“Brezat e ardhshëm i japin secilit nderimin që meriton”- Taciti
Nga Eugjen Merlika
“Jeta e të vdekurve qëndron në kujtesën e të gjallëve”, shkruante në “Filipiket” e tij oratori i shquar romak, Ciceroni, më shumë se dymijë vjet të shkuara. M’u kujtua kjo thënie kur mora në dorë, për të satën herë, librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)..”.
Kaloi një vit nga ai mëngjes i kobshëm i 20 dhjetorit, që ndërpreu papritmas jetën tokësore të një djaloshi të hijshëm në pamje, të ëmbël në bisedë, të urtë në gjykim, të zjarrtë në ëndrra e ideale…. Mbas një viti jemi përsëri në prag të festave, edhe se atë djalosh nuk e kemi më në mesin tonë, sepse e priste një tjetër mision diku, sipër nesh, në dritën e pasosur… Në vend të Tij kemi këtë libër, që shoqëron dhimbjen tonë, duke e shumëfishuar sa herë e lexojmë, jo vetëm për plagën që nuk ve kurrë kore, por edhe për mendimet që na ka lënë : një radiografi e Atdheut, me entuziazmin e djaloshit student dhe gjykimin e plakut të thinjur, me mallin e birit të larguar dhe rreptësinë e gjykatësit të paanshëm.
Atjon Zhiti hyri në shtypin shqiptar me një shkrim befasues : “A jemi gati për atë që duam?”. Nuk ishte shkrimi i parë i Tij, ishte botimi i parë, kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. Mes dy pyetjeve që nisin dhe përfundojnë përsiatjen e djaloshit, i cili prej pak muajsh kishte filluar të studionte filozofinë në Universitetin Katolik të Milanos, shpaloset në një stil tepër të përkorë, analiza e një vëzhguesi të imtë, të saktë e shumë objektiv. Nuk është vëzhguesi i paanshëm që sodit me ftohtësinë e të painteresuarit, duke zbuluar plagë, dobësi, mangësi e shkruan një reportazh që ngjall diskutime. Është një kirurg që merr bisturinë dhe e përdor me dhimbjen e birit, i cili sheh lëngimin e nënës e përpiqet ta shërojë. I jep asaj gjithë dashurinë e Tij, por e di që ajo vetëm nuk mjafton, ashtu siç nuk mjafton edhe të ndenjurit në hije, të jetuarit me të ardhurat e së shkuarës, sado e pasur të ketë qenë në bëma të mëdha e fisnike. Thika hyn thellë në kurmin e popullit të Tij, duke zbuluar me dhimbje se ai, historikisht e deri në ditët e sotme, kur është kthyer në një “rrethinë” të qytetit të stërmadh të globalizuar vazhdon të mbetet “prè e nepotizmit, e korrupsionit …. , e një demokracie fiktive, shpesh të munguar”. Kjo gjendje lëngate i ka vrarë kundër trupëzat që luftojnë sëmundjen dhe autori vë re se ballafaqimi me popujt e tjerë, në të njëjtat kushte, nuk qëndron. Por nuk jepet, sepse e don popullin e Tij e gjen zgjidhjen në “një kryengritje morale të vazhdimtë”. Është një recetë, më shumë e studentit të filozofisë se sa e atij të politikës, por mbetet gjithmonë një përpjekje për rrugëzgjidhje, mbasi për Të nuk ka kuptim paditja e së keqes pa gjetur mënyrën e luftimit të saj.
Rrugëzgjidhja, për Autorin, kalon nëpërmjet një procesi ripërtëritjeje morale e qytetare, ku dogma kryesore e jetës sonë të përbashkët duhet të jetë respektimi i ligjit. Shteti i ynë, me përjashtim të viteve të Mbretërisë, në të cilët u bë një përpjekje, disi e frytshme, për të marrë trajtat e shtetit ligjor, brenda caqeve të një shoqërie të dalë prej pak kohe nga sundimi otoman, nuk arriti kurrë të afrohet në standardet e kërkuara. Është ky problemi kryesor i shoqërisë shqiptare, pa zgjidhjen e të cilit nuk ka shpresë përparimi. Është i vetëdijshëm Djaloshi Zhiti për këtë anomalì të jetës sonë dhe shkruan artikullin “Bota nuk është e rrumbullakët për të gjithë, varet nga drejtësia dhe Shteti…. “
Po të mos mbante firmën e Tij, ai shkrim do t’i vishej ndonjë juristi, apo ndonjë studiuesi të moshuar, mbasi më duket e vështirë të besohet se është përfundimi logjik i analizës së një 18-vjeçari, kaq i saktë teorikisht e me përgjegjësi qytetare, guxim dhe çiltërsi mendimi është shkruajtur. “Duket sikur ai princip aq i lartë nuk thotë se të gjithë ne jemi të barabartë përpara ligjit, por sikur të gjithë ne kemi mundësi të barabarta të përshtatim ligjin sipas njohjeve e mundësive tona.” Sa të sakta tingëllojnë sot, në Shqipërinë “evropiane” të korrupsionit të zgjeruar, këto fjalë të Atjonit, të shkruara para dy vitesh, kur sapo ishte vendosur në pushtet Qeveria e “Rilindjes” shqiptare. Arsyeja kritike e Djaloshit të ri kapërcente demagogjinë e politikës së fitimit të votave dhe vinte gishtin mbi plagë. Por plaga ishte aq e pëgërë, e mjekët që duhej ta shëndoshin aq të pabesueshëm, saqë përfundimi i arsyetimit të Tij e çon në një zgjidhje radikale, e cila nuk ishte në natyrën dhe botëkuptimin sokratian të Autorit të ri : “Padyshim që shteti i tillë meriton një lloj asgjësimi dhe çdo element i tij përbërës, pra qeveria, opozita, shtetarët, shtetasit (prej indiferentizmit), institucionet.” Është një nga pikat kulmore të revoltës së brendshme të një eksponenti, ndoshta më i spikaturi i brezit të Tij, që e shpërthen nëpërmjet rreshtave të një artikulli që mbetet në kuadrin e tij, si pasuri e ndonjë lexuesi të vëmendshëm e vetëm kaq. Ndërsa duhej të ishte një kushtrim brezi për të filluar punën për “ringjalljen” e Kombit, për të shpejtuar kohët se jemi tepër të vonuar.
Sa largpamës tingëllon mesazhi revolucionar i Tij sot, kur zonja Romana Vllahutin, një gazetare kroate, në rolin e përfaqësueses së BE në Tiranë, rendit në një takim zyrtar me gjyqtarë e politikanë, të gjitha mangësitë e shfaqjet e ndryshme të korrupsionit në organet tona gjyqësore dhe administrative, hapur, pa doreza, pa mbajtur parasysh “politically correct”, sepse kufoma kutërbon dhe infekton. Gjyqtarë, milionerë në euro, duke patur një rrogë mujore prej 1500€ nuk mund të ketë, veçse duke shitur fshehtas vendimet gjyqësore me zarfe kartëmonedhash, duke penalizuar poshtërsisht ata që nuk kanë para kundër së drejtës….. Duket sikur jemi kthyer në shekullin XVIII të osmanëve në Shqipëri, kur bejtexhiu Hasan Zyko Kamberi shkruante: “Kadiut po t’i rrëfesh paranë Ters e vërtit sherianë Për para se ç’e shet t’anë Ja di kimenë parasë”. Shkrimi mbyllet me disa konsiderata të Konicës, “i vetmi politikan që ka pasur Shqipëria këta dy shekujt e fundit” mbi rininë shqiptare. Mjaft aktuale pyetjet e Konicës edhe për ditët tona, jo aq e saktë konsiderata e Autorit për të.
Në shkrimin “Kur u shpik 1+1 : mizoria që lulëzon nga dobësia” vazhdon argumenti i trajtuar më sipër. Autori pyet : pse korrupsioni është sistem ? Shpjegimi është një përpjekje për të diagnostikuar një shoqëri komplekse që, në mjedisin e ri të “ekonomisë së tregut”, pa rregulla e kontrolle dhe në një marrëveshje të fshehtë ndërmjet financës, kapitalit të paligjshëm e politikës pjell përbindësha që respektohen e admirohen, madje merren si modele nga pjesa më e madhe e shoqërisë.
“Kush e bën sot politikën në atdhe?” pyet Autori në shkrimin “Kur politika nuk dallohet nga rruga”. Përgjigjen e jep vetë : “Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptar. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.”
Nga drejtësia e sëmurë kalohet tek politika pa themele morale e kthyer, nga një mision në shërbim të një populli të dalë nga ferri komunist, që e ktheu në një kavje të sprovës më të paskrupullt të historisë së tij, në një garë pasurimi të paligjshëm mbi kurrizin e tij. Politika bëhet zotëruese e së “vërtetës absolute”, nuk shfaq kurrë prirjen për t’u vetëqortuar, nuk pranon kurrë gabimet e saj edhe se rezultatet janë zhgënjyese. Autori e krahason me qeniet e gjalla jo kurrizore që nuk kanë intelektin për të përpunuar perceptimet e marra nga mjedisi, pra të paafta të ndryshojnë diçka nga vegjetacioni i tyre. Por e keqja nuk mbetet vetëm në kastën ajo shtrihet deri poshtë, nëpërmjet aksiomës “të gjithë bëjnë kështu”, që paralizon çdo përpjekje për të luftuar shthurjen, paaftësinë, imoralitetin e politikës që ka dalë në rrugë, në vend që të qëndrojë në majë, në krye, të drejtojë,të japë shpresa, të hapë horizonte. Por ajo që është edhe më shqetësuese për Autorin, është kjo formë e sëmurë “të mësuari”, mirëkuptimi, madje zilije për atë dukuri, atë punë që siguron para, pushtet. Nëse e keqja është tek pak njerëz mund të shpresohet të çrrënjoset, nëse është e përgjithshme ajo kthehet në një epidemi që çon në një shoqëri të shënuar nga “pseudo të vërtetat” e “pseudo vlerat”. “Shembujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vjetësh” mbyll përsiatjen e Tij Djaloshi atdhetar, që ka mprehtësinë e pazakontë për moshën t’a shohë realitetin në dritën e tij të vërtetë.
“Kulla eme nuk asht e vetme” është, simbas mendimit tim, eseja më e veçantë e veprës së Atjon Zhitit. Është e shkruar në gegërishte dhe e firmosur me pseudonimin Dardan Shkreli. Duket një përpjekje për t’u kthyer në origjinë, për të rrokur me mendim, kujtesë, përfytyrim, mall, Shqipërinë e vjetër, mijëravjeçare, patriarkale, por dhe atë të burrave të fjalës e grave fisnike, të besës, të traditave, por edhe të njerëzve të ngujuar në kulla, të gjaqeve të marra, të jetës baritore. Autori nuk është një romantik sentimentalist që strehohet në të kaluarën, për t’i ikur së sotmes që nuk e kënaq e për të cilën është mjaft i zhgënjyer. Mbetet gjithmonë për moshë e formim, një “idealist por pa iluzione”, siç shprehet në gazetën e Tij elektronike “Mesi radikal”. Vështrimi i Autorit për atdheun e vërtetë mijravjeçar përkon me atë të intelektualëve atdhetarë si Fishta, Gurakuqi, Kruja, Koliqi, Camaj etj., që popullin e tyre e shohin në dritën e tij të vërtetë, duke vënë në teh të kritikës të metat, prapambetjen, përtacinë, individualizmin skajor, por vlerësojnë burrërinë, besën, trimërinë e të tjera virtute. Atjoni fshikullon mendësinë e trashëguar të respektimit të autoritetit të fituar me dhunë, pasojë e një historie të gjatë, në të cilën shqiptari nuk pati kurrë Shtetin e tij e vonë, shumë vonë, filloi të formojë vetëdijen kombëtare. “Krijimi i një vetëdije të tanve na mungon edhe sot e kësaj dite. Ky dhé mujt me ba shumë por kurrë nuk kena dijtë me e frymzue e me e shfrytzue.”
Ka një notë kritike të mprehtë, jo vetëm për popullin që respekton dajakun, por edhe për prijësit e tij që nuk kanë ditur ta edukojnë në frymën e vlerave të vërteta qytetare, ta frymëzojnë në rrugën e përparimit, të punëve të dobishme, të kushtimit interesave të përgjithshme, të bashkësisë, të Kombit. Në rrjedhë të shekujve, ky popull, i sulmuar nga të gjitha anët, nga Lindja e nga Perëndimi, nga Veriu apo nga Jugu, nuk e humbi kurrë identitetin e tij, gjuhën e traditat. Ky fakt tregon forcën e brëndëshme por, në një farë mase, edhe konservatorizmin e tij, mos pranimin me lehtësi të ndryshimeve, respektin për kodin e tij gjenetik. “Shqiptari, kjoft i krishtenë a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombësia e vet” vë re Djaloshi filozof, që e shikon këtë fakt në vështrim pozitiv, sepse ndryshimet fetare nuk janë kthyer kurrë në luftëra vëllavrasëse. Është një cilësi e veçantë e identitetit shqiptar, sot e vlerësuar më shumë se kurrë nga bota, një nga të paktat aspekte të jetës sonë si popull, për të cilën me të drejtë mund të merremi si shembull. Përsiatja e thellë e Autorit të ri na çon në një përfundim, sa origjinal aq dhe të dobishëm, që do t’i shkonte më shumë për shtat një malësori të thinjur në interpretimin e kanunit se sa një djali të ri që studion filozofi në Milano.
Urtësia e studentit arrin të depërtojë në thelbin e problematikës shqiptare. Në gjysmën e dytë të shekullit XX, si pasojë e strategjisë depersonalizuese të regjimit komunist, shqiptarët humbën gjithë arsenalin e vlerave morale, me të cilat kishin ruajtur identitetin e tyre në shekuj furtunash e dimrash të acartë. “Duhet me iu kthye virtyteve, se krahas kulturës intelektuale ka edhe një kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj i a vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje të virtytshme.
Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…. “
Fundi i esesë përmbledh, në pak fjalë, historinë dhe filozofinë, krenarinë dhe përvuajtjen, urtësinë dhe largpamësinë, simbiozën e përkryer të Autorit të ri me Atdheun e Tij të lashtë. “Jeta është një betejë e përhershme dhe filozofia është bari i vetëm që mund të vihet mbi plagët që marrim nga çdo anë.” Kështu shkruante, më shumë se dy shekuj e gjysmë të shkuara filozofi i madh iluminist francez, Voltair-i. I gjithë raporti i Autorit student me jetën e Vendit të lindjes përshkohet nga nocionet filozofike. Në çdo proces njohjeje apo analize paraprin koncepti filozofik që drejton vëzhgimin e realitetit, perceptimin e tij, dhe përfundimet logjike. Në “Konflikti i individit me botën sociale ku ai jeton” gjejmë një paraqitje të konceptit të individit në vizionin e filozofëve që nga Aristoteli deri tek Nietzche dhe Kierkegard. Individi është në ecje të vazhdueshme, në evolucion, i shoqëruar përditë nga lufta e brendshme, konflikti i përjetshëm mes tokësores, botës së shqisave, zotërimit të instinkteve dhe hyjnores, intelektit, shpirtit që ngrihet mbi botën reale, që bashkon të shkuarën me të ardhmen, në një grumbull vlerash edhe të panjohura. Kjo luftë mes reales dhe të përfytyruarës, mes pragmatizmit tokësor dhe “asaj diç pas vdekjes”, siç thoshte Shakespeare-i, kjo betejë e pranishme në mendjen e pjekur të Djaloshit filozof e çon atë në një pyetje të vështirë, së cilës ai përpiqet t’i japë një përgjigje, jo nëpërmjet shpjegimesh filozofike, por të një thjeshtëzimi moral të koncepteve, në dobi të njeriut dhe të botës që e rrethon. Për Autorin, ajo përplasje mendimesh që ka çuar përpara njerëzimin, deri në lartësitë e shkencës së ditëve tona, nuk duhet të kthehet në një luftë pa kufi ndërmjet pjesëmarrësve të një populli apo të një shoqërie, siç ka ndodhur në Vendin e Tij, me pasoja tragjike të njohura, tepër larg “vuajtjes intelektuale” që ëndërron Ai.
Sigurisht, shkrimi dëshmon një pjekuri të mirëfilltë, përmbi të gjithë treguesit e natyrshëm të moshës apo të nivelit të arsimimit.
“Eutrofizimi politik” trajton temën e ndryshimeve demokratike në Shqipërinë e çerek shekullit të fundit që doli nga letargjia e rëndë e diktaturës enveriste me një mal shpresash e dëshirash për t’u bërë “si gjithë Evropa”. Mbas gati një të katërt shekulli gjendemi përsëri në tranzicion dhe Evropa mbetet ende një ëndërr. Shqipëria është kthyer në “një moçalishte të politikës”. Është një metaforë që ve në dukje mungesën e ideve ndërtuese, të projekteve, asfiksimin deri në zhdukje të idealeve, zhbërjen morale të klasës politike, në pjesën më të madhe të saj. Të gjitha këto çojnë në atrofizimin e plotë të vlerave e motiveve shtytëse, me pasoja vdekjeprurëse për ecjen përpara të Vendit, madje në një vdekje klinike të vetë idesë së zhvillimit, që zëvendësohet nga imoraliteti i demagogjisë dhe i mashtrimit.
Në një shkrim që mban titullin “ Atdhetarizëm jo si ndeshje” apo “Arena moderne”, një nga të fundit, që mban datën 17 tetor 2014 e që frymëzohet në Tetovë, duke patur si sfond incidentin e ndeshjes së futbollit Serbi – Shqipëri në Beograd, shpalosen konceptet e Autorit për patriotizmin si ndjenjë e si ide në ditët tona. Përkufizimet e Tij mbi konceptin janë frut i një evolucioni mendor që nuk huazon asgjë nga mendësia 50-vjeçare e regjimit, në të cilin dashuria për atdheun ishte instrumentalizimi më i përçudshëm që i bëhej vetë kuptimit të termit, sepse njëjtësohej gjithmonë me “besnikërinë” ndaj partisë, pushtetit e botës komuniste. Për Atjonin, Djaloshin me mendësi evropiane, patriotizmi është “kënaqësia e krenaria për progreset e arritura, për kulturën që ekziston në dheun, ku kjo ndjenjë të përket, për dëshirën për të ruajtur karakteristikat, trashëgiminë e pse jo dhe traditat…”. Atdhedashuria është një ndjenjë e brendshme e njeriut, një tregues i afërsisë shpirtërore të individit me mjedisin njerëzor në të cilin lind e rritet. Në këtë kënd vështrim ajo mbetet një ndjenjë subjektive dhe e kushtëzuar nga rrethanat shoqërore në të cilat jeton njeriu, pra edhe të trajtimit që pëson nga shteti e shoqëria. Në rastin e Shqipërisë e të regjimit të saj diktatorial, veçanërisht mizor, ruajtja e ndjenjës atdhetare nga të gjithë ata që u luftuan me të gjitha mënyrat, duke u privuar nga të gjitha të drejtat, duke jetuar në burgje apo në kampe internimi, të dalluar me gisht si “armiq të klasës” është me të vërtetë një mrekulli. Ata e deshën Atdheun edhe në fytyrën e policit që i ndoqi gjithë jetën, por Atdheu për ta qe një njerkë si te përrallat e vazhdon të jetë edhe sot.
“Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka dhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standard, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin. Ndërkaq një individ i tillë, që ndihet i përfshirë në këtë “rrymë”, vendos interesat e kombit përpara atyre personale, diçka e tillë “leverdis” shumë e më shumë, se sa të varfrat nevoja vetjake”. E solla të plotë këtë fragment të shkrimit, sepse e quaj të vlefshme për t’u vënë në kornizë me germa të mëdha e për të stolisur shtëpitë e shqiptarëve kudo në botë. Ideja e atdhedashurisë si “një vlerë morale” që “duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin” nuk është thjesht një pohim i asaj që secili duhet të ndjejë. Është një thirrje për të përvetësuar vlerat morale, për të qenë njerëz, në kuptimin e vërtetë të fjalës e për ta vënë personalitetin tonë në shërbim të përfytyresës së Atdheut, të imazhit të tij kudo, në Vendin tonë e në botën e madhe ku jemi shpërndarë e ku jetojmë. Atjoni na porosit që të mos e njollosim atë imazh, të mundohemi çdo ditë ta ndriçojmë me sjelljen tonë, me punën e përditshme, me respektimin e vlerave njerëzore kudo ku jemi, në Shqipëri apo jashtë saj, në detyra të larta shtetërore, apo në punë të thjeshta e të ndershme. Ndihmesa në atë imazh nuk ka monopol, është detyrë e të gjithëve. Se si e kemi kryer këtë detyrë në çerek shekullin e fundit, secili le ta shqyrtojë në vetvete, duke filluar nga ata që kanë drejtuar Shtetin, institucionet, politikën, shoqërinë e deri tek ata që kanë përfunduar në burgjet e Evropës, apo nëpër rrugët e saj, madje dhe ata që kanë shkuar të luftojnë në Siri. Djaloshi filozof, veç mësimit që na jep, na ve secilit një pasqyrë përpara të shohim veten.
Ai vetë, detyrën e Tij e kreu duke përfaqësuar Shqipërinë në forumet evropiane të bashkëmoshatarëve në një nivel të admirueshëm. Por duke shëtitur nëpër rrugët e Tetovës shqiptare, mendimi i Tij kthehet në 70 vitet e shkuara, kur ideja e Kombit të bashkuar është braktisur paturpësisht nga klasa politike komuniste e pas komuniste. “Nuk ka pasur një politikë etnike reale” pohon me keqardhje Djaloshi mes bashkatdhetarëve që sot bota i quan maqedonas. Që këtej, detyrimi atdhetar e qytetar që “të vendosim të parat shkencërisht të drejtat tona si komb e të drejtat tona historike” i pasuar nga një kërkesë e ligjshme e brezit “dua forcë e vendosmëri për shtetin tim”. Ka më shumë atdhedashuri, qartësi e largpamësi politike në këto fjalë se sa në gjithë fjalimet e bisedat e politikanëve shqiptarë të marrë së bashku.
“Në kërkim të Agartit” është një esè e shkurtër, ndoshta e para e Autorit pesëmbëdhjetë vjeçar. Një ditë shtatori e vitit 2010, duke shëtitur nëpër rrugët e Durrësit, Atjoni kujtonte të shkuarën e këtij qyteti, fillimin e tij që humbiste në legjendat e thuhej se lidhej me emrin e fenikasve, një popull lundërtar që kishte themeluar shumë qytete në brigjet e Mesdheut. Nxënësi i liceut klasik “Giulio Cesare” të kryeqytetit italian, risillte në mendjen e Tij historinë e këtij qyteti 2700-vjeçar. Mbi të kishin kaluar të gjitha qytetërimet e kontinentit, kishte pësuar më shumë se 50 ndërrime pushtuesish të shumë kombësive. Fillon të mendojë për jetën dhe kuptimin e saj, mbi qenien e formimin e saj të brendshëm, mbi natyrën njerëzore e prirjet e saj të përjetshme në kërkim të qëllimit të ekzistencës. Gjatë këtyre përsiatjeve i vjen në mëndje miti i Agartit në Hindinë e lashtë. Agarti është një vend imagjinar i kërkuar, si një strehë e pafund që kthehet në një mit që përfaqëson dëshirën e përjetshme të njeriut për të qenë i mbrojtur nga fatkeqësitë e natyrës, por edhe nga luftërat brenda gjinisë. Për nxënësin e ri Agarti është “kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie, që te njerëzit e sotëm na mungon.” Autori është ithtar i Sokratit dhe shprehjes së tij të famshme : “Njih vetveten”. Eseja tregon pjekurinë e parakohshme të Djaloshit, natyrën e tij përsiatëse, thellimin e pazakontë në dukuritë e jetës.
Ishin këto disa nga konsideratat që më erdhën në mëndje duke rilexuar librin e Atjon V. Zhitit “Për atë që dua (m)…” Me dhimbje të thellë kuptoj se ato shkrime nuk mund të kenë vazhdim, sepse Autori nuk mund të shkruajë më. “Jeta jonë tokësore është vetëm një pjesë e vogël në gjithë rrugën e qenies sonë” , shprehej Mathias Claudius (1740 – 1815), një poet gjerman. Nëse kjo është e vërtetë për të gjithë njerëzit që kryejnë ciklin normal të jetës, për Djaloshin tonë ajo qe si një shkreptimë rrufeje. Një vit mbas ikjes së Tij, duke lexuar këtë libër, mund të përfytyrojmë se ç’humbje madhore pësuam të gjithë në atë 20 dhjetor 2014….
Sa e dobishme do të ishte pena e Tij, sa e rëndësishme dhe mobilizuese do të ishte fjala e Tij, sa shpresëdhënëse do të ishte prania e Tij në përfaqësimet e ndryshme të rinisë shqiptare në ballafaqimet me kontinentin dhe botën, sa i frytshëm do të ishte ndikimi i personalitetit të Tij mbi bashkëmoshatarët në lindjen e një shprese, për të patur me të vërtetë një klasë politike të re, bashkëkohore, atdhetare e të kulturuar, aq të domosdoshme për fatet e Kombit tonë.
Atjoni kaloi në qiellin e publicistikës shqiptare si një meteor i shkëlqyer. Koha e pranisë së Tij, fatkeqësisht, qe tepër e shkurtër, por ato shkrime, për të cilët fola më sipër, i japin jetëgjatësi Emrit të Tij, sepse vlerat e tyre nuk i nënshtrohen ligjit të parabolës. Ato mbeten të përhershme sepse tashmë kanë hyrë në thesarin e pasurisë sonë kulturore. Ato vlera bëjnë që Atjoni të mbetet një meteor që do të ndriçojë gjithmonë qiellin tonë të hirtë, i ngulitur thellë në kujtesën tonë, i përkëdhelur gjatë në shpresat tona, për të pasur një ditë një Atdhe të bashkuar, bashkëkohor, evropian, të qytetëruar, siç e përfytyronte, e konceptonte dhe e donte Ai.