Me kë është Donald Trump? Çfarë mendon ai për situatën? Kjo është një pyetje që mundon jo vetëm vendet e mëdha, por edhe vende si Shqipëria. Por një shkrim i BBC zbulon se në Uashington është një kaos
Nga Paul Danahar, BBC
Kur ishte vetëm kandidat, Donald Trump deklaroi në fjalimin e tij të parë të madh se “politika jonë e jashtme është një katastrofë totale”.
Zgjidhja e tij ishte zëvendësimi me një slogan: Amerika e para.
Ajo që nuk ka zëvendësuar ai, tani që është president, janë njerëzit që normalisht merren me projektimin e fuqisë së Amerikës në botë.
“Nuk është punë si zakonisht, kur i gjithë kati i sipërm i Departamentit të Shtetit mungon,” më tha një ambasador.
Ambasadorët në SHBA nuk ia kanë idenë se çfarë ndodh këto ditë, për shkak se nuk ekzistojnë ambientet e zakonshme të diplomacisë në SHBA.
Të njëjtën gjë të thonë shumë ambasadorë me të cilët kamë folur në Uashington.
Njerëzit që mungojnë janë nënsekretarët dhe ndihmës/sekretarët e Shtetit, me të cilët diplomatët në kryeqytetin amerikan kryejnë punën e tyre të përditshme.
Për momëntin ka dhjetëra poste pune bosh.
Njerëzit që veprojnë aktualisht në vendin e tyre, nuk kanë autoritetin për të marrë vendime të rëndësishme.
Për fatin e keq të tyre, Uashingtoni është një qytet ku statusi përcaktohet plotësisht nga aftësia për të ndikuar tek të tjerët.
Kështu që ambasadat kanë udhëzuar stafin që të shmangin Departamentin e Shtetit dhe të kërkojnë mënyra të tjera që zëri i tyre të dëgjohet.
Me një president që shihet si plotësisht jo-ideologjik në të gjitha çështjet, përveç tregtisë, koha e shpenzuar ballë për ballë është shumë e rëndësishme.
“Katër minuta me të është më e vlefshme se orë të tëra me dikë tjetër,” më tha së fundmi një kryetar shteti.
Liderët botërorë e kanë pranuar se transaksioni është diplomacia e re.
Një diplomat perëndimor tha se ekipi i tij ka përcaktuar tre grupet e njerëzve që dëgjon Trump.
Është rrethi i ngushtë i këshilltarëve në Shtëpinë e Bardhë, me njerëz si dhëndri i tij, Jared Kushner, ish-bankieri Gary Cohn dhe këshilltari i djathtë Steve Bannon.
Grupi i dytë është kabineti i tij, dhe ndikimi i tyre varion gjerësisht nga personi në person, duke reflektuar kohën që kalojnë në Zyrën Ovalke.
Grupi i tretë është i përbërë nga kontaktet e Trump përpara se të bëhej president në Nju Jork, në industrinë e medias dhe pronave.
Kështu që diplomatët e huaj mundohen të flasin sa më shumë me njerëz të këtyre grupeve.
Diplomacia në Uashington është reduktuar në një version modern të Kremlinologjisë, ku rezultati i çdo politike individuale përdoret për të matur ndikimin e njerëzve.
Nga kjo përcaktohet se kush është lart dhe kush është poshtë, pra kush është i rëndësishëm për të ndikuar.
Sekreti i fajshëm i çdo ambasadori në DC është se gjëja e parë që bëjnë në mëngjes është të kontrollojnë llogarinë e Trump në Twitter.
Kjo është tani rruga më e mirë, dhe ndoshta e vetmja, për të mësuar se çfarë po ndodh në politikën e jashtme amerikane.
Por ndërsa shumë anëtarë të shtypit mund të kenë përqeshur diplomacinë e Twitter-it të Trump, disa politikanë kanë nisur ta pëlqejnë.
“Ka shumë politikanë në botë që po e shohin këtë dhe po mendojnë: A mund të mësoj nga kjo, pasi është jashtëzakonisht e suksesshme”, më tha një diplomat.
“Ky është një tip që nuk ka garuar kurrë për një post publik dhe herën e parë që e bën, merr detyrën më të rëndësishme në planet. Diçka do e ketë bërë mirë”.