Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka shpeshtuar takimet me aktorët kryesorë të politikës këtë fund viti; misioni i tij është mbledhja e 94 votave për reformën në drejtësi deri pranverën e 2016-s. I njohur gjerësisht si “kumbari” që po shtyn përpara paketën e nxehtë ligjore, ai ka marrë përsipër rolin e negociatorit me kundërshtarët e reformës dhe komunikimin pa dorashka me shqiptarët.
“Këta njerëz kanë frikë se do të humbin vendet e punës dhe të ardhurat e pista. Këta njerëz kanë frikë se do të përfundojnë në burg. Ndoshta, këta njerëz duhet të kenë frikë,” tha ai në një dalje të fundit publike.
Reforma në drejtësi nisi vjeshtën e vitit 2014- më shumë si produkt i presionit ndërkombëtar mbi Shqipërinë “e korruptuar”, sesa shprehje e një vullneti të brendshëm për ta luftuar atë. Kjo reformë është kushti kyç që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për çeljen e negociatave.
Një rrjet i gjerë ekspertësh të ligjit, i ngritur pranë një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi ka prodhuar kornizën e ndryshimeve kushtetuese. Në shtator 2015, projektligji iu dërgua për mendim Komisionit të Venecias.
Paketa e ndryshimeve kushtetuese redukton kompetencat e Presidentit mbi sistemin gjyqësor, rikompozon Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe decentralizon institucionin e Prokurorisë. Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e një komisioni të posaçëm, i cili synon të pastrojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.
Megjithatë, efektet e reformës pritet të shtrihen tek elita politike, e cila perceptohet si përgjegjëse për korrupsionin e lartë dhe kulturën e pandëshkueshmërisë në vend.
Spartak Ngjela-një lobues i hershëm për një reformë të thellë mendon se drafti aktual është një hap i parë i mirë, edhe pse fokusohet tek skartimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve më shumë se sa tek ngritja e sistemit.
Sipas tij, ndërtimi i një sistemi të fortë ligjor i jep fund një marrëveshjeje të fshehtë, që politika ka bërë me gjyqësorin në Shqipëri.
“Paaftësia për të ngritur sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni i lartë i politikës shtetërore kanë krijuar një marrëveshje të brendshme me dy streha të ngrohta për politikën dhe gjyqësorin”,- thotë Ngjela për BIRN.
Konsensus?
Përgjatë vitit 2015, reforma në drejtësi dominoi debatin publik në vend duke u vendosur përballë një numri jo të vogël kundërshtarësh. Njerëzit e sistemit-prokurorë dhe gjyqtarë shprehën skepticizëm për propozimet ligjore dhe ndryshimet drastike që pritet t’u imponohen së shpejti.
Presidenti Bujar Nishani, kompetencat e të cilit rrudhen dukshëm u shpreh kundër mënyrës se si po realizohej reforma.
Partia Demokratike në opozitë refuzoi fillimisht të përfshihej në proces, duke akuzuar kreun e ekzekutivit Edi Rama se po tentonte të kapte institucionet e pavarura.
Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI, aleate në qeverisje me kryeministrin Rama kërkoi gjithashtu që reforma të mos miratohej pa konsensusin e opozitës.
Megjithatë, një vendim i ndërmjetëm i komisionit të Venecias mbi propozimet ligjore i ka zbutur tonet e kundërshtarëve. Në rekomandimet e veta për paketën e ndryshimeve kushtetuese, komisioni i Venecias kërkon distancë më të madhe mes ekzekutivit dhe gjyqësorit dhe rrëzon pikën e diskutueshme të ndërprerjes se mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Reflektimi i këtyre rekomandimeve mbi projektligjin ekzistues rrezikon të shtyjë në kohë miratimin e reformës.
Arjan Vasjari-analist politik argumenton se megjithë kundërshtitë, kjo klasë politike e ka tanimë të pamundur të rrëzojë miratimin e reformës. Duke e cilësuar reformën në drejtësi esenciale për vendin, ai thotë se ajo e tejkalon madje edhe vullnetin e politikës në raport me të.
“Politika është në kushtet e pamundësisë historike për ta kundërshtuar reformën në drejtësi. Ajo është e detyruar t’i nënshtrohet asaj”,- tha Vasjari për BIRN.
Dashamir Shehi, një deputet i Parlamentit dhe zë i moderuar i opozitës bie dakord me faktin se reforma do të miratohet, pavarësisht pakënaqësive. Por ai i bën thirrje mazhorancës aktuale të Edi Ramës të tregohet e arsyeshme dhe të mos e shohë këtë reformë si një mundësi për të kapur drejtësinë.
“Si opozitë, ne kundërshtojmë disa pika, pasi kjo reformë fuqizon rolin e ekzekutivit. Gjykimi ynë është të lihet në dorë të ekspertëve ndërkombëtarë, të bëhet i pranueshëm për të gjitha palët; të jetë një reformë që mund të aplikohet në kushtet e Shqipërisë”,- tha Shehi.
Ideja se mazhorancat tentojnë të kapin pushtetin gjyqësor është e vjetër në Shqipëri. Në të shkuarën, reformat kanë qenë të njëanshme, ndërkohë që sistemi i drejtësisë është perceptuar shpesh si një zgjatim i politikës.
Për të shuar këtë diskutim, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Europian në Tiranë e kanë prezantuar veten si bashkëautorë të reformës.
Kjo garanci e bind Ngjelën të mendojë se pretendimet e opozitës se reforma fuqizon kryeministrin janë një pretekst dhe naivitet. Ndryshe nga Shehi, Ngjela argumenton se çështja në Shqipëri shtrohet mbi premisat për të ngritur një sistem të aftë, i cili mund të hetojë pa dallim politikanët e korruptuar.
“Atyre që pretendojnë se fuqizohet Rama u them: po ambasadori amerikan ç’kërkon në këtë histori? Ata kërkojnë të fusin në burg të korruptuarit. E ç’rëndësi ka kush fuqizohet, pasi të korruptuarit të futen në burg?”,- pyet ai.
Pasojat mbi politikën
Reforma në drejtësi ka rritur pritshmërinë e publikut dhe ka shtuar shqetësimin në radhët e politikës dhe gjyqësorit. Efektet që mund të lindin prej saj janë të shumëfishta; një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh pritet të lënë postet, ndërsa një sistem i pastruar drejtësie kthehet në një kërcënim për estabilishmentin politik të Shqipërisë.
Aplikimi në kushtet e Shqipërisë mbart një ekuacion me shumë të panjohura.
Si mbështetës i hapur i reformës, analisti Arjan Vasjari shpjegon se reforma do të rrisë qartë dhe pa alibi ekspozimin e politikës ndaj së drejtës. Megjithatë, ai ruan një dozë vetëpërmbajtjeje për pritshmëri të larta.
Shkak janë njerëzit që do ta bëjnë reformën-çka e shtyn Vasjarin të mendojë se efektet e saj do të shtrihen gjatë në kohë.
“Ne po reformojmë sistemin, jo njerëzit”,- argumenton ai.
Spartak Ngjela mendon se kjo kohë ka ardhur për Shqipërinë. Ai i referohet për analogji shembullit të Rumanisë dhe Bullgarisë-vende të cilat kanë kaluar më parë në të njëjtën rrugë dhe që iu nënshtruan presionit ndërkombëtar për të luftuar korrupsionin.
“Në të kundërt, kostoja do të ishte shumë e madhe. Ekonomia do të degradojë në mënyrë të tmerrshme dhe kjo do të shoqërohet me embargo dhe izolim ndërkombëtar për Shqipërinë,” parashikon ai.
Dashamir Shehi këmbëngul se vetëm cilësia e reformës dhe pranimi i saj nga të gjitha palët do të ishte një garanci për sukses në implementimin e saj.
“Qëllimi i kësaj reforme është të dënojë zullumqarët e politikës. Qëllimi është të pastrojë sistemin e drejtësisë-i kthyer në një zullumqar të madh në vetvete. Po s’i bëri këto, mbetet një fjalë e madhe, por bosh”,- përfundon Shehi./BIRN/