Roberto Saviano, autori i shquar i librave kundër mafies dhe Kamorrës, i cili ruhet gjatë gjithë kohës me eskortë të blinduar policore, shkruante sot në profilin e tij në Facebook, për mbresat e mira që i ka lënë një intervistë e tij, dhënë përpara disa kohësh në Tiranë, në emisionin e gazetarit Blendi Fevziu “Opinion”.
“Përpara disa javësh kam qenë i ftuar në një emision televiziv në Shqipëri. Dëgjojini pyetjet që m’u bënë: sa njerëz në Itali janë të gatshëm të bëjnë ende pyetje të tilla? Po që t’i dëgjonin përgjigjet?”
Ja pjesë nga intervista e përcjellë nga Saviano:
Mafia sot dhe dje
Televizioni shqiptar Tv Klan më ftoi kohët e fundit për një intervistë të thelluar për temat e mafies dhe për lidhjet me politikën, terrorizmin, ekonominë.
Një intervistë njëorëshe, në të cilën munda të flas për argumente, për të cilat në Itali parapëlqehet të mos flitet më, ose të bëhet në mënyrë sipërfaqësore një gjë e tillë.
Më bëri përshtypje që në Shqipëri, ku mafia vazhdon të bëjë biznese të mëdha në botë e narkotrafikut, ashtu sikurse edhe në atë të trafikut të armëve, unë munda t’i përgjigjem me qetësi pyetjeve të bëra në mënyrë direkte, të qarta, të cilat preknin thelbin e argumenteve.
Cilat janë lidhjet mes mafies dhe politikës në Itali? Cilët kanë qenë politikanët më të korruptuar nga mafia? Përse mafia vret në vendet më pak të zhvilluara, cili është roli i shtetit?
U përpoqa të shpjegoja se atje ku shteti është më i fortë, kush vret rrezikon një reagim më të vendosur të institucioneve, por kjo nuk do të thotë se mafia heq dorë nga tregu i saj.
Kështu që edhe vendet më të strukturuara, si Franca dhe Gjermania, kanë mafiet e tyre, më pak arrogante, por gjithsesi aktive dhe fitimprurëse.
Dhe më pas është fenomeni i korrupsionit, që nuk ndalohet vetëm duke mëshuar në anën morale. Atyre që janë të gatshëm të korruptohen, parimet morale nuk ua ndryshojnë mendjen. Duhet mëshuar në anën ekonomike dhe shoqërore. Korrupsioni duhet të jetë një kërcënim për karrierën tënde, për rrugëtimin tënd në shoqëri. Por ja që tani korrupsioni luan rolin e stimuluesit.
Dhe më pas janë bankat, kanalet e financimit të organizatave kriminale ndërkombëtare, “lavanderitë” e parave të pista në zemër të qyteteve të mëdha perëndimore, nga Londra në Austri.