Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, e së fundi ish-kryeministri Sali Berisha. Duket se të gjithë preferojnë një studio të hapur për t’u shprehur, si ajo e gazetares Eni Vasili. Si u bë emisioni i gazetares së njohur në “News 24” më i besueshëm për të gjithë aktorët politikë, të cilët duan ta përcjellin aty mesazhin kryesor për publikun gri
Publiku është ngopur me produktet e padobishme që nuk përkthehen në vlerë…është e bindur Eni Vasili, një bindje që në shembullin e saj përkthehet në një publik edhe më të interesuar për tema të lidhura me probleme që shqetësojnë shoqërinë e sotme shqiptare, ku politika duket se mban vendin e parë në klasifikim. Personazhe të rëndësishëm të kësaj të fundit- politikës- preferojnë t’i rrëfejnë të vërtetat apo të japin llogari mbi përgjegjësitë politike, qytetare e morale në “Studio e hapur” emisioni televiziv i autores Eni Vasili, i cili transmetohet të martave në kanalin “News 24”. Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, e së fundi ish-kryeministri Sali Berisha. Intervistat më pas janë pasqyruar në të gjitha kanalet e komunikimit, qoftë në shtyp apo mediat online…E ka nisur vjeshtën e 2005-ës, ndërsa i ka lënë pas dhjetë vite në këtë program, ku ka pasqyruar debatet me të nxehta të politikës, si edhe ngjarjet më të rëndësishme me interes kombëtar, pa bërë kompromise me tematikat për hir të statistikave të shikueshmërisë, dhe duket se kjo i është kthyer pas.“Ka qenë surprizë për mua audienca e jashtëzakonshme e intervistës me filozofin Tariq Ramadan, një nga 100 njerëzit më me influencë në botë sipas ‘Forbes’, ku ai foli për konceptet e tij filozofike për botën. Ka qenë impresionuese po ashtu kurba e audiencës për emisione të nivelit të lartë të reflektimit intelektual si ‘Intelektuali dhe politika’, apo ‘Qyteti që do të doja’, me të ftuar si Mentor Petrela, Pirro Misha, Artan Fuga, Aurel Plasari etj. Publiku ka nevojë edhe për këtë lloj ushqimi shpirtëror, të intelektit e të mendjes për tema të rëndësishme që shqetësojnë përditshmërinë e gjithkujt. Është e thjeshtë të bësh audiencë duke folur për seksin apo dietat, pasi janë tema masive dhe nuk duan asnjë impenjim mendor për t’u ndjekur. Të ngacmosh vetëdijen intelektuale apo kuriozitetin për tema të mëdha, do të thotë ta përfshish publikun në një komunikim të një niveli krejtësisht tjetër”, – rrëfen Vasili, e cila gjatë këtyre viteve ka mirëpritur në emisionin e saj figura të rëndësishme, shqiptarë e të huaj, si edhe ka përqafuar një sërë kauzash me natyrë mbi të drejtat e njeriut, ku më i përfoluri mbetet rasti i Nazime Vishës, jo vetëm intervista me të në mjediset e burgut, por edhe nisma që bëri bashkë intelektualë të njohur, ndër ta Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, për faljen apo uljen e dënimit të kësaj vajze që vrau dhunuesin e saj…
Një “Studio e Hapur”, ku duket se duan të jenë të gjithë. Në morinë e emisioneve televizive, edhe me karakter të ngjashëm, duket se ju keni arritur një sukses të dukshëm, të prekshëm. Çfarë e bën më të veçantë?
Në shekullin e informacionit dhe dijes, sekretet dhe formulat janë një koncept i tejkaluar. Ajo që mund t’ju them është se unë kam një përkushtim konstant, çdo javë, për çdo minutë të produktit që duhet t’i servirë publikut të martën mbrëma. Ndjej një përgjegjësi maksimale përballë gjykimit të teleshikuesve për çdo temë që zgjedh e për çdo të ftuar që vjen në program.
Ky lloj përkushtimi më bën të hulumtoj mbi tema e tematika të veçanta apo këndvështrime të reja për ngjarje të njohura, ngjarje të patrajtuara më parë, por edhe të studioj kombinime të ftuarish, përballja e të cilëve me njëri-tjetrin me këndvështrime të ndryshme në tavolinën e debatit prodhon një ide të qartë dhe të plotë për temën që kemi marrë përsipër të zbërthejmë në emision.
Ky lloj përkushtimi për çështjet që zgjedh të trajtoj ecën paralelisht me një marrëdhënie rigoroze profesionale me të ftuarit e programit. “Studio e Hapur” është e tillë për të gjithë ata që kanë diçka me vlerë për t’i thënë publikut. Të ftuarit e mi e kanë të qartë që janë aty vetëm për ketë arsye dhe për asnjë tjetër, larg çdo pakti, sekreti apo formule tjetër që e përlyen dhe deformon misionin e gazetarit.
E hapur duket edhe në kahet politike. Kryetari i Kuvendit, kryeministri, ish-kryeministri. Si është të kesh figura kaq të rëndësishme të politikës shqiptare të paktën të 25 viteve të fundit në tri emisione njëri pas tjetri në fillim të këtij sezoni?
Është pa diskutim një kënaqësi profesionale e shkalles sipërore. Prania e tyre në programin tim është një konfirmim i përkushtimit tim pa rezerva ndaj produktit që hedh në treg dhe një tregues i vlerësimit dhe respektit që vetë këto figura të rëndësishme kanë për programin. Sigurisht,kjo nuk është diçka që e kam arritur në një ditë. Studio e Hapur, shumë shpejt do të festojë 10- vjetorin e ekzistencës në tregun mediatik shqiptar. Dhjetë vjet përpjekje maksimale për një produkt të arrirë profesionalisht larg çdo pazari politik apo interesi personal.
Sigurisht liria editoriale që më kanë ofruar drejtuesit e televizionit ka qenë një mbështetje e madhe për respektimin e integritetit tim profesional dhe gjej rastin t’i falënderoj.
Krahas profesionalizmit, a është ndoshta edhe nuhatja juaj femërore, një nga përbërësit e suksesit?
Nuk besoj se suksesi i një programi apo nuhatja gazetareske është çështje gjinie dhe kushdo që ta interpretojë në këtë mënyrë, mendoj vetëm se ka një këndvështrim seksist. Meshkuj apo femra,miq apo armiq, ne jemi të gjithë konkurrentë vetëm me produktin që arrijmë të realizojmë dhe integritetin personal. Publiku është aty, na njeh prej vitesh, na do ose jo,na ndjek apo ndërron kanal, kjo varet vetëm nga ne, nga mënyra se si respektojmë nevojat dhe ndjeshmëritë e teleshikuesve tanë.
Një emision me politikën, por jo vetëm. Cila është filozofia e ‘Studio e Hapur’?
Respekti ndaj së drejtës si koncept. Kujdesi im më i madh është përzgjedhja e kauzave të drejta, trajtimit të të ftuarve që ndodhen mes skandalesh,betejash politike,ngjarjesh me ngarkesa emocionale të caktuara në mënyrën me të drejtë të mundshme. E drejta për mua nuk është një koncept aq relativ sa shpesh duan ta paraqesin. Ka një vetëdije të përgjithshme për këtë,e ka çdo individ e ka e gjithë shoqëria. P.sh, disa kohë më parë arrita të marr një intervistë ekskluzive nga qelia prej Elivar Golemit, ish-inspektorja e përgjithshme e Bankës së Shqipërisë në atë kohë në qendër të kritikave, sulmeve por edhe një lloj mërie popullore për përfshirjen në vjedhjen e Bankës. E fajshme apo jo çështja i takon gjykatës por mënyra se si ajo vajzë 37-vjeçare përfundoi në hekura ishte krejtësisht e padrejtë. Unë i dhashë mundësinë të tregonte të vërtetën e saj, publiku e kuptoi dhe e mbështeti.
A është sfidë për ju në një moment kur emisioni bëhet kaq konkurrues për ta mbajtur në këto nivele gjatë gjithë kohës?
Kjo është një sfidë 10-vjeçare për mua dhe do të vazhdojë të jetë kështu për sa kohë “Studio e Hapur” do të jetë në treg. Është detyrimi im ndaj besnikërisë dhe vlerësimit të publikut. Përpjekja ime e përditshme për nivelin dhe cilësinë e emisionit është mënyra se si dua t’i kthej mirënjohjen që i kam publikut që më ndjek.
Duket se tendencat e fundit të talk show-ve apo emisioneve që kanë pasur natyrë politike po shkojnë drejt temave më të lehta, ato çka sigurojnë audienca më të larta. Ju jeni kundër shembulli; një emision serioz, angazhues di të fitojë audiencë. A është ngopur publiku me temat e ashtuquajtura të lehta?
Publiku është ngopur me produktet e padobishme që nuk përkthehen në vlerë. Ka qenë surprizë për mua audienca e jashtëzakonshme e intervistës me filozofin Tariq Ramadan,një nga 100 njerëzit më me influencë në botë sipas Forbes, ku ai foli për konceptet e tij filozofike për botën. Ka qenë impresionuese po ashtu kurba e audiencës për emisione të nivelit të lartë të reflektimit intelektual si ‘Intelektuali dhe politika’, apo ‘Qyteti që do të doja’ me të ftuar si Mentor Petrela, Pirro Misha, Artan Fuga, Aurel Plasari etj. Publiku ka nevojë edhe për këtë lloj ushqimi shpirtëror, të intelektit e të mendjes për tema të rëndësishme që shqetësojnë përditshmërinë e gjithkujt. Është e thjeshtë të bësh audiencë duke folur për seksin apo dietat pasi janë tema masive dhe nuk duan asnjë impenjim mendor për t’u ndjekur. Të ngacmosh vetëdijen intelektuale apo kuriozitetin për tema të mëdha do të thotë ta përfshish publikun në një komunikim të një niveli krejtësisht tjetër.
U përfol shumë puthja e dorës suaj nga kryeministri Rama. A ishte ky thjesht një gjest elegant përballë një gruaje? Në një botë seksiste, sa e vështirë është për një grua në TV e sidomos në formate të tilla ku kanë dominuar burrat?
Sigurisht që ishte thjesht një gjest elegant mirësjelljeje dhe më ka çuditur rëndësia që i është dhënë, edhe pse jetojmë në kohën e shumëfishimit të sensacionit mes rrjeteve sociale.
Seksizmi, maskilizmi është i pranishëm në gazetari po aq sa në politikë e sektorë të tjerë. Përpjekja që unë dhe kolege të tjera të miat për të qëndruar në treg kemi bërë ka qenë shumëfishe në krahasim me kolegët meshkuj. Mjafton të shikosh aleancën e heshtur që kolegët meshkuj kanë me njëri-tjetrin. Në botën femërore të gazetarisë, kjo për fat të keq nuk ekziston dhe nuk e kam kuptuar kurrë pse, por sigurisht është një disavantazh për ne. Ky lloj realiteti më bëri të themeloj edhe forumin e gazetareve femra profesioniste të Shqipërisë (FGPSH) si një portë ku gazetaret femra mund të trokasin për çdo problem të tyrin profesional, të tilla porta unë i kam gjetur mbyllur kur kam pasur nevojë nga disa shoqata që drejtohen nga kolegë meshkuj. Shpresoj të kem mundësi t’u jem në ndihmë kolegeve të mia në çdo kohë.
Tema sociale, kulturë, politikë…. Ku e gjeni veten më të përfshirë, qoftë edhe përtej gazetarisë, si qytetare?
Gjithkund ku e padrejta bërtet qartë.
Sa vite karrierë keni në gazetari? E shihni si rifillim çdo eksperiencë të re? Këshilla për gazetaret e rinj, veçanërisht vajzat?
Nuk dua t’i numëroj vitet e karrierës, pasi dua të më duken gjithmonë pak. E vetmja këshillë që ndjehem t’u jap, është ta bëjnë këtë profesion si një zgjedhje, një zgjedhje që kërkon shumë dashuri dhe vetëmohim.
- Balliu