Llogaria bankare e gazetës “Rilindja Demokratike” që prej datës 1 nëntor është bllokuar.
Në një shkrim, gazeta e Partisë Demokratike thekson se kjo “është një hakmarrje e pastër politike”.
Gazeta shkruan se diçka e tillë nuk ka ndodhur as në vitin 1991, kur RD përballej me diktaturën.
RD shprehet se qeveria po mundohet ta bëjë të pamundur funksionimin dhe daljen e gazetës në treg.
“Kurrë në këto 27 vite “RD”, por edhe asnjë media opozitare nuk i janë bllokuar llogaritë bankare, aq më shumë në mënyrë skandaloze dhe të kundraligjshme. Kjo nuk ka ndodhur as në vitin 1991, kur “RD” përballej me diktaturën dhe as në vitin e rebelimit famëkeq të vitit 1997.
Duke shpjeguar më qartë absurditetin e këtij vendimi me inspirim qeveritar mjafton të sqarojmë vetëm një moment të këtij absurdi. Bëhet fjalë për një vendim të vitit 2003 të Gjykatës në mbrojtje të një ish-ministri të PS të asaj kohe. Pra, janë kujtuar të bllokojnë llogarinë bankare të “RD” plot 14 vite pasi është dhënë vendimi, duke tejkaluar të gjitha afatet ligjore që përcakton ligji për Përmbarimin.
Qëllimi është i qartë. Përmes bllokimit të llogarisë bankare nga qeveria të bëhet i pamundur edhe funksionimi i gazetës dhe daljes së saj në treg. Gjatë këtyre ditëve kemi pasur vështirësi në marrëdhëniet dhe detyrimet me të tretët dhe kjo ka sjellë anomali në versionin e printuar të gazetës.
Përfaqësive diplomatike dhe lexuesve që na kanë telefonuar këto ditë për të mësuar të vërtetën e këtyre problemeve që është përballur “RD” u themi se kemi të bëjnë pikërisht me këtë bllokim pas të cilit nuk qëndrojnë bedelët përmbarues, që verbërisht zbatojnë urdhra, por inspirimi qeveritar i tellallit në krye të qeverisë që i konsideron mediat kazanë dhe nuk kursen kërcënimet dhe ofendimet ndaj gazetarëve që përçojnë të vërtetën e degradimit të shtetit shqiptar në një shtet mafioz, ku kreu i organizatës kriminale është në të njëjtën kohë edhe kreu i qeverisë.
Bllokimi i llogarisë së gazetës “RD” është një hakmarrje e pastër politike e atij që sot mund të konsiderohet si i Sëmuri i Ballkanit dhe që mendon se mund të shpëtojë këtë pushtet të kthyer në një juntë mafioze, duke mbyllur të gjitha mediat opozitare dhe kritike me të, disa përmes blerjes dhe atje ku nuk arrin që t’i blejë t’u mbyllë gojën përmes instrumentave të një pushteti mafioz, si ky i “RD” me përmbarues,” thuhet në editorialin e gazetës.