Një këshillë bashkiakëve të Jugut, për “konsorciumin” Kokëdhima
Gazetri Mero Baze ka kritikura ashpër nismën e Kordinatorit të Rajonit të Jugut për PS-në, Koco Kokdhima, për të krijuar një “konsorcium”, bazuar mbi partneritetin publikprivat, i cili përfshin brenda tij rreth 8 kompani biznesi dhe 11 bashki të majta, që kanë fituar në Jug.
Baze iu ka bërë thirrje bashkive që të heqin dorë nga një aventurë e tillë.
Ja çfarë shkruan ai:
E para që “konsorciumi” i ideuar nga deputeti Kokdhima, bazohet mbi përdorimin e pushtetit politik, për të favorizuar një klientelë të caktuar biznesi në raport me bashkitë e fituara nga Partia Socialiste, duke i tërhequr ato në një partneritet që u kushtëzon, tregun e ideve, tregun e prokurimeve dhe potencialet e tyre për zhvillim. Sipas statutit dhe objektiave të “konsorciumit”, ato do të përfshihen në një rreth të mbyllur ofertash, të formuar nga ky konsorcium, dhe që do të shmangin ligjet kryesore mbi të cilat operon partneriteti publik privat në Shqipëri, që është ligji i prokurimit publik, dhe ai i ankandeve. Cdo institucion publik në Shqipëri nëse kërkon të blej dicka, duhet ti drejtohet tenderit dhe nëse do të shes dicka, duhet ti drejtohet ankandit.
Cdo shmangie nga ky rregull, përbën një cënim të lirisë ekonomike në vend, penalizim për shpërdorim detyre dhe favorizim për qëllime fitimi të grupeve të caktuara të interesit.
Së dyti konsorciumi nuk është një kompani që mbështetet mbi ndonjë objektiv konkret, por mbi “kapjen” e pushtetit lokal nga një grup biznesmenësh dhe kryeideatori i tyre Koco Kokdhima. Për shembuyll, në listën e 11 bashkive që janë paraparë të jenë aksionere, nuk është e përfshirë Bashkia e Përmetit, që është e fituar nga Partia Demokratike.
Kjo nuk është ndonjë humbje për Bashkinë e Përmetit, por një shenjë se si dhe përse është ngritur ky “konsorcium”.
Pra ai nuk është, as proesional as afatgjatë, por një projekt politik i cili bie erë “kapje shteti”.
Së treti “konsorciumi” i këtij tipi nuk është ndonjë ide e re. Është as më shumë as më pak, studjoja ligjore e Argitës, apo canta e zezë e Shkëlzenit, që detyronin cdo biznes apo ofiqar të shtetit, të operonte përmes tyre duke i kërkuar dikujt 3 për qind për suksesin e projektit, dikujt 200 euro për orë, dhe të tjerëve dhe miliona. Për të mos e kopjuar direkt “Familjen Berisha”, ideatori Kokdhima, ka shpikur terma më kapitalist, sic është “konsorciumi”, por që në thelb është një hallk sekserësh, mes 11 bashkive dhe 8 kompanive private, të cilët do bëjnë sikur do bashkojnë fondet për të ndihmuar njëri tjetrin, por në finale do të jenë objekt hetimi dhe përbaltje politike, në atë formë, që nuk ja vlen të shkosh si “qeni në vreshtë” me mend e Kokdhimës.