Kryeministri Edi Rama shtroi një iftar të madh për besimtarët myslimanë në oborrin e kryeministrisë mbrëmjen e djeshme.
Në fjalimin e tij të gjatë adresuar të pranishmëve, të mbushur me maksima mbi fenë islame, Rama etiketoi edhe Filip Çakulin, drejtorin e emisionit “Fiks Fare”, i cili ishte i ftuar në këtë darkë.
“Disa nga ne kanë ardhur këtu, pas një dite të gjatë të mungesës së bukës dhe të ujit. Disa të tjerë kanë ardhur normalisht për darkën e ditës që mbaron. Ndonjë tjetër mund të jetë kujtuar në momentin e fundit që kishte një ftesë për këtë darkë dhe ka mbërritur me ngut, që të jetë në orar. Për disa, me mbarimin e darkës vazhdon rituali i agjërimit me oraret e veta të pazakonshme, deri në ditën e Bajramit. Për disa të tjerë këtu, mes këtyre mureve fillon dhe mbaron historia e Ramazanit të këtij viti.
Por këto dallime nuk e bëjnë aspak të panatyrshme, përkundrazi, e bëjnë më të bukur sofrën e iftarit, sepse tek e fundit, çdokush ushqehet jo thjesht me çfarë shtrohet në tryezë , por dhe çfarë qarkullon në ajrin e këtij mjedisi, që vetiu përçon diçka ndryshe dhe jo vetëm përmes fjalëve të këmbyera. Për shembull dhe këtë e them pa frikë se gaboj, edhe një ateist i thekur si Filip Çakuli, që si gjithmonë dhe me gjithçka mund të argëtohet dhe të argëtojë tryezën ku është ulur, duke u tallur zemërgjerësisht edhe me këtë ritual, nuk do të mbetet i paprekur, edhe pse sado pa vetëdije, nga energjia pozitive e sofrës së një mbrëmje si kjo.
Në të vërtetë, më e bukura e iftarit të hapur, edhe për Filipin apo edhe për të tjerë, që njësoj si ai për Zot njohin vetëm vetveten, është fakt se iftari ka vend për të gjithë, ashtu siç ka diçka për t’i dhënë të gjithëve, përveç vendit ku janë ulur dhe pjatave që kanë përpara”, u shpreh Rama.
Menjëherë në atë çast kamerat e fokusuan Çakulin, i cili u duk paksa i bezdisur të thoshte “çfarë thotë ky mo vlla…”.