndanë në mënyrë të shpejtë, deri në mbërritjen në duart e Newsbomb.gr dhe në faqe të tjera në internet.
Çudia deri në një lloj “çmendurie” arrin deri aty sa kërkohet që Ministria e Jashtme greke të reagojë dhe t’ju kërkojë llogari homologëve shqiptarë.
Në lidhje me këtë bujë, Kapexhiu ka edhe një “thumb” tjetër, kur shprehet se mirë do ishte që mediat greke më shumë se të merren me gjoja provokim, të respektonin të drejtën e autorit dhe madje ta paguanin për përdorimin e karikaturës.
Ndonëse nuk u nis aspak për t’u bërë “mediatik” në Greqi, duket se karikatura e realizuar prej tij arriti të përbëjë jo vetëm lajm në shtetin fqinj, por të arrijnë deri në konkluzione se pas saj fshiheshin provokime të rënda.
Për sa i përket të drejtës së autorit, problematikën e vërtetë e kemi në vendin tonë.
Portale të ndryshme online, madje edhe media prestigjioze vizive dhe të shkruara, janë në “gjueti” të lajmeve që prodhohen dhe nuk ngurrojnë që t’i botojnë pa paguar autorin, apo deri aty pa përmendur as median ku është marrë.
“Sot nuk respektohet në mënyrë absolute e drejta e autorit. Nuk thonë emrin kush e ka bërë, e madje as emrin e gazetës ku e kanë marrë. Nëse ata e kanë marrë janë të detyruar të paguajnë, të japin një shpërblim për këtë gjë. Kjo nuk respektohet” -komenton Kapexhiu.
Sipas tij, nuk është hera e parë që media të ndryshme marrin karikaturat nga MAPO dhe i botojnë në gazeta të ndryshme apo emisione televizive dhe i përdorin në mënyrën më të paligjshme dhe flagrante.
“Po them edhe këtë që përderisa e botove, atëherë gazeta duhet paguar” -shton Kapexhiu.
Duke iu rikthyer edhe një herë ngjarjes së karikaturës që solli reagim, ngjan se nuk është vetëm një çoroditje e mediave greke, por lidhet me qëndrimin zyrtar të shtetit.
Nuk është hera e parë që simbolet kombëtare shqiptare, veçanërisht shqiponja, të krijojnë urrejtje në Greqi.
Tre muaj më parë dy shoferë të Ministrisë sonë të Jashtme u ndaluan në Greqi pasi po transportonin disa libra shkollorë dhe u konsiderua provokim i hapur dhe për ta u vendos dënim me kusht dhe heqje e të drejtës për të udhëtuar në Greqi për disa vite.
Nga ana tjetër mbesin në gjueti për të penalizuar çdo shqiptar që pozon në Greqi me duart e bashkuara të shqiponjës dykrenare.