Gazetari i MAPO-s, Leonard Bakillari, fitoi çmimin e parë të Bashkimit Europian për Gazetarinë Investigative për vitin 2015 në Shqipëri, për artikullin mbi korrupsionin në gjyqësorin shqiptar.
Shkrimi i mbështetur nga Birn Albania dhe publikuar në reporter.al e MAPO dhe është një hulumtim i thelluar i të ardhurave dhe fitimeve prej miliona euro, të trupës së gjykatësve të Apelit në Tiranë gjatë 10 vjetëve që ishin në funksionin e gjykatësit.
Çmimi i dytë i shkoi Ornela Liperit të revistës Monitor dhe flet për krizën ekonomike dhe borxhet e kompanive dhe bizneseve në Shqipëri.
Ndërsa çmimi tjetër për gazetarët e rinj investigues iu dha Habjon Hasanit, për raportimin televiziv mbi koncesionin e naftës dhe efektet e tij në ekonomi në emisionin ‘Të paekspozuarit’ të Ora News.
Ceremonia e dhënies së çmimeve u mbajt në Librarinë “Tirana Times”.
Organizatorët bënë me dije se kishin konkurruar 29 histori, nga të cilat 18 nga gazetarë nën 35 vjeç.
Juria përbëhej nga Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë dhe kreu i jurisë, Lutfi Dervishi, ekspert i medias, Ani Ruci, korrespondente e Deutsche Welle, Rrapo Zguri, profesor i gazetarisë, dhe Lavdrim Lita, anëtar i “Policy HUB” të BE në Tiranë.
“Liria e shprehjes dhe lira e medias janë të domosdoshme për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe llogaridhënien e politikës”, tha Jan Rudolph, kreu i zyrës për Politikën, Ekonominë dhe Informacionin në ambasadën e BE në Tiranë, gjatë ndarjes së çmimeve.
Bakillari është prej 11 vjetësh aktiv në gazetarinë e shkruar, i angazhuar kryesisht në çështje të hetimit dhe prej 6 vjetësh në gazetën MAPO.
Bakillari falënderoi jurinë për vlerësimin, e po ashtu për mbështetjen që këto çmime i japin gazetarisë investigative.
Shqipëria po shkon drejt Reformës në Drejtësi, thelbi i të cilës është të vërë në provë sistemin gjyqësor të përfolur për allishverishe, korrupsion dhe pasuri të fituara në mënyrë të paligjshme e në kurriz të procesit të dhënies së drejtësisë.
Shkrimi “Si i shpëtojnë drejtësisë gjyqtarët milionerë!” ka dëshmuar pikërisht këtë problem të drejtësisë shqiptare.
Shkrimi në fjalë ka provuar përmes një hulumtimi të detajuar në pasuritë e gjykatësve të apelit të Tiranës për 10 vjet, se ata kishin vënë miliona euro pasuri gjatë karrierës së tyre si gjykatës.
Shkrimi po ashtu tregon se si këta gjykatës ja kanë dalë pa u penalizuar edhe në rastet kur ndaj tyre ka pasur ndjekje apo hetim.
Pas këtij shkrimi, ILDKPI bëri disa kallëzime.